English

Rama: Ditën e fitores kundër fashizmit do të festojmë fitoren e Pezës

Pezë, (Tiranë), 25 prill, NOA – Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama deklaroi sot gjatë takimit me banorët e komunës së Pezës se në 9 maj, ditën e fitores kundër nazizmit do të festojmë fitoren në këtë komunë.

“Për koincidencë, zgjedhjet janë më 8 maj, një ditë më pas më 9 maj është dita e madhe e koalicionit antifashist botëror kundër fashizmit. Dhe në Pezën e historisë së lavdishme dhe në Pezën e Babë Myslymit, ku u themelua çeta e parë antifashiste, duhet që më datën 9 maj të kurorëzojmë si kryetar të komunës pikërisht një pinjoll të vjetër të një familjeje të lavdishme të Pezës”, tha Rama

Ai u shpreh se në zgjedhjet e 8 majit në Pezë kandidojnë kandidatë të majtë, “që përfaqësojnë të majtën e vjetër, të majtën e rrugës dhe të dhunës që përfaqëson Edi Rama dhe nga ana tjetër janë të majtët e vlerave qytetare, që përfaqëson LSI-ja”.

Deklarata e Ramës u bë gjatë takimit elektoral në mbështetje të kandidatit Artur Peza.

Luan Rama u shpreh se Peza është një vend i shenjtë dhe një referencë e çmuar e historisë sonë kombëtare dhe për këtë arsye LSI ka propozuar Artur Pezën, që përfaqëson më së miri emrin e kësaj komune.

Ai shpjegoi se ku u zgjodh Arturi për ta kandiduar në Komunën e Pezës, aleanca nuk u nis nga interesat partiake, madje po të gjykohej nga interesat partiake kishte shumë emra të tjerë, të cilët mund t’i kandidonim në Pezë, qoftë LSI, qoftë edhe vetë PD. Luana Rama i ftoi të gjithë banorët e Pezës që më datën 8 të votojnë Artur Pezën, “Aleancën për Qytetarin” dhe të votojnë LSI-në që më datën 9 maj të festohet në Pezë fitorja e Artur Pezës para monumentit të Babë Myslymit.

Ai u shpreh se do të bëhen riksontruksione të objekteve simbolike në këtë zonë dhe do të investohet në infrastrukturë.

“Do të mjaftonte vetëm gjendja e rrugës nga lapidari deri këtu, që është një segment që lidh dy simbole të së njëjtës histori të lavdishme të Pezës për të kuptuar se përse nuk duhet votuar më kandidati i PS-së. PS ka 15 vjet që drejton në Pezë dhe akoma ajo rruga ka asfaltin e shtruar që kur ishte Babë Myslymi gjallë. Prandaj duhet t’i ndëshkojmë ata që nuk punojnë për komunitetin, duhet t’i ndëshkojmë ata që nuk janë lidhur me Pezën, që nuk punojnë për Pezën, që nuk mendojnë për Pezën, që nuk mendojnë për banorët e Pezës”, deklaroi tha Rama.

a.k/NOA

KOMENTE