English

Tani mund të mbani të njëjtin numër celular duke zgjedhur kompaninë që dëshironi

Speciale NOA – Gjithçka duhet të dini për vendosjen e portabilitetit

Tiranë, 2 Maj 2011 NOA/ Speciale – Ervin Tirana – Është zhvilluar sot ceremonia zyrtare e fillimit të zbatimit të portabilitetit të numrit të telefonit celular.

Ceremonia u zhvillua me praninë e kryeministrit Sali Berisha dhe gjendeshin edhe Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit Genc Pollo, Kryetari i Bordit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP) Pirro Xhixho dhe të tjerë.

Portabiliteti i numrit personal të celularit, do të thotë që një klient i një operatori celular, nëse i pëlqen shërbimi i një operatori tjetër, mund të ndërrojë operatorin duke ruajtur numrin e tij.

Kryeministri e ka vlerësuar si një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme për telekomunikacionin në veçanti, por edhe për tërë zhvillimin e vendit arritjen e vendosjes së portabilitetit.

Berisha tha se kompanitë celulare kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e këtij vendi.

Sot, Shqipëria renditet rreth 20 % mbi mesataren Europiane për sa i përket telefonisë celulare, portabiliteti shihet nga qeveria të jetë në vetvete një moment i fuqishëm dhe rregullator i tregut.

Sipas Qeverisë, Kompanitë e telekomunikacionit u shndërruan në faktorët më kryesorë të një kapërcimi që Shqipëria bëri, nga nivelet më të ulëta të përdorimit të internetit që ajo kishte në fillim të vitit 2006 në 4.8% në rreth 50 %, që është këtë vit dhe me një rendje të pa përmbajtur mbi mesataren Europiane.

10 gjëra që duhet të dihen për të bartur numrin tuaj:

1. Informohu mbi të gjitha ofertat e ofruesve të shërbimit dhe zgjidh atë që është më e mira për ty.

2. Lexo me kujdes kontratën me ofruesin e shërbimit aktual, për të kërkuar nenet e përfundimit të kontratës ose për kushtet e ndërprerjeve në raste të veçanta.

3. Nëse përdorni një kartë të parapaguar, krediti i mbetur nuk mund të transferohet.

4. Plotësoni kërkesën standarde për bartjen e numrit, e cila është e vlefshme edhe tek një nga zyrat e pranimit të ofruesit të shërbimit.

5. Plotësoni me kujdes kërkesën për bartjen e numrit. Nëse ju nuk plotësoni të dhënat e kërkuara, sistemi do ta refuzojë atë.

6. Plotësoni kërkesën e bartjes së numrit në zyrën e ofruesit të shërbimit ku e keni marrë atë, ose telefononi Shërbimin e Klientit për të mësuar ku mund ta plotësoni kërkesën për bartjen e numrit (nëse ju e keni shkarkuar atë nga interneti).

7. Ju duhet të plotësoni kërkesën standarde për bartjen e numrit tek operatori marrës, bashkë me një kopje të kartës së identitetit dhe një kopje të faturës së fundit të lëshuar nga operatori dhënës. Nëse ju dërgoni një person tjetër, duhet ta pajisni me prokurë apo autorizim.

8. Caktoni me operatorin tuaj datën që ju dëshironi të bartni numrin – në kushte normale, 3 ditë pune nga data e plotësimit, por jo më shpejt se dita e tretë dhe jo më shumë se 90 ditë pune.

9. Operatori marrës do t’ju kontaktojë për të njoftuar rregullat dhe datën e saktë kur do të bartet numri dhe kur duhet të shkoni për të firmosur kontratën. Shërbimi do të ndërpritet për afërsisht 6 orë për të mundësuar operatorin të kryejë bartjen. Ndërkohë, ju nuk do të keni mundësi të merrni apo të bëni thirrje telefonike. Nëse ju dëshironi për të bartur një numër telefoni fiks, ju duhet të qëndroni në shtëpi për kohën e caktuar me operatorin. Nëse dëshironi të bartni një numër telefoni të lëvizshëm, ju duhet të shkoni tek një nga zyrat e operatorit marrës për të marrë një SIM kartë të re, me të njëjtën numër telefoni.

10. Mos dërgoni kërkesa për bartjen te shumë operatorë! Zgjidhni një operator marrës dhe plotësoni kërkesën vetëm tek operatori përkatës.

Kur mund të bart numrin tim?

Numri juaj mund të bartet kurdo që ju e kërkoni, duhet ju të vendosni për të hequr dorë nga shërbimi i një operatori të caktuar dhe të përdorni një rrjet të një operatori tjetër. Çdo numër telefoni mund të bartet, duke ruajtur llojin e rrjetit: një numër telefoni i lëvizshëm mund të bartet te një rrjet tjetër telefonie të lëvizshme dhe një numër telefoni i qëndrueshëm mund të bartet te një rrjet tjetër i qëndrueshëm.

