English

Basha: Jam i vendosur të ul taksat brenda majit

Kandidati për Kryebashkiak, Lulzim Basha, demonstron planet e tij se si ai beson që do ta shndërrojë Bashkinë në një institucion aktiv për të gjitha problemet e Tiranës. Shprehet i vendosur që si masë të menjëhershme të ulë taksat, të thjeshtëzojë sistemin, ta bëjë atë transparent dhe t’i kthejë biznesit e punëmarrësve mundësinë për të punësuar më shumë qytetarë të Tiranës. Për Bashën. Ky është vetëm hapi parë, hap afatshkurtër, “është hap që unë do ta kthej realitet brenda 31 majit të këtij viti”, tha Basha në intervistën për Tv News24

Nisim bisedën pikërisht nga e kaluara e përplasjes elektorale në kryeqytet. Tre herë ka fituar z.Rama. Ka fituar ndaj protagonistëve respektivë të së djathtës shqiptare. Ju përse vendosët të dilni në këtë garë?

Gara për Tiranën për mua, por edhe për shumicën dërrmuese të qytetarëve të Tiranës, të cilët vendosin dhe janë subjekti i këtij ndryshimi, nuk ka të bëjë me kundërshtarin dhe me kandidatin tjetër, por ka të bëjë me atë sesi unë shoh mundësitë e mia për të kontribuar për qytetin tim. Dhe në këtë kuadër, alternativat e mia, programet e mia, ofertat e mia, do të jenë një përfitim për qytetin e Tiranës. Mënyra sesi këto oferta, këto projekte, priten dhe diskutohen nga qytetarët, dhe aftësia jonë e përbashkët, e ekipit tim dhe e qytetarëve për të parë përpara dhe për të nisur një rrugë të zhvillimit të Tiranës, një rrugë që sot është e ndërprerë prej më shumë se katër vitesh, janë thelbi i garës, thelbi i kontributit, thelbi i asaj çka unë dua dhe do jap gjatë kësaj fushate, dhe asaj çka unë jam i vendosur të jap për Tiranën pas 8 majit. Dhe në këtë kuadër, sfidat e mia janë absolutisht të gjithë sfidat dhe betejat e përditshme të qytetarëve të Tiranës, dhe jo beteja politike, përplasja politike mes kampesh. Sepse, në analizën time, të cilën e kam shpalosur përpara qytetarëve të Tiranës që ditën e parë kur kam njoftuar kandidaturën time, dhe në analizën e shumë e shumë qytetarëve që kam takuar, deri tek ecjet në rrugë e deri tek takimet në pragun e shtëpive të tyre, qartësisht del se problemi kryesor që ka Tirana vjen si rezultat i konflikteve, i tensionimit të skajshëm politik. Punët e Tiranës u kanë mbetur vetë në dorë qytetarëve dhe punëve të Tiranës nuk u rri askush mbi kokë. Prandaj unë kam dalë në këtë garë me përkushtimin dhe vendosmërinë time që t’u rri mbi kokë 100%, 24 orë në ditë, punëve të Tiranës, si parakusht për t’i çuar këto punë përpara dhe për të filluar për t’i zgjidhur një e nga një problemet e shumta, hallet e shumta të qytetit.

Fushata ndërkohë e ka kaluar më shumë se gjysmën e saj dhe në kronikat e shumta televizive ju keni bërë disa premtime që ndoshta nuk janë edhe shumë me këmbë në tokë. Ju keni folur për premtime që nuk i përkasin pushtetit lokal, siç është ujësjellësi, kanalizimet, por ndërkohë që ndërmarrja e ujësjellës-kanalizimeve varet nga qeveria…

