English

SHBA-BE: Sanksione ndaj regjimit të Damaskut

Uashington, 30 prill 2011, NOA - Pas masakrës se të premtes në Siri, ku mbetën të vdekur 62 vetë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ndezën dritën jeshile sanksioneve ndaj Damaskut. Sanksionet drejtohen kundër Maher Assad, vëllait të presidentit dhe komandantit të ushtrisë siriane, mbi të cilin rëndojnë akuzat për dhunë dhe represion ndaj popullit gjatë protestave në Daraa.

Sanksionet e SHBA-ve do të godasin edhe kushëririn e presidentit Asad, Atif Najib, i cili drejton zyrës politike të sigurise në këtë rajon, por edhe Ali Mamluk, shefin e Shërbimit Sekret të Sirisë.

Sekretarja amerikane e shtetit Hilari Klinton deklaroi në një konferencë për shtyp se me sanksionet ndaj Sirisë i bëhet thirrje qeverise siriane se duhet të japë llogari për aktet e dhunës dhe të marrë masa urgjente për respektimin e të drejtave dhe aspiratave çliruese të popullit sirian.

Pas Uashingtonit, edhe Bashkimi Europian arriti me shumë vështirësi të miratojë një marrëveshje paraparake për një paketë sanksionesh, mes të cilave ishte edhe një embargo për furnizimin me armë të Sirisë.

Agjencitë e huaja të lajmeve raportojnë përleshje të reja mes forcave të sigurisë dhe protestuesve në qytetin sirian Daraa.

Trupat e ushtrisë siriane janë mbështetur nga 15 tanke dhe disa helikopterë, të cilët kanë mësyrë në qytetin Daraa duke vrarë katër protestues.

mit/NOA

KOMENTE