English

Pasqyra e Shtypit, 30 prill 2011

Tiranë, 30 prill 2011, NOA – Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e SHTUNË, 30 Prill 2011.

E përditshmja “Panorama” ka si argument kryesor të saj, “Plani i Bashës: Skema si do të zhbllokohen 60 mijë hipoteka në Tiranë”, titull i cili flet për projektin e kandidatit të maxhorancës për kryebashkiak të Tiranës, dhe mënyrën se si do të bëhet hipotekimi i apartamenteve brenda 6 muajve.

Një tjetër artikull i kësaj gazete është edhe: “ODHIR, presion ndaj mësuesve dhe incidente në fushatë”, ku i referohet raportit të dytë të publikuar nga misioni i OSBE-ODHIR dhe konstatimet e bërë për parregullsitë gjatë përgatitjes së procesit zgjedhor.

E përditshmja “Shekulli” hapet me titullin, “Janë kopjuar dhe janë fshirë, filmimet e 21 janarit në Kryeministri”, në të cilin jepen detaje lidhur me filmimet në Kryeministri, ku veçohet fakti se dorëzimi i serverit në Prokurori, tregoi se në aparaturë është ndërhyrë pikërisht tek ngjarjet e 21 janarit.

Kjo e përditshme vijon më tej me artikullin, “Shtrenjtimi i Euros kundrejt lekut”, ku jepen detaje dhe prononcime të ekspertëve të fushës lidhur me shtrenjtimin e monedhës evropiane.

“Gazeta Shqiptare” ka si argument kryesor në numrin e sotëm atë me titull, “OSBE: Fushatë e dhunshme, KQZ me tendencë partiake”, në të cilin jepet qëndrimi i lidhur me situatën parazgjedhore, në raportin e dytë të publikuar nga misioni OSBE-ODHIR.

Më tej vijohet me shkrimin, “Protestë para shtëpisë së Islamit, eja na sqaro pse do të humbë PS”, ku jepen reagimet e qytetarëve lidhur me deklaratën e deputetit socialist Kastriot Islami ku thuhet se, partia më e madhe opozitarë në zgjedhjet e 8 majit do të pësojë humbje.

E përditshmja “Koha Jonë” çelet me titullin, “Nis autostrada Tiranë-Elbasan, për 18 muaj do të përurohet”, në shkrim vijohet gjithashtu me mënyrën e inaugurimit, me deklaratën e Kryeministrit Berisha si dhe me praninë e dy kandidatëve për kryebashkiak në Tiranë dhe Elbasan, Lulzim Basha dhe Durim Hushi.

Edhe kjo e përditshme një vend kryesor i ka kushtuar raportit të OSBE-ODHIR, ku thuhet se, “OSBE: Partia Demokratike paraqet projekte, Partia Socialiste i bie qeverisë”.

Gazeta “Shqip” hapet me artikullin, “ODHIR: Në lista votues fantazmë, KQZ shkeli Kodin Zgjedhor, dhuan vazhdon’, sërish jepen konstatimet në raportin e dytë të publikuar pasditen e djeshme, lidhur me situatën në Shqipëri para zgjedhjeve të 8 majit.

Një tjetër titull i kësaj të përditshmeje është edhe, “Rama që të keni punë lini pa punë Saliun, Kryeministri nis inaugurimin e rrugës Tiranë Elbasan”, në të cilin jepen aktivitetet e kreut të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste gjatë ditës së djeshme.

Të nderuar lexues. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht. Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.

KOMENTE