Këtu qëndron paradoksi në këtë qytet. Sepse bashkia nuk është konceptuar si hallka më afër qytetarit, dhe si e tillë përgjegjëse për gjithçka që i ndodh qytetarit, por gjatë gjithë kësaj kohe, ka hequr përgjegjësitë nga vetja, ka treguar me gisht një fajtor imagjinar. Ka gjetur një përgjegjës jashtë vetes, nëse bie fjala për ndërmarrjen e ujësjellës-kanalizimeve, nëse bie fjala për trafikun në Tiranë, nëse bie fjala për çmimet, që sot kandidati tjetër i paska zbuluar që janë rritur, ndërkohë që unë kam 20 ditë, 30 ditë që bashkë me qytetarët evidentoj një program realist sesi të punohet për uljen e çmimeve, dhe ky është problemi thelbësor. Si ta konceptojmë ne bashkinë e Tiranës? A është bashkia e Tiranës një drejtori komunale, plus kompetencat për të dhënë leje ndërtimi për shumëkatëshe? Apo është në fakt hallka e parë e konsensusit qytetar për të bashkëqeverisur qytetin dhe në këtë kuadër hallka kryesore për të marrë peshën kryesore të çdo problemi të qytetarëve, dhe unë jo vetëm që kam premtuar këtë; marrjen e përgjegjësisë për ujësjellës kanalizimet, gjë që Bashkisë së Tiranës i është ofruar prej disa vitesh dhe është e vetmja njësi vendore në Shqipëri që nuk ka pranuar të marrë përgjegjësi për një shërbim kaq bazë, por unë kam folur për gjërat kryesore, kapitalet e bashkisë për punësimin, për normalizimin e çmimeve. Sepse unë besoj që Bashkia e Tiranës nuk ka pse të jetë ndryshe nga çdo bashki tjetër e botës, ku problemi kryesor i qytetit, problem kryesor i qytetarëve është natyrshëm, problemi kryesor i kryebashkiakut. Një kryebashkiak nuk e heq këtë problem nga vetja, nuk tregon me gisht që qenka kompetencë e qeverisë, por mundohet me të gjitha instrumentet të sigurojë zgjidhje për një Bashki siç është Bashkia e Tiranës, me mbi 600 mijë banorë. Sigurisht, duke përdorur si instrument kryesor mirëqeverisjen e qytetit, konsensusin qytetar, sepse qytetari do të thotë në radhë të parë bashkëjetesë dhe bashkëjetesa në kontekstin modern kërkon bashkëvendimarrje. Në këtë kontekst, unë jam i vendosur që si element kryesor të ndryshimit të Tiranës, të sjell një lloj të ri Bashkie, një lloj të ri kryebashkiaku për Tiranën, por që në fakt është tipike për qytetet e Evropës perëndimore. Një Bashki, e cila ka sy të shohë dhe veshë të dëgjojë për çdo problem të qytetarit, ka zemër, dhimbsuri, por dhe mendje të punojë për të zgjidhur çdo problem të qytetarit.

Ju po na premtoni gjëra që nuk i ka bërë qeveria. Keni trajtuar kthimin e pronave, ndërkohë që është një ent që është tërësisht në varësi të shumicës së qeverisëse

Nuk është ashtu. Qeveria ka rolin e vet, ka përgjegjësitë e veta. Unë them se Bashkia do të punojë për të zgjidhur çdo problem, duke përfshirë atë të pronave, duke përfshirë hipotekimin, dhe në këto raste jo vetëm do të përpiqet që t’i zgjidhë këto, por do të bashkëpunojë me gjithë institucionet e tjera, duke përfshirë institucionet qendrore kur është e nevojshme, për të dhënë zgjidhje. Bashkia do të jetë dhe një mjet presioni ndaj institucioneve përgjegjëse, për këta qytetarë që vuajnë këto problem. Ky është roli i Bashkisë. Bashkia është dhe duhet të jetë instrumenti më i fuqishëm në duart e çdo qytetari të Tiranës që ka një problem. Po! Do të merremi me betejat e qytetarëve të Tiranës dhe për betejat e qytetarëve të Tiranës nuk do të kursej asnjë minute. Për fitoren e betejave, që nga papunësia, që nga çmimet, që nga pronat, që nga zhvillimi i tyre, nga infrastruktura, ne do t’i vihemi përballë kujtdo.

Për legalizimet. Bashkia e Tiranës që prej vitit 2006 i ka çuar të gjitha dosjet e shtëpive informale tek Aluizni, i cili është një ent që varet nga Qeveria, pra Bashkia e ka kryer punën e saj...

