Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Fundi i eksperimentit politik
English

Fundi i eksperimentit politik

8 maji ka shansin të jetë akti i fundit i eksperimentit politik me zgjedhjet dhe kështu, një sprovë me rëndësi për partitë politike, për kandidatët, për administratorët e zgjedhjeve dhe për institucionet apo grupet e tjera publike e civile të përfshira në këtë proces të rëndësishëm

Nga Bamir Topi

Ditët dhe javët e fundit axhenda politike e institucioneve shqiptare, por edhe e aktorëve publikë e civilë dominohet nga tematika komplekse e procesit zgjedhor të 8 majit. Për një vend me demokraci të zhvilluar e të konsoliduar zgjedhjet lokale janë teste politike normale, janë raste në të cilat votuesit kanë shansin dhe pushtetin për të mandatuar një pjesë të ekipeve politike qeverisëse, në rastin konkret kryetarët dhe këshillat e njësive vendore. Zgjedhjet e 8 majit normalisht duhet të jenë të tilla! Ato duhet të shënojnë konsolidimin e një faze të re stabiliteti dhe demokracie të qëndrueshme! 8 maji ka shansin të jetë akti i fundit i eksperimentit politik me zgjedhjet dhe kështu, një sprovë me rëndësi për partitë politike, për kandidatët, për administratorët e zgjedhjeve dhe për institucionet apo grupet e tjera publike e civile të përfshira në këtë proces të rëndësishëm. Secila palë ka peshën, rolin dhe përgjegjësitë e veta, dhe 8 maji do të duhet të testojë aftësinë e secilit për të respektuar ligjin dhe parimin kushtetues të ushtrimit të sovranitetit të popullit përmes zgjedhjeve të lira, të drejta dhe demokratike. Është rasti sot për të ritheksuar rëndësinë e shumëfishtë të këtyre zgjedhjeve. Ato janë provë për nivelin e demokracisë funksionale dhe kulturës politike në Shqipëri, janë provë për seriozitetin në angazhimet tona integruese, janë provë për aplikimin e praktikave më të mira zgjedhore, por edhe për aftësinë e institucioneve dhe aktorëve vendore për të mirëadministruar një proces, që duhej të ishte periferik në axhendën e reformave që i nevojiten vendit dhe mbarë shoqërisë shqiptare. Zgjedhjet janë moment kur bëhet bilanci i një mandati qeverisës dhe projektohet qeverisja e katër viteve të ardhshme. Qytetarët kanë pushtetin e votës pikërisht për të zgjedhur midis alternativave e projekteve të ndryshme, për të vlerësuar palën politike ose kandidatin që ofron më shumë projekte, siguri e garanci për realizimin e tyre. Pra, e thënë ndryshe, 8 maji është dita e qytetarit, dita kur politika duhet të përballet me verdiktin e vlerësimit për bilancin e punës së saj dhe mbi të gjitha, mirëqeverisjen e ardhshme. Ndryshe nga ky vlerësim, duket se një pjesë e kandidatëve dhe e partive politike e shohin 8 majin si një test force për militantët, strukturat dhe aftësinë e tyre kontrolluese mbi procesin. Retorika e toneve të larta dhe në disa raste, konfliktuale, mungesa e debateve profesionale mbi projektet dhe alternativat, problemet ende të mëdha në identifikimin e kufirit midis propagandës dhe nevojës për informim publik, mangësitë në transparencën e premtimeve dhe financimit elektoral apo edhe një varg incidentesh e aktesh dhune të panevojshme, - janë tregues se palët politike kanë një këndvështrim tjetër nga publiku i gjerë mbi rolin dhe rëndësinë e këtyre zgjedhjeve. Si President, si politikan dhe si qytetar e njoh dhe e vlerësoj rolin e pazëvendësueshëm të partive politike në një shoqëri demokratike; ato jetësojnë pluralizmin, përfaqësojnë vizionet politike qytetare dhe ne, me votën tonë ushtrojnë qeverisjen politike të vendit. Por njëherësh, me të njëjtat cilësi, njoh dhe vlerësoj shumë nevojën që partitë politike, anëtarët dhe kandidatët e tyre, t’u largohen sa më shumë praktikave të gabuara të së kaluarës zgjedhore, të distancohen nga çdo lloj forme e presionit dhe e përfitimit të paligjshëm elektoral, të nxisin debatet alternative mbi retorikën konfliktuale personale, dhe në një plan më të gjerë, të sillen e të veprojnë si institucione dhe modele demokratike, zëdhënëse të qytetarëve, avokate të të drejtave dhe të interesave të publikut. 8 maji nuk është garë midis simboleve, slloganeve, militantëve apo shefave të tyre; partitë dhe kandidatët janë në garë në radhë të parë për të jetësuar sistemin konkurrues demokratik, për të ofruar alternativa zhvillimi dhe modele shërbimi ndaj qytetarëve. Bazuar në këtë interes publik i ftoj partitë politike të mos përfitojnë nga monopoli bipolar në administrimin zgjedhor për të bllokuar apo imponuar procesin ligjor e teknik; të mos i shfrytëzojnë numrat e shumicës në komisione të niveleve të ndryshme për të cënuar sadopak klimën zgjedhore, barazinë apo integritetin e zgjedhjeve, dhe së fundi, por më me rëndësi, të dëshmojnë maturi e vullnet politik për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje në formë konsensuale, të kërkojnë e të gjejnë pika afrimi për të kapërcyer çdo boshllëk apo nen të interpretueshëm zgjedhor, duke dalë kështu mbi interesat e momentit dhe në shërbim real të qytetarëve. ***

