Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Marrëzia e ambalazhit
English

Marrëzia e ambalazhit

Duke hequr dorë dalëngadalë nga marrëzia e ambalazhimit, e sidomos e ambalazhimit plastik, mund të mbërrijmë ndoshta te njëra nga kthesat e kësaj rruge, që duhet të ndodhë pikësëpari në kokat tona Nga Ardian Klosi Nuk di a ka ndonjë shtetas shqiptar që nuk përdor dhe hedh çdo ditë të paktën nga një qese plastike. Vetë llogaris që çdo ditë zbraz në plehra të paktën 12 të tilla. Në çdo dyqan që të shkosh, çfarëdo që të blesh, është e pamundur që në fund të mos ta mbështjellin gjënë me një qese plastike.

Daç këpucë, daç paracetamol, daç bukë - fundi i historisë është ambalazhimi në plastikë. Shitësit, akti i mbështjelljes i duket bujari, sikur të mos ia pranosh gati-gati ofendohet (sigurisht që është bujar, sepse ai vetë për atë cipë të shëmtuar nuk paguan thuajse asgjë, paguan ambienti).

Disa herë kam ikur pa e blerë sendin pikërisht prej këtij konflikti; më e tmerrshmja është kur ta japin edhe një copë panine në plastikë, e unë detyrohem ta pyes shitësin nëse edhe në shtëpi bukën e kap me plastikë. Me thënë të drejtën, nganjëherë habitem që kusurin ose eurot e kthyera në lekë shitësit nuk m'i fusin edhe ato në qese plastike.

Por se mos janë vetëm qeset. Çdo ditë konsumojmë edhe shishe plastike, të ashtuquajturit bidonë (bidonë dikur quheshin vetëm mbajtësit e mëdhenj metalikë) p.sh., për ujin, koka-kolën etj. Edhe këto njësoj si qeset janë vetëm njëpërdorimshme, e shumta dy, kur ia jep ndonjë fshatari për të shitur qumësht.

Po se mos janë vetëm qeset dhe bidonët. Edhe kartonët ku shitet qumështi, lëngu i frutave, vera etj., janë njëpërdorimshme dhe të gjitha përfundojnë po në një vend, te koshi i plehrave. Ky zakonisht në shtëpitë tona ndodhet nën lavaman. E kemi një ndjenjë lehtësimi kur zhdukim ambalazhin, që na shërbeu vetëm për të mbajtur mall nga dyqani në shtëpi, poshtë lavamanit.

Por lehtësimi më i madh është kur qesen e madhe të mbushur kryesisht me qese më të vogla, me ca mbetje ushqimi, me ilaçe të skaduara, me bateri të vjetra dhe 20 fëlliqësi të tjera e marrim dhe e hedhim te kazani i madh i plehrave që ndodhet anë rrugës. Kur e kemi vërvitur (mundësisht me zhurmë) prodhimin tonë të ditës në atë kazan, së brendshmi dëgjojmë një ahh çlirimi dhe vetja na duket si e pastruar, ndërgjegjja e qetë, gati-gati sikur kemi bërë dush pas një pune gjithë djersë.

Dikur, ne të Tiranës edhe na vriste ndërgjegjja kur kalonim pranë Sharrës, varrezave, kombinatit, dhe shihnim tymin helmues që nderej mbi gjithë atë rajon të kryeqytetit, pasi plastika digjej nën qiell të hapur, por tani dhe tymi i djegieve plastike është zhdukur, sepse bashkia ka disa kohë që ato i gropos nën tokë.

Po nën tokë që u zhduk plastika, mos u bë gjë pleh për pjellorimin e tokës? Joo, përkundrazi. Le që plastika, e cila prodhohet nga polimeret e naftës, do dhjetëra vjet të shpërbëhet e, kur shpërbëhet lëshon në mjedis substanca toksike. D.m.th., nëse e fshehim nën tokë, nuk e kemi zhdukur, vetëm e kemi futur në një si purgator, dhe një ditë të bukur ajo na hyn me këto substanca në ujërat nëntokësorë, të cilat i pimë vetë ose i pinë kafshët shtëpiake dhe joshtëpiake.

Ky ishte rasti më i mirë: që bashkia e një qyteti i merr mbetjet tona të përziera (plastikë, pelena me të dhjera, prezervativë, ilaçe të skaduara, bateri, vajra të djegura etj.) dhe i kall në një landfill. Mosdepërtimi i substancave helmuese nga ky landfill në tokë varet prej izolimit të tij, por edhe izolimi më i mirë një ditë epet, përfytyroni sa shpejt epet në Shqipëri, pra dikur masa që futëm me aq lehtësim nën lavaman do të shpërbëhet në natyrë me elementet e veta johelmuese dhe helmuese. Tani të marrim rastin më të zakonshëm te ne: shumica e bashkive, e komunave dhe individëve mbeturinat e qyteteve, fshatrave, familjeve të tyre nuk i groposin në landfille, por i hedhin të hapura në natyrë. Kushdo që ka ecur pak anë një fshati ka parë plehrat e tij në një djerrinë anësore, ndërsa kur fshati a qytetthi e ka një lumë, plehrat, ku mbisundon plastika, hidhen në faqet e këtij lumi.