Nuk është ashtu. Së pari ligji për legalizimet është miratuar nga Partia Demokratike, me kundërshtimin e z.Rama. Kundërshtimi i z.Rama nuk është ndalur vetëm në momentin e ligjit. Z.Rama ka penguar njësitë vendore të Tiranës të jenë pjesë e zbatimit të ligjit dhe për këtë, qeverisë i është dashur të bëjë një ndërhyrje me ligj për të anashkaluar problemet që lindin si rezultat i politizimit. Pra, Bashkia nuk ka pasur vullnet për ta zgjidhur këtë. Thënë kjo, procesi i legalizimit mund dhe duhet të kishte ecur më shpejt dhe unë kam vërejtjet e mia për ecurinë e këtij procesi, po do të garantoj këdo që është në këtë proces, që ky proces do të mbyllet. Që është i pakthyeshëm. Procesi i legalizimit është i pakthyeshëm, dhe kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, do të jetë jo një armik, por një faktor pozitiv.

Ju po thoni se nuk është fajtore Bashkia e Tiranës, por është fajtor ALUIZNI për këto vonesa…

Edhe njëherë po ju them. Bashkia e Tiranës do të luajë rolin e vet që procesi i pakthyeshëm i legalizimit të bëhet sa më parë. Jo t’i vërë shkopinjtë nën rrota këtij procesi.

Ndërkohë keni premtuar një tjetër gjë që e ka premtuar zoti Berisha në 2006-ën, kartën e studentit. Nuk duket një rimarrje elektorale kjo?

Zoti Berisha nuk ka qenë asnjëherë kryetar Bashkie dhe nuk e di nëse projekti im për kartën bashkiake të studentit ka ndonjë të përbashkët me projektin që ju i referoheni. Unë kam parasysh me këtë kartë, lehtësira të domosdoshme për studentin. Tirana ka sot 80 mijë studentë dhe Tirana e 100 mijë studentëve që kam shpallur si pjesë e programit tim, nuk është fantazi. Nuk është çështja a do të bëhet menjëherë, por është çështje kohe se kur do të bëhet Tirana me 100 mijë studentë. Pra nga 12 në 100 banorë, 15 në 100 banorë të Tiranës do të jenë studentë. Kjo është një forcë e jashtëzakonshme, është komunitet i mrekullueshëm, një energji që do të bënte krenar çdo qytet. Duhet të dini çdo kryetar bashkie në botë mburret me sa universitete ka, sa studentë ka, sa pedagogë ka brenda territorit të tij. Sepse kjo është një botë e jashtëzakonshme. Unë nuk po propozoj bamirësi për studentët, studentët nuk kanë nevojë për bamirësi. Çdo lek i investuar te studentët është një investim i qytetarëve të Tiranës, tek qyteti i tyre.

Keni premtuar Tiranën e 100.000 mijë studentëve, a e ka Tirana këtë, sepse nuk është trekëndëshi Boston-New York-Washington ku është gjithë dija e botës ku mund të ketë dhe 100.000 mijë dhe 500.000 mijë studentë, flasim për një vend ballkanik. Për të qenë më i drejtpërdrejtë. Do te kemi universitete piramida që do të prodhojnë diploma false...

