English

Grabitet me armë në sy të klientëve supermarketi Euromax në Tiranë

Tiranë, 3 Maj 2011 NOA – Dy persona të armatosur kanë kryer grabitje me armë vetëm para pak minutash në një nga supermarketet Euromax që ndodhen në Tiranë, raporton nga vendngjarja një burim i agjencisë NOA.

Ngjarja ka ndodhur tek supermarketi Euromax i cili ndodhet në rrugën “Muhamet Gjollesha” pranë vendit të quajtur kryqëzimi i “Vasil Shantos”.

Dy persona të armatosur kanë hyrë në supermarket dhe në mes të klientëve kanë ushtruar terror duke u afruar tek arkëtarja dhe kërcënuar se do të hapnin zjarr nëse nuk do të realizonin grabitjen e planifikuar.

Dy autorët kanë marrë xhiron e ditës së supermarketit dhe më pas janë larguar prej andej për në drejtim të papritur.

Një numër forcash policore ka shkuar në vendin e ngjarjes. Policia po heton rrethanat e grabitjes. Nga të dhënat rezulton se çdo supermarket Euromax ka një roje sigurie dhe ambientete e brendshme dhe të jashtme survejohen nga kamera përgjimi.

Euromax, fillimisht pronë e një biznesmeni shqiptar, më tej e një kompanie serbe, Delta, prej pak muajsh është blerë nga një kompani belge.

e.t/NOA

KOMENTE