English

Rama: Votoni për ti thënë kurrë më, rezultatit që vjen nga kërcënimi

Tiranë, 29 prill 2011, NOA- Kryesocialisti Edi Rama, nga njësia numër 4 në kryeqytet mbrëmjen e sotme, prezantoi Sadi Vorpsin si pretendentin për të drejtuar minibashkinë e kësaj zone.

Duke kërkuar votat për kandidatin e “Aleancës për të ardhmen”, ai tha se Vorpsi është vendosur në krahun e historisë.

“Saliu ca si hije bredh nëpër Tiranë, e ca sorollatet më kot, le të na tregojë qoftë edhe një fshat, le të na thotë se ku e gjen kurajon për të sharë modelin tonë, në një kohë kur territoret e Shqipërisë janë bërë si të pushtuara nga bajraktarët dhe injoranca. Nuk ka ulje më të madh për një popull të tërë se sa ajo që bën i ashtuquajturi Kryeministër që bredh Shqipërinë e mat metrat e shtruara nëpër fshatrat e Shqipërisë, të cilat janë detyrimet e njësive vendore”, deklaroi kryesocialisti.

Sipas tij të gjithë po habiten me deklaratat e Kryeministrin që nuk është më as dy, por Shqipëria është e para.

Më tej lideri i socialistëve tha, se premtimet e Berishës janë fyese për inteligjencën e një populli dhe janë një thirrje për reagim, që në 8 maj përpara se të ndihen socialist apo demokrat duhet të ndihet njeri dhe votën duhet ta hedh kundër maskarallëkut dhe fukarallëkut që ka pushtuar vendin.

“Punonjësve, mësuesve u bëhet presion për të kontrolluar votën dhe ky fakt kërkon një reagim mbarëpopullor, pavarësisht bindjes së tyre, duhet ta kuptojnë mirë se aty ku kërcënohet mësuesi ka marrë fund gjithçka dhe se asnjë rezultat që vjen nga kërcënimi nuk vlen asgjë. Flamuri i PD-së thesi që mbledh paratë dhe shkop për të goditur mësuesit e punëtorët. Që kurrë më të mos ketë nëpunës të flakur nga puna, se pushteti kërkon të kontrollojë votën e mendjen, votoni për ti thënë Saliut Kurrë më”, u shpreh kreu i opozitës.

Kryesocialisti theksoi se në 8 maj do nuk do të fitojë as një parti apo grup partish, por një aleancë për të ardhmen e çdo qytetari që e sheh që ka një rrugë e cila premton për hapjen e së ardhmes, për zhvillimin urban e social të Shqipërisë.

Ndërsa gjatë paradites së sotme po në këtë minibashki kryesocialisti njëherësh pretendent për të rimarrë drejtimin e Tiranës, dëgjoi shqetësimet e qytetarëve dhe u ofroi atyre zgjidhje përmes programit të tij.

a.y/NOA

KOMENTE