Absolutisht jo! Do të mbështes me të gjitha fuqitë botën akademike dhe kërkimin shkencor, pra do ti jap rëndësi në radhë të parë Universitetit të Tiranës dhe Universitetit Politeknik, që të ndërtojnë kampuset e shumëpërfoluara, të cilat jo vetëm nuk u ndërtuan, por territoret e tyre u zaptuan. Së pari, zaptimi i trojeve do të marrë fund. Trojet do ti rikthehen këtyre universiteteve, dhe trojet e tjera publike do tu vihen në dispozicion këtyre kampuseve. Këto kampuse kanë plane zhvillimi të cilat kanë mbetur në letër, për shkak të mungesës së vullnetit nga ana e bashkisë për të bashkëpunuar me universitetet. Kjo është pika e parë, krijimi i mjediseve universitare europiane për studentët e universiteteve publike, por edhe të universiteteve private, sipas kërkesës dhe mundësisë. Së dyti. Krijimi i një biblioteke Universitare Bashkiake, në bashkëpunim mes bashkisë dhe universiteteve të Tiranës. Ne do të krijojmë një bibliotekë e cila do të jetë po kështu e aksesueshme nga qytetarët e Tiranës, derisa vetë qyteti të jetë në gjendje të ndërtojë një bibliotekë të mirëfilltë bashkiake, për të cilën po kështu po diskutohen disa variante nga ekipi im. Së treti, nëpërmjet kartës bashkiake të studentit ne do ti japim çdo student ato të drejta, ato lehtësira që kanë studentët sot ne Europë. Transporti publik falas, tarifave të reduktuara deri në zero, për të gjitha shërbimet bashkiake, për të gjitha institucionet partnere, institucionet kulturore, që nga muzetë, teatrot, opera etj. Si dhe tarifa të reduktuara në partneritet me rrjetin privat. Në vende te ndryshme të botës, Mc Donald’s ka marrëveshje me bashkitë, sepse studentët konsiderohen një kategori e veçantë. Nuk janë marrëveshje jashtë tregut, janë Brenda tregut. Është plotësisht e justifikueshme dhe jo refraktare në politikat e çmimeve, që studentët të kenë ulje të veçanta për produkte të veçanta. Kemi vetëm të fituar, të fituar biznesin sepse ka një komunitet konsumatorësh që janë të rinj, studentët janë të fituar sepse i marrin këto shërbime me çmime të ulura, e fituar është bashkia sepse krijon një urë edhe më të fortë lidhëse midis grupeve të ndryshme shoqërore. Së treti, bashkia do të luajë një rol qendror në fazën e fundit të studimeve për tregun e punës. Nëpërmjet dy instrumenteve, do të marr një rol qendror deri sa kjo të jetë e panevojshme, për të çprimitivizuar mënyrën si funksionon akoma tregu i punës. Kemi njerëz të kualifikuar që nuk kanë punë, kemi biznese të kualifikuara, institucione të kualifikuara, që ofrojnë vende pune. Ne do krijojmë data basen mes atyre që po përfundojnë në degë të veçanta në cilësitë e tyre të veçanta, me kërkesat e tregut. Këtë informacion ne do ta japim në të dy krahët. Universiteti dhe studentët do të dinë çfarë vende punësh ka të lira, biznesi do të dijë çfarë krahu pune ofrojë universitetet në Tiranë. Unë e kam shpallur punësimin prioritetin tim parësorë.

Sipas opozitës taksat e Bashkisë janë vetëm 5% kurse 95% i merr qeveria qendrore...

Taksat e qeverisë qendrore kanë ndjekur një sistem të thjeshtëzuar të quajtur “flat tax”, është çështje e qeverisjes qendrore. Unë po flas për ato taksa që mbledh sot Bashkia që ne nuk e dimë si shpenzohen por e dimë që nuk shkojnë nëpër shërbime që duhet të japë bashkia qytetarëve në tërësi dhe bizneseve në veçanti. Dhe po flas për paratë që biznesi nxjerr nga xhepi si rezultat i mungesës së shërbimeve dhe që gjitha këto para nuk vijnë si një faturë e thjeshtë për biznesin por vijnë si një faturë për çmimet e larta në qytet, për numrin e vogël të vendeve të punës në qytet. Kjo është situata aktuale dhe unë jam i vendosur që si masë të menjëhershme të ul taksat, të thjeshtëzoj sistemin, ta bëj atë transparent t’i kthej biznesit dhe punëmarrësve mundësinë për të punësuar më shumë qytetarë të Tiranës. Kjo është vetëm hapi parë, është hap afatshkurtër, është hap që unë do ta kthej realitet brenda 31 majit të këtij viti. Por për punësimin ne mund të bëjmë shumë më shumë. Mund të bëjmë një paralele me procesin e heqjes së vizave. Ishte një proces që kishte mbi 120 kritere, mbi 400 standarde për t’u përmbushur, kishte të mëdha voluminoze si pasaportat biometrike, kartat e identitetit, kufiri, kishte edhe të vogla të padukshme që disa prej tyre s’kemi folur asnjëherë. Por ama plotësimi i të gjithave një e nga një dha impaktin dhe na çoi te një objektiv që na dukej dikur e pamundur. Punësimi po ashtu kërkon gjëra të mëdha, ndërmarrje të mëdha, kërkon dhe ndërhyrje të vogla. Do ta fillojmë nga më të lehtat, do ulim taksat, do vazhdojmë me infrastrukturën. Së pari ndërtimi i infrastrukturës nga ana e punësimit është një hap i menjëhershëm i frontit të punës. Vetëm unaza e madhe, segmenti nga ura e Brakës tek ura e Kamzës, do të krijojë 5800 vende të reja pune. Por infrastruktura në tërësi, jo vetëm unaza apo tramvaji, por edhe ndërhyrjet brenda qytetit do të duhet në veçanti, në zonat e biznesit do të ulë ndjeshëm kostot e prodhimit dhe shërbimit në Tiranë. Kostot e prodhimit dhe shërbimit në Tiranë është më e lartë se në çdo qytet tjetër të Shqipërisë. Sepse rrugët janë të këqija, trafiku është i ngjeshur, dhe pavarësisht kostos së karburantit që bashkia s’mund ta kontrollojë por mund të kontrollojë kostot e shërbimit e prodhimit

