English

Ambasadori shqiptar, shpallet “Qytetar Nderi” në Itali

Vakarici, 29 prill 2011, NOA- Ambasadori shqiptar në Itali, Llesh Kola është shpallur “Qytetar Nderi” " i komunës arbëreshe Vakarici.

Komuna Vakarici në provincën e Kozencës në Kalabri, nderoi Ambasadorin Kola, në një ceremoni ku ishin të pranishëm banorët e Vakaricit dhe komunave përreth, politikanë të rajonit të Kalabrisë, deputetë, si dhe përfaqësues fetarë e akademikë.

Kryetari i Bashkisë së Vakaricit, Aldo Marino u shpreh se "kontributi i Ambasadorit Kola qëndron në rolin e tij institucional si Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Itali dhe dhënia e titullit të nderit mbështetet në origjinën, të kaluarën tonë historike, të tashmen dhe në veçanti për të ardhmen tonë".

Vetë i dërguari i shqiptarëve në Itali shprehu vlerësimin e tij dhe mirënjohjen që i bëhej jo vetëm atij, por Shqipërisë dhe gjithë diplomacisë shqiptare.

Në dedikim, në gjuhën arbëreshe, shkruhej: "Për vullnetin, të vetishëm të Shqiponjës Dykrenare të vjetër simbol shqiptarësie, t’i kthente njëkohësisht sytë nga koha e kaluar, që i bashkon popujt tanë, ashtu si nga e ardhmja, duke na e treguar gjithëve një rrugë të përbashkët me paqe, njëzëshmëri dhe vëllazëri”.

a.y/NOA

KOMENTE