English

1 milionë besimtarë në lumturimin e Papa Gjon Palit të Dytë

Romë, 1 maj 2011, NOA/Irma Toptani – Mbi 1 milion besimtarë, liderët e 16 vendeve dhe përfaqësues të 87 delegacioneve ndoqën sot në bazilikën e Shën Pjetrit në Romë ceremoninë e lumturimit të Papa Gjon Palit të Dytë, 6 vjet pas vdekjes së tij.

Papa Benedikti, i cili udhëhoqi meshën e cilësoi Papa Voitilën të shenjtë, duke thënë se Papa me origjinë polake do të kujtohet çdo 22 tetor, ditën kur u emërua Papë në vitin 1978.

Nuk ishin të paktë ata që me shfaqjen e fotografisë madhështore të Papa Voitilës shpërthyen në brohorima, ndërsa pati edhe nga ata që nuk fshehën dot lotët e tyre.

Mes të ftuarve që ndoqën meshën e shenjtë ishte dhe murgesha franceze, Mari Simon Pier, për të cilën kisha katolike beson se u shërua nga parkinsoni pas prekjes nga Papa Voitila.

Në sheshin e Shën Pjetrit përmes një ekrani gjigand u transmetua një dokumentar për jetën e Papa Voitilës.

Përgatitjet për ceremoninë e lumturimit të Papa Gjon Palit të Dytë nisën që prej të premtes me nxjerrjen e arkivolit të tij nga bazilika e Shën Pjetrit.

Një pjesë e mermerit të vendit ku u mbajt arkivoli i Papa Gjon Palit të Dytë do të dërgohet në vendlindjen e tij në Krakovi të Polonisë, dhe do të vendoset në një kishë që do të ndërtohet për nder të tij.

mit/NOA

KOMENTE