Sepse 60% e bizneseve janë përqendruar në Tiranë është kosto më e lartë…

Pikërisht sepse është qendra e vendit. Dhe ku tjetër do të zgjidhte investitori të investonte në çfarëdo vendi, përveç se në kryeqendër. Por ajo që them unë është se Tirana sot nuk ka një mjedis miqësor për investimet, as vendas aq më pak të huaj. Më thuaj një investitor të huaj që ka thithur kandidati tjetër gjatë këtyre viteve në Tiranë. A ka folur ndonjëherë për thithjen e investimeve të huaja ?! Unë ju siguroj që do të jem gati, figurativisht të rri me kokë poshtë për të thithur çdo investim të huaj në Tiranë. Do të bëj gjithçka që të jetë e mundur për të thithur kapital.

Ku e keni fjalën për investime të huaja në Tiranë?

Për çdo gjë. Kemi investime të huaja në Tiranë por nuk kemi atë numër investimesh që ne mund të kemi në Tiranë. Tirana ka një treg të huaj jashtëzakonisht dinamik. Ka të rinj e të reja të mirëpranuar, ka një vendosje të mirë gjeografike. Pra është e vendosur mirë, afër tregjeve që mund të shërbehen, dhe ne mund të thithim investime të huaja pafund këtu në Tiranë. Por ne sot nuk e bëjmë. Sepse sistemi është jo transparent, bashkia nuk e konsideron pjesë të saj, infrastruktura vuan, ndërsa territoret publike që janë më të shumta në Bashkinë e Tiranës sesa në çdo tjetër territor publik të Tiranës jo vetëm që nuk vihen në dispozicion të investimeve të huaja por janë pjesë e skemave jo transparente. Dhe këto janë drejtimet ku unë do të punoj fuqishëm. Bie fjala bie që në katër vitet e ardhshme kush punëson mbi 50 punëtorë nuk do të ketë taksa. Këto janë masat që do të mendojë bashkia. Kjo do të jetë bashkia ime që për 50 punëtorë më shumë është gati ti heqë taksat biznesit sepse s’ka gjë më të shtrenjtë në këtë qytet sesa të kesh një të punësuar më shumë, një rrogë më shumë, të kem dy apo tre fëmijë të asaj familjeje me një prind në punë sesa taksa të cilat vilen në mënyrë jo transparente dhe shpenzohen në mënyrë akoma më pak transparente. Po kështu ne do të punojmë fuqimisht, dhe regjistroheni këtu se do të jap llogari pas 4 vitesh, për objektivin minimal të thithjes së 1 miliard euro kapital të huaj dhe të brendshëm në Tiranë. Tirana sot gjeneron 33 deri në 40% të prodhimit të brendshëm bruto, kështu që ajo që po them nuk është një mrekulli por po tentoj ta rikthej Tiranën në ritmet e rritjes ekonomike më dinamike që ka njohur si vlerë në përqindje.

Nga do të vijë kjo rritje?

Kjo rritje do të vijë nga përmirësimi i klimës së biznesit, nga thithja e investimeve të huaj, nga krijimi i një partneriteti. Këtu në qytet vetëm të pahipotekuarit janë mbi 700 milionë euro kapital. Kapital që është gati të lëvizë në qoftë se shikon oportunitete. Kapitali është i ulët, orientimi i këtij kapitali drejt oportunitet e investimit krijimi i vendeve të reja të punës nuk mund të jetë jashtë vëmendjes së Bashkisë.

Zyra e Regjistrimit të Pasurive është në varësi të qeverisë. Bashkia i ka çuar dosjet i kanë marrë qytetarët i kanë marrë ndërtuesit dhe kanë aplikuar për legalizimin?