Kujdes: Ndërrimi te një operator tjetër nuk përfundon detyrimet kontraktore të mëparshme.

Kontrata e përfunduar me operatorin aktual është pezulluar kur procesi i bartjes është kryer, por anulimi i kontratës nuk përfundon detyrimet kontraktore të cilat ekzistojnë para bartjes.

Transferimi tek një operator tjetër nuk ju shkarkon nga zbatimi i detyrimeve të kontratës së përfunduar me operatorin aktual. Ju duhet të paguani të gjitha detyrimet që keni nga kontrata e mëparshme. Nëse ka një detyrim para anulimit të kontratës, ju duhet të paguani penalitetet ose të prisni afatin e përfundimit të kontratës para bartjes së numrit dhe ndryshimit të ofruesit të shërbimit.

Sa kushton bartja e numrit?

Ligji parashikon vetëm tarifa të përballueshme, përsa i përket shërbimit të portabilitetit të numrit,

Operatori dhënës nuk do të faturojë shpenzimet e bartjes të numrit tuaj.

Operatori i zgjedhur, ose operatori marrës, mund të vendosë një tarifë të shpenzimeve të bartjes së numrit për ju, duke parashikuar që këto tarifa të jenë të përballueshme, tarife e cila mund te jete deri ne 600 leke.

Çdo operator ka zgjedhur një metodë të mbulimit të këtyre shpenzimeve. Për informacion të mëtejshëm mbi këto metoda mund të vizitoni adresën e internetit të operatorit të zgjedhur.

Çfarë duhet të bëj për bartjen e numrit?

Kur ju vendosni të ndryshoni operator dhe dëshironi të mbani numrin që keni të telefonit, ju duhet të dërgoni një kërkesë tek operatori që dëshironi. Mbas kësaj do të fillojë proçedura për bartjen e numrit.

Kategoritë e numrave të bartur:

- Numrat e telefonisë së lëvizshme – një pajtimtar i telefonisë së lëvizshme mund të mbajë numrin e tij/saj të telefonit kur ai/ajo dëshiron të ndryshojë operator, pavarësisht teknologjisë së përdorur për ofrimin e shërbimit (2G, 3G, etj.), metodës së pagesës (parapagesë apo paspagesë) apo llojit të shërbimit (zanor, faks, të dhëna).

- Numrat e telefonisë së qëndrueshme (të pa lëvizshme) - një pajtimtar i telefonisë së qëndrueshme mund të mbajë numrin e tij/saj të telefonit kur ai/ajo dëshiron të përfundojë një kontratë me një ofrues të caktuar dhe të nënshkruajë një kontratë me një ofrues tjetër të shërbimit telefonik të qëndrueshëm. Numrat e telefonisë së qëndrueshme mund të barten vetëm brenda një qarku ose vetëm brenda shtetit.

- Numrat e telefonisë së qëndrueshme NUK MUND të barten tek rrjetet e telefonisë së lëvizshme, apo e anasjellta.

Sa kohë më duhet për bartjen e numrit ?

Proçesi i bartjes nuk mund të zgjatë – në kushte normale, më shumë se 3 ditë pune.

Numri juaj do të bartet jo me shpejt se ditën e tretë të punës, duke i llogaritur nga dita e plotësimit dhe dorëzimit të kërkesës së bartjes së numrit. Ju do të caktoni datën e saktë me operatorin e zgjedhur. Gjatë ditëve të bartjes së numrit, shërbimi i telefonisë së lëvizshme nuk do të funksionojë për jo më shumë se 24 orë.

Tarifat për kërkesat për numrat e bartur

Duke ditur faktin që numri i telefonit nuk do të jetë më i lidhur me me një rrjet të caktuar, kompanitë telefonike kanë detyrimin që të sigurojnë informacion për përdoruesit mbi rrjetin e tyre ku një numër është aktivizuar dhe mbi tarifat e thirrjeve tek numrat përkatës.

Informacioni do të ofrohet pa pagesë, nga cilido operator, nëpërmjet:

- Shërbimit të Klientit

- Adresave të internetit

- Mjete të tjera informacioni (p.sh. nëpërmjet SMS)

Për më tepër, AKEP do të vendosë mbi operatorët që përdorin tarifa të ndryshme, bazuar në rrjetin e destinacionit thirrës, detyrimin për të dërguar të paktën në rastin e numrave të bartur, pa pagesë, beep, të veçantë, nëpërmjet të cilit përdoruesi është paralajmëruar në rrjetin ku thirrja është origjinuar. Nëse ju thërrisni një numër të bartur, para përfundimit të thirrjes, ju do të dëgjoni këtë tingull, apo këtë ton.

e.t/NOA

KOMENTE