English

Vetëvendosje: Të dorëhiqet Bajram Rexhepi

Prishtinë, 23 prill, NOA - Lëvizja Vetëvendosje sot dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepit për dhunën e ushtruar ndaj tifozëve në ndeshjen e basketbollit mes Prishtinës dhe Bambit.

“Qytetarët e Kosovës para dy netësh kanë qenë dëshmitarë të një ngjarjeje të rëndë dhe brutale. Njësia speciale e Policisë së Kosovës nga Mitrovica ushtroi dhunë të papranueshme ndaj Plisave menjëherë pas ndeshjes basketbollistike mes Prishtinës e Bambit në palestrën e sporteve në kryeqytet. Nga sjellja e egër e njësisë speciale u pa qartë se këta policë, gjysma e të cilëve serbë, kishin ardhur nga Mitrovica vetëm më një qëllim të qartë: që të rrihnin sa më shumë të rinj shqiptarë”, thuhet në reagimin publik të Vetëvendosjes.

Në deklaratë theksohet se në rastet kur tifozët serbë kanë sulmuar policinë dhe kanë plagosur efektivat nuk ka pasur asnjë reagim, nga ana e policisë, ndërsa tifozët shqiptarë janë rrahur pa asnjë provokim. “Kurse po qe se rastis të jeshë shqiptar dhe klubi yt fiton në ndeshje sportive, atëherë ka shumë gjasë të të zhdëpin dajak. Aty ku ka arsye për ndërhyrje, policia ul kokën. Aty ku nuk duhet, policia krekoset me brutalitet. Kjo na i kujton kohërat kur pësonim vetëm e vetëm për shkak të përkatësisë kombëtare. Shumë pak ka ndryshime në Kosovë në këtë aspekt nga kohërat e dikurshme”, thuhet në deklarartën e Vetëvendosjes.

Lëvivjza e ka cilësuar të papranueshëm qëndrimin e ministrit Rexhepi dhe ka kërkuar dorëheqjen e tij.

“Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, menjëherë i fajësoi Plisat duke deklaruar që tifozët kanë qenë të dhunshëm me ç’rast ka shtuar se do të hetohet nëse Policia i ka tejkaluar kompetencat e saj kur ka vepruar. Ai dhunën policore e quan veçse ‘veprim’ kurse Plisat praktikisht i shpall fajtor para çfarëdo hetimi. Ministri Rexhepi duhet të japë dorëheqje për shkak të kësaj ngjarjeje dhe për shkak të këtyre deklaratave të papërgjegjshme. Ose, së paku, nëse ai s’ka ditur se çka do të ndodhë e çka po ndodhë në Palestrën e Pallatit të Rinisë, atëherë ai do të duhej t’iu kërkojë falje Plisave dhe t’i tregojë fajtorët në zinxhirin komandues të këtij aksioni makabër të policisë duke i nxjerrur me emra e mbiemra eprorët që e urdhëruan dhe zbatuan këtë dhunë policore pa dijeninë e tij”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

a.k.NOA

KOMENTE