Bashkia mund ta zgjidhë dhe unë kam një platformë se si Bashkia mund ta zgjidhi në bahskëpunim me qeverinë.

Është e paligjshme kjo?

E keni gabim. Mund të flasim sot për këtë problem në detaj. Unë them se Bashkia në vetvete mund të veprojë, Bashkia në bashkëpunim me qeverinë mund të veproj për ti dhënë fund këtij problemi. Unë jam zotuar dhe dua ta përsëris këtë zotim para jush për çdo person që është i pahipotekuar unë marr përsipër brenda 6 muajve të ardhshme si Kryebashkiaku i Tiranës Brenda datës 15 Nëntor. Çdo banor i pahipotekuar i Tiranës do të ketë hipotekën e vet ky është një premtim solemn një premtim që bëhet përgjegjësinë time morale njerëzore si kryebashkiak. Skuadra ime ka një plan të mirëfilltë i cili në tërësi parasheh përgjegjësi të Bashkisë në evidentimin e problemit dhe zgjidhjen e problemit. Ka raste të veçanta ku është futur pushteti gjyqësor konflikt pronash, këto raste do trajtohen po ashtu me anë të një ligji që ne do ti propozojmë qeverisë dhe kam bindjen të plotë se duke pasur parasysh interes e mëdha të qytetarëve të Tiranës dhe interesat e vendit se Tirana është brenda Shqipërisë do gjejmë bashkëpunimin e qeverisë për të kaluar këto amendamente ligjore edhe për ato raste ku është e pamundur të ndërhyjmë direkt. Unë premtoj sot dhe si çdo premtim tjetër që kam mbajtur do të realizojë hipotekimin e të gjithë të pahipotekuarve brenda 15 nëntorit të këtij viti. Ky kapital kapitali që vjen dhe shikon Tiranën miqësore një Tiranë ku Bashkia nuk është në rastin më të mirë e plogësht nuk reagon. I çojnë kërkesat nuk kthehet kërkesa 5 ditë 5 javë 5 muaj presin nuk kthehet përgjigje. Ka raste se është arrogante kur është malinje me biznesin me biznesin vendas dhe të huaj. Unë nuk them që bashkia do të bëhet rrogoz për këdo që bën investim, por bashkia do jetë një shërbëtore luajale e interesave të qytetit dhe kjo do të thotë se do trajtojmë me seriozitetin më të maksimal çdo investim. Nuk do ketë më procedura që do zgjasin pa fund, si çdo thjeshtohet kodi fiskal i Bashkisë ashtu do të thjeshtohen procedurat administrative të Bashkisë. Bashkia do të jetë një shtëpi xham transparente ku vendimet do merren në kohën më të shkurtër të mundshme. Parimi heshtja është miratim do të përdoret gjerësisht, pra Bashkia do të jetë miqësore, siç do jetë miqësore ndaj çdokujt që potencialisht hap 1, 10 apo 100 vende pune në Tiranë. Biznes i Tiranës apo jashtë Tiranës apo biznes i huaj Bashkia do jetë e hapur ndaj çdo investim në Tiranë. Rikthehem në përfundim procesit të heqjes së vizave që përmende. Ja arritëm sepse bëmë detyrimet madhore dhe detyrimet e vogla. Edhe këtu duhet bërë të gjitha duhet bërë dhe do bëhet unaza e madhe sepse ulet kosto e transportit për biznesin. Kur e sheh investitori tjetër e sheh sot nuk bëhet biznes, por nesër bëhet biznes sepse kemi një infrastrukturë të përmirësuar. E njëjta gjë me tramvajin, por asnjë nga këto investime nuk kanë vlerë në rast se nuk lidhen me një rrjet kapilarë të rrugëve të nyjeve të nënkalimeve të vend parkimeve brenda qytetit. Prandaj një pjesë e konsiderueshme të buxhetit bashkiak, paratë e mirëfillta të qytetarëve, do të destinohen për investime të brendshme. Në krye të katër viteve në Tiranë nuk do ketë asnjë rrugë të paasfaltuar. Asfalt jo në kuptimin elektoral, por asfalt ku brenda do të ketë kanalizime, dhe infrastrukturë nëntokësore. Rrugë që të ketë mundësi të futet zjarrfikësja.

KOMENTE