Në dimër lumi fryhet dhe i merr plastikat me vete. Kur ulet në pranverë e verë, del se qeset, bidonët dhe ambalazhet e tjera i ka lënë në pjesën më të vogël brigjeve të tij ose majë shkurreve, kurse pjesën më të madhe e ka hedhur në det.

Lumenjtë e vegjël të Shqipërisë ose rrjedhat e sipërme të lumenjve të mëdhenj kanë ende një bukuri të rrallë. Duke qenë terreni i thyer lëndinat nga ato kalojnë përkëmbehen me ngushtica, kanionet me ujëvara. Ngaqë eci shpesh në malësitë e Tiranës e më tej e njoh bukurinë e Erzenit, të lumit të Tiranës etj. Por, kam parë edhe lugina me një hijeshi fantazmagorike, si ajo e lumit të Zezës, midis Zgërdheshit (ish-qytetit antik Adrianopolis) dhe Krujës.

Ishte muaji mars: në pjesën më të madhe bukuria natyrore e luginës përplasej me shëmtinë njerëzore të plastikave të shpërndara andej-këndej si mozaik laragan plagësh. Mendova: sa pak kohë u desh, 20 vjet, as një brez njerëzor që të përçudnohej kjo luginë. Jo se nuk mund të pastrohet, ende mund të pastrohet, por do të duhej një vullnet gjigant i administratës lokale e sidomos vetëdijesim i njerëzve për vendin ku jetojnë, për çka nuk duket deri më sot asnjë shenjë.(...)

Vitin e kaluar qeveria shqiptare lejoi importimin e mbi 50 llojeve të ndryshme mbeturinash, me argumentin se këto do t'i shërbejnë industrisë ricikluese të vendit. Plastika aty zë vendin e parë. Mirëpo kjo puna e industrisë së riciklimit është një gënjeshtër e madhe. Riciklimi është thjesht një biznes që pasuron disa pak vetë, e që tani do të bëhet me lëndë të parë importi. Ai nuk do t'i shërbejë aspak pastrimit të vendit nga plastika që po na zë frymën.

Edhe sikur të ushqehej vetëm me lëndë të parë nga vendi: po japim vetëm një shifër sa për ta kuptuar se riciklimi i plastikës nuk është aspak zgjidhja: Jared Blumenfeld, përgjegjës i Departamentit të Mjedisit në qytetin e San Françiskos, ka përllogaritur se kushton 4.000 dollarë riciklimi i 1 toni qesesh plastike, për të nxjerrë një produkt që do të shitej pastaj në treg me 32 dollarë!

Dhe përfytyroni ç'problem është mosriciklimi i plastikës edhe për një vend të zhvilluar si SHBA, ku, mes Kalifornisë dhe Havait lundron një gjigant mbeturinash, i quajtur Garbige Patch, me madhësi sa dyfishi i Teksasit, i përbërë në 80% nga plastika! Riciklimi i plastikës duket ka dobi kryesisht në vende si Shqipëria, ku paguhet pak krahu i punës dhe nuk ka taksa mjedisi, ku mund të helmohet pa pengesë ajri dhe toka. Ndaj t'i hapim dyert e importit fëlliqësirave plastike!

Rruga e vetme për t'u çliruar nga makthi i ambalazhit plastik është ndalimi i tij, qoftë dhe i pjesshëm. Vende si Bangla Deshi, Ruanda e shumë të tjera e kanë ndaluar përdorimin e tyre. Po kështu e ka ndaluar edhe qyteti i San Françiskos, të tjerë qytete si Bostoni po e pasojnë. Kina ka ndaluar përdorimin e qeseve plastike pa pagesë. Irlanda ka vënë taksë të fortë mbi to, duke sjellë kështu uljen e përdorimit në 90%. Ose përfytyroni sikur gjithë uji që tregtohet në Shqipëri të mos futej më në shishe plastike por në shishe të kthyeshme qelqi! Mirëpo si do të pasurohen biznesmenët e shisheve plastike?

Ne u rritëm në një Shqipëri pa qese e pa shishe plastike. Me një rrjetë bëheshin pazaret, kurse shitësi mallrat ushqimore t'i mbështillte në letër. Askush nuk vdiq as u sëmur për këto arsye. Ndërsa shishet e qelqit i kthenim të gjitha dhe me paratë e fituara shkonim në kinema. Nuk jam nostalgjik për atë kohë (kryesisht sepse njerëzit që na drejtojnë janë cok pjella të saj); por sytë i kemi të gjithë në ballë për të kuptuar se lindëm në një vend të bukur dhe do të vdesim në një vend që është në rrugën më të vendosur të shëmtimit.

Duke hequr dorë dalëngadalë nga marrëzia e ambalazhimit, e sidomos e ambalazhimit plastik, mund të mbërrijmë ndoshta te njëra nga kthesat e kësaj rruge, që duhet të ndodhë pikësëpari në kokat tona. Njëkohësisht presim masa radikale nga administrata qendrore, bashkitë dhe komunat. Gjëra konkrete jo letrarizma me ardhmëri e qytetari.

KOMENTE