English

Mazhoranca miraton faljen e borxheve, kush përfiton dhe jo nga falja

Tiranë, 21 prill 2011, NOA – Vetëm dy javë para mbajtjes së zgjedhjeve vendore të 8 majit miratohet në Kuvend vetëm me 74 votat e mazhorancës ligji për “Amnistinë fiskale” në formën e faljes së borxheve, një ligj tejet i debatuar nga opozita si një nismë thjesht dhe vetëm elektorale.

Opozita, e cila e cilësoi ligjin si një pazar politik, nuk mori pjesë në votimin e ligjit.

Falja e borxhit u jep mundësinë qytetarëve shqiptarë të legalizojnë të gjitha paratë e tyre.

Gjithashtu falen të gjitha taksat e tatimet e papaguara, gjobat dhe interesat e mbartura nga data 31 dhjetor 2010 e më parë, ndërkohë që qytetarët që duan të përfitojnë nga kjo amnisti duhet që të shfrytëzojnë harkun kohor deri më 31 dhjetor të vitit 2011.

Por kush janë ata që përfitojnë nga falja e borxhit apo ligji “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor e doganor”:

qytetarët shqiptarë mund të legalizojnë paratë e tyre kundrejt një tarife prej 3 për qind të shumës; - pronat e tyre kundrejt një tarife prej 1 për qind të vlerës; - biznesi i vogël i paregjistruar mund të regjistrohet duke paguar një tarifë prej 3 për qind; - kompanive u jepet mundësia të bëjnë paraqitjen e plotë të pasurive të tyre në bilance kundrejt një tarife 6 për qind; - shtetasve që deri në 31 dhjetor 2010 kanë futur automjete në territorin doganor të Shqipërisë dhe nuk kanë paguar detyrimet ndaj administratës doganore, nëse paguajnë 50 % të principalit të detyrimit ndaj kësaj administrate, u falen pjesa tjetër e principalit së bashku me gjobat dhe kamatëvonesat; - falen detyrimet e prapambetura, të faturave të energjisë elektrike, ndaj shoqërisë KESH sh.a, Tiranë, nga debitorët familjarë. Pjesa e borxhit e mbetur në shoqërinë KESH sh.a, një shumë prej 38 miliardë lekë i përket konsumatorëve familjarë dhe, pothuajse, 98 për qind e atyre që i kanë këto detyrime i përkasin shtresave në nevojë. Detyrues për faturat e energjisë janë 270 mijë familje shqiptare. Këta janë familje në ndihmë ekonomike, janë pensionistë pa burime të tjera të ardhurash, përveç pensionit të tyre, janë gra kryefamiljare, jetimë, invalidë; -amnistia nuk përfshin pasuritë që janë subjekt hetimi në përputhje me ligjin antimafia, pra me origjinë nga krimi e trafiqet, si dhe nuk falen pasuritë e krijuara nga zyrtarë apo ish- zyrtarë, që janë të fshehura; -një tjetër element i rëndësishëm është ruajtja e konfidencialitetit të plotë të të amnistuarve dhe pasurive të amnistuara.

mit/NOA

KOMENTE