English

Hushi mbledh ekspertët: Zhvillimi i Elbasanit dhe rajonit varen nga autostrada

Elbasan, 2 maj 2011, NOA- Kandidati i maxhorancës për bashkinë e Elbasanit Durim Hushi gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një takim me ekspertët dhe ka kërkuar prej tyre të vlerësojnë impaktin e autostradës në zhvillimin e Elbasanit dhe rajonit.

Mësohet se me ftesë të kandidatit të “Aleancës për Qytetarin” për Bashkinë e Elbasanit, “Fondacioni për Liri Ekonomike” me qendër në Tiranë organizoi sot në ambientet e Kinema “Millenium” në Elbasan, forumin e hapur me temë “Impakti i Autostradës në Zhvillimin Ekonomiko-Social të Elbasanit”.

Që në hapje të forumit, Hushi shprehu mirënjohjen ndaj ekspertëve që pranuan ftesën, si dhe ndaj audiencës që ka shprehur interesin për të diskutuar rreth impakteve që do të sjellë rruga Tiranë-Elbasan.

Sipas tij, zhvillimi ekonomik dhe social i qytetit të Elbasanit, por edhe i rajonit në tërësi, varet mbi të gjitha nga ky investim madhor i qeverisë shqiptare.

“Jam i bindur se gjendemi përpara një mundësie, dhe jo një përfitimi të sigurt. Kjo sepse nëse nuk e shfrytëzojmë si duhet këtë shans, gjasat janë që Elbasani të mbetet në gjendjen aktuale, me problemet e zhvillimit të ulët, të papunësisë dhe të mungesës së dinamizmit që karakterizon jetën e qytetit tonë. Është e qartë se roli kryesor për ta përgatitur Elbasanin që të përfitojë nga kjo mundësi i takon Bashkisë së qytetit. Si kandidat për kreun e Bashkisë, gjykoj se duhet të dëgjojmë dhe dialogojmë me ekspertët, të cilët kanë bërë studime të thelluara për impaktet e rrugës Elbasan – Tiranë”, u shpreh Hushi.

Ai shpjegoi edhe arsyet e mbledhjes së këtij forumi duke thënë se programi i tij mbështetet tek roli vendimtar i rrugës së re për zhvillimin dhe mirëqenien e Elbasanit si dhe tek dëgjimi dhe promovimi i zërit qytetar në vendimmarrjen e Bashkisë.

Gjatë fjalës së tyre ekspertët u shprehën se, investimi në rrugë mund të sjellë një vlerë ekonomike 6 – 7 herë më të madhe se kostoja e investimit.

Më tej ata shtuan se, ky investim shtron nevojën që komuniteti i Elbasanit t’i përshtatet zhvillimeve.

Në panelin e ekspertëve morën pjesë Artan Hoxha, Ekspert në Teoritë dhe Modelet e Zhvillimit, Instituti i Studimeve Bashkëkohore – ISB, Artan Gjergji, Ekspert në Çeshtje Ekonomike dhe Financiare, Fondacioni për Liri Ekonomike – FLE, Dr. Gjin Biba, Ekspert në Tregje dhe Pasuri të Paluajtshme, Universiteti Marin Barleti, Prof. Dr. Mariglen Gjoni, Inxhinier Ndërtimi, Universiteti Politeknik i Tiranës, Ibrahim Hastopalli, Ekspert i Financave te Biznesit, Recura Financials.

a.y/NOA

KOMENTE