Fjala ime iu përkushtua klimës politike pragzgjedhore dhe aktorëve konkurrues në fushatë. Kjo sepse siç të gjithë e dimë, sistemin ynë zgjedhor, modeli dhe mentaliteti politik, - u njeh këtyre aktorëve politikë monopolin e përgatitjes, miratimit, zbatimit dhe administrimit të procesit zgjedhor. Gjithësesi në të gjithë këtë proces, sidomos në mbrojtjen e integritetit të tij, rol thelbësor kanë aktorët civilë, - grupet, organizatat dhe koalicionet vëzhguese të zgjedhjeve. Unë kam kënaqësinë të kem sot të ftuar në këtë ceremoni disa prej organizatave me përvojë mjaft të gjatë në procesin e vëzhgimit të zgjedhjeve në Shqipëri, siç janë Komiteti i Helsinkit apo Shoqata për Kulturë Demokratike; si dhe grupime të tjera me përvojë më modeste, por me përgatitje dhe ambicie të mëdha në vëzhgimin e zgjedhjeve lokale të 8 majit. Gjatë këtyre ditëve, gjatë ditës së zgjedhjeve, por edhe në periudhën e administrimit të rezultateve, sytë e publikut do të jenë të drejtuar nga burime të paanshme e të besueshme, të cilat janë aty në emër të ligjit në mbrojtje të parimeve ligjore, të interesave qytetare dhe interesave publike. Transparenca dhe zbatimi rigoroz i ligjit janë elemente të rëndësishme të procesit zgjedhor, sepse vlerësojnë ato vlera e parime për të cilat ne jemi angazhuar dhe të cilat nuk mund të shprehen vetëm me numra formalë në fletët e votimit. Në këto zgjedhje kemi shumë subjekte elektorale, disa parti të reja, por krahasuar me zgjedhjet e vitit 2007, për shkak të sistemit të ri zgjedhor, – kemi rënie drastike të kandidatëve të pavarur apo alternativave lokale politike. Me shqetësim kemi konstatuar një numër minimal të përfaqësimit të grave dhe vajzave në listat e kandidimit nominal e partiak, si dhe në komisionet e administrimit zgjedhor. Në anën tjetër po me shqetësim kemi konstatuar një numër kandidatësh nominalë me probleme në identitetin politik dhe në cilësitë e përfaqësimit. Informacionet për premtime në shkëmbim të votës, tregtim të votës, presioneve administrative për votë partiake apo forma të tjera abuzimi me votën, megjithëse sporadike, nëse jetësohen përbëjnë akte të padenja dhe të papranueshme. Praktikat e së kaluarës për ndryshime komisionerësh në momentet e fundit të zgjedhjeve, duke ia besuar administrimin personave militantë, por të pa trajnuar më parë me procedurat ligjore, ato të kontrollit dhe keqpërdorimit të komisionerëve nga kandidatë ose parti politike, si dhe çdo praktikë bllokuese apo edhe ato abuzuese me sondazhet në fazën e përfundimit të votimit, – sigurisht që është koha të marrin fund! Këto dhe aspekte të tjera konkrete e të detajuara, aq të njohura për ju dhe aq të ndjeshme për publikun, janë e do të jenë në fokusin tuaj në ditët e javët e ardhshme. Ato janë motivi që ne ndodhemi sot këtu para qytetarëve shqiptarë për t’i inkurajuar ata të marrin pjesë masivisht në zgjedhje, të gjykojnë me votën e tyre kandidatët dhe programet politike, dhe t’i garantojmë ata për një proces sa më të rregullt zgjedhor, për një votë të lirë, të fshehtë dhe të garantuar. * Fjala e mbajtur në takimin me organizatat vendore vëzhguese në zgjedhjet e 8 Majit

KOMENTE