English

Tahiri: PS, padi penale për Gjendjen Civile, Kokonën, Abazin e Fugën

Tiranë, 28 prill 2011, NAO- Nënkryetari i grupit kuvendor të socialistëve Saimir Tahiri gjatë ditës së sotme bëri të ditur se Partia Socialiste ka dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës, dy padi penale.

Sipas Tahirit një padi, është bërë për ndjekjen penale të drejtuesve dhe punonjësve të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme dhe një tjetër për tre drejtues të njësive bashkiake në kryeqytet.

“Partia Socialiste ka ngritur një grup special pune që deri më sot ka identifikuar emër për emër, banesë më banesë, të gjitha shkeljet e faktuara nga punonjësit e drejtorisë së përgjithshme të gjendjes civile si dhe çdo person që ka ofruar vullnetarisht emrin e tij dhe të familjes për të manipuluar procesin zgjedhor nëpërmjet dublimeve në lista, mercenarëve elektoralë të paligjshëm dhe falsifikime të tjera që venë në rrezik serioz zgjedhjet e 8 majit”, deklaroi deputeti i selisë rozë.

Duke shprehur vendosmërinë që Partia Socialiste nuk do lejojë askënd të cenojë procesin zgjedhor, ai tha se, Luzhiana Abazi, Ilir Kokona dhe Blendi Fuga janë paditur të akuzuar për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh për zgjedhje si dhe për shkeljen e të drejtës së zgjedhësve.

Më tej Tahiri tha se jo vetëm drejtuesit e njësive vendore por edhe të gjithë ata persona që kanë pranuar të vihen në dispozicion të kësaj skeme manipulative, do përgjigjen para drejtësisë dhe do ndëshkohen në mënyrë shembullore, sipas ligjit.

a.y/NOA

KOMENTE