English

Nishani: Garantoni procesin zgjedhor

Tiranë, 27 prill 2011, NOA – Dy ditë pas emërimit të tij në krye të dikasterit të Punëve të Brendshme, ministri i Brendshëm Bujar Nishani në të parin takim si titullari i kësaj ministrie i kërkoi Policisë së Shtetit të garantojë me disiplinë dhe korrektesë të plotë procesin zgjedhor të 8 majit.

Në takimin që zhvilloi me drejtuesit e strukturave të policisë së Qarkut të Tiranës, ministri i Brendshëm i bëri thirrje uniformave blu se “duhet të garantojmë nivelin më të lartë të rendit dhe sigurisë e njëkohësisht respektimin e plotë të të drejtave të qytetarëve shqiptarë gjatë procesit zgjedhor”.

Këtu ministri Nishani vlerësoi trajnimet e drejtuesve dhe punonjësve të Policisë së Shtetit për procesin zgjedhor në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë të OSBE-së, PAMECA-s dhe ICITAP-it.

“Keni bërë një punë të shkëlqyer në këtë aspekt. Jam informuar se përgjegjësitë në lidhje me legjislacionin janë konkrete për çdo punonjës të policisë. Objektivat janë të qarta dhe transparente. Duhet të arrini standartet e kërkuara në interes të qytetarëve shqiptarë”, theksoi ministri.

Ai i bëri thirrje uniformave blu që nga drejtuesi më i lartë e deri tek punonjësi më i thjeshtë i Policisë së Shtetit ta perceptojnë detyrën dhe të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre në shërbim të qytetarëve shqiptarë.

“Çdo punonjës policie të ndihet i motivuar dhe i përgjegjshëm për detyrimet që i takojnë në bazë të ligjit dhe të bëjë mekanizmin e tërë të funksionojë, u shpreh zoti Nishani.

Ministri Nishani shprehu bindjen se Policia e Shtetit do të përmbushë detyrat dhe përgjegjësitë e saj për procesin zgjedhor, duke nënvizuar se “një tjetër medalje do të vendoset në flamurin e Policisë së Shtetit për rolin e saj në procesin zgjedhor”.

Ministri i Brendshëm vlerësoi arritjet e deritanishme të Policisë së Shtetit për menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike dhe për luftën kundër kriminalitetit, e në veçanti për përmbushjen me sukses të kritereve të përcaktuara në detyrat e saj për liberalizimin e vizave.

Në takim merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e misioneve të asistencës policore të OSBE-së, PAMECA-s dhe ICITAP-it.

mit/NOA

KOMENTE