English

Berisha në qendër edhe me mungesë

Nga Andi Bushati

Nëse ajo që po ndodh me fushatën e dy rivalëve për Bashkinë e Tiranës mund të përmblidhej vetëm me një frazë, ajo do të qe: Edi Rama dështoi në përpjekjen për të futur plotësisht në kurth Berishën, ndërsa Lulzim Basha nuk arriti dot të dalë nga kurthi i tij. Sepse ashtu siç ka ngjarë, pothuajse gjithmonë, në garat elektorale të këtij vendi, Kryeministri ka qenë një pikë referimi.

Edhe gara për 8 Majin, nuk qe një përjashtim nga rregulli. Të dy kandidatët kishin në sfond të tyre Berishën. Edi Rama, duke e etiketuar atë si të keqen më të madhe, duke shpallur slogane si “Fajin e ka Saliu”, “E vetmja rrugë” është ajo kundër Berishës, kërkoi që me një gur të qëllonte shumë zogj. Ai kërkoi të hiqte vëmendjen nga bilanci i qeverisjes së tij 11-vjeçare në Tiranë. Kërkoi t’i kthente zgjedhjet jo në një gjykim të punës së tij, por në një plebishit kundër qeverisjes. Ai pati, gjithashtu, edhe një qëllim tjetër. Duke e fokusuar objektivin këtu, ai shmangte përballjen reale me kandidatin direkt për Tiranën. E sfumonte atë. E quante si një personazh të dorës së dytë, pra, më të lehtë për t’u mundur.

Një lojtar i vjetër i kulisave të politikës, Sali Berisha nuk ra në këtë kurth. Ai, ndryshe nga sa shumëkush do kish vënë bast, nuk iu sul si dem i tërbuar flamurit të kuq që i tundte PS-ja. Ai pothuajse e anashkaloi Ramën, pothuajse hoqi dorë nga kritikat ndaj tij, madje arriti deri tek e pabesueshmja, e quajti gabim përdorimin politik që i kish bërë më parë jetës personale të kundërshtarit të vet politik.

Rama nuk e realizoi dot plotësisht atë që kishte parashikuar në strategjinë e tij. E në pamje të parë kjo duket si një plus për rivalin e tij Basha.

Sepse kandidati i PD-së kishte një tjetër qëllim. Të krijonte me çdo kusht një profil të mëvetësishëm në fushatë, të ndryshëm nga ai i shefit të vet. Deklaratat e para për mosshembjen e piramidës, për kundërshtimin e vendimeve të KKRRT-së, kur ato binin ndesh me interesat e qytetarëve të Tiranës, sikur i mëshonin kësaj strategjie. Ajo u shoqërua gjithashtu me një fushatë ku pothuajse jo vetëm mungonte Berisha, po mungonte edhe gjuha e tij e vrazhdë, mungonte edhe fushata tipike e PD-së, me sulme të ashpra ndaj kundërshtarit. Mungonin edhe figurat emblematike të PD-së së vjetër. Më shumë se si një idhull i militantëve fanatikë, Basha po mëtonte të paraqitej si i përzgjedhuri i fansave të facebook-ut.

Por, nëse Rama arriti ta fokusojë fushatën e tij te Berisha, pa mundur dot ta fusë në kurth atë, të njëjtën mosarritje, por me sens të kundërt, pati edhe Basha. Disidenca e tij me leje, tolerimi paraprak i sinjaleve të tij kundërshtuese, nuk krijuan dot bindjen e një profili të ri politik brenda PD-së. Megjithëse dha sinjale, megjithëse përdori një fjalor më qytetar, një stil më të përulur, një sjellje më të pranueshme për elektoratin gri, Lulzim Basha la gjithmonë përshtypjen se një gjë të tillë po e bënte jo si bindje, por si taktikë. Tërheqjen e Berishës nga fushata e Tiranës, që e ka goditur në një farë mënyre Ramën, ai nuk e ktheu dot në favor të tij. Në një farë mënyre të dy kandidatët e vuajtën këtë radhë hijen e Kryeministrit të munguar: i pari, se nuk e ngjalli dhe nuk e ktheu dot në skenë; i dyti, sepse nuk arriti të shpëtojë prej saj. Duke dëshmuar sërish se, si me prezencë, po aq sa dhe me mungesë, Berisha vazhdon të mbetet në qendër të një loje, rezultati i së cilës do të varet shumë edhe prej tij.

Gazeta “Mapo”

KOMENTE