English

Rama: Merruani edhe lekët edhe miellin, e pastaj jepuani votën në lule të ballit

Librazhd, 30 prill 2011, NOA- Pas qytetit të Gramshit, stacioni i radhës për kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama, ishte qyteti i Librazhdit.

Nga ky vend kryesocialisti akuzoi qeverinë se po shton papunësinë, duke bërë të pamundur kështu daljen e shqiptarëve nga kurthi i papunësisë dhe padrejtësisë, nga kurthi ku sipas tij, vendi është futur nga politika e Saliut e Ilirit që përbetohen për qytetarët nëpër ekrane dhe kur fiken ekranet, lëshohen për ti shantazhuar që t’u diktojnë votën e lirë.

Ai u bëri apel qytetarëve që të mos e lënë pa përdorur fuqinë e madhe që kanë votën e lirë, ku shprehu bindjen se shumë më shumë përkrahës dhe simpatizantë të Partisë Socialiste do të dilnin në shesh nëse ata nuk do të kërcënoheshin nga pushteti me vendin e punës dhe me bukën e gojës.

Sipas tij, Saliu i shikon njerëzit si blu dhe rozë, por harron se para se të jenë socialistë e demokratë janë burra e gra, janë njerëz, prandaj shtoi kreu i opozitës, asnjë pushtet nuk duhet ti prekë më, pasi ky vend është i çdo shqiptari, është i çdo njeriu të zakonshëm, ku çdo njeri duhet të ketë liri dhe të drejta të barabarta dhe që çdo qeveri duhet ti garantojë ato.

“Saliu dhe Iliri kanë dalë derë më derë me thasë me miell dhe para, prandaj i thoni çdo qytetari të mos lënë lek pa u marrë, të mos lënë thes me miell pa u marrë, t’u marrin lekët, t’u marrin miellin dhe pastaj t’ua japin votën në lule të ballit duke thënë kurrë më. Pasi ata e shikojnë varfërinë, prandaj duan t’ua blejnë edhe votën me një thes miell”, deklaroi kreu i socialistëve.

Në përfundim Rama u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë për kandidatët e “Aleancës për të ardhmen”, pasi ky koalicion sipas tij ka një alternativë, ka një model që u garanton shqiptareve daljen nga varfëria dhe nga mjerimi ku janë futur.

a.y/NOA

KOMENTE