Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Ajo që pres më 8 maj
English

Ajo që pres më 8 maj

Zgjedhjet e 8 majit janë momente përgjegjësie për të gjitha institucionet e parashikuar me ligj në përgatitjen, mbarëvajtjen dhe administrimin e tyre. Bashkë me ju, të nderuar qytetarë, pres që dita e votimit të kalojë në atmosferë të qetë, që administrimi i votës të jetë korrekt dhe në kohë, që KQZ, komisionet e niveleve të dyta dhe grupet e numërimit të jenë zbatues të paanshëm të ligjit, që vëzhguesit vendorë e të huaj të ushtrojnë pa asnjë vështirësi funksionin e tyre

Nga Bamir Topi Të dielën me 8 maj në mbarë vendin qytetarët janë të ftuar të votojnë për organet e reja drejtuese të pushtetit vendor. Për herë të gjashtë në 20 vjet ju keni të gjithë pushtetin dhe hapësirën e nevojshme për të vendosur me votën tuaj për qeverisjen lokale të katër viteve të ardhshme. Në ditët, muajt dhe vitet që vijnë, ju me të drejtë do të kërkoni të keni cilësi më të lartë jetese; qytete dhe komuna më të zhvilluara, më shumë vende pune, shkolla e kopshte; më shumë rrugë të reja e infrastrukturë moderne; më shumë siguri ekonomike dhe sociale, më shumë transparencë në vendimmarrje dhe politikë qytetare. Arritja e tyre nuk është e lehtë: kërkohet punë e përkushtim, mirëqeverisje dhe mbajtje e premtimeve, burime financiare dhe njerëzore të mjaftueshme dhe pjesëmarrje aktive e vetë qytetarëve. Hapi i parë për jetësimin e tyre është verdikti juaj kushtetues përmes votës së fshehtë me 8 maj, zgjedhja juaj e lirë dhe jashtë çdo ndikimi pengues për kandidatët dhe partitë politike që ju besoni më shumë. Është zgjedhje për ju, për familjet tuaja, për komunitetin ku jetoni dhe për të ardhmen e Shqipërisë. 8 maji meriton të jetë një ditë normaliteti demokratik, një ditë kur qytetarët i gëzohen lirisë dhe e përdorin atë për të mandatuar institucionet e qeverisjes vendore. 8 maji meriton të jetë një ditë reflektimi e korrektimi për të gjitha gabimet e kaluara zgjedhore, një ditë që mbyll një kapitull tranzicioni dhe dëshmon se shoqëria shqiptare i ka pranuar dhe bërë të vetat vlerat e larta demokratike të familjes evropiane. Bashkë me ju kemi ndjekur shqetësimet që lidhen me retorikën e ashpër elektorale, problemet me debatet midis kandidatëve, mangësitë në programe apo incidente dhune, me ndikim direkt ose indirekt negativ në klimën zgjedhore. E di se ashtu si unë edhe ju do të kishit dashur që ato të ishin evituar, që fushata të ishte tërësisht e qetë, një garë vlerash demokratike, ku respektohet mendimi i tjetrit dhe alternativa e tij, ku interesi publik ngrihet mbi atë partiak dhe ku zgjedhjet shihen e pranohen si normalitet demokratik. E di gjithashtu se administrimi zgjedhor në Shqipëri është atribut ligjor direkt i partive politike dhe se vullneti i partive është faktor përcaktues në cilësinë e zgjedhjeve. Gjithsesi as detajet teknike dhe as natyra partizane e procesit, nuk mund të zëvendësojnë peshën dhe rolin përcaktues që ka vota qytetare më 8 maj. Ju dhe vetëm ju keni në dorë forcën morale e ligjore për ta shndërruar 8 majin në ditë suksesi për demokracinë në Shqipëri! Ato janë zgjedhjet tuaja, bëhen për ju, kërkojnë fjalën tuaj dhe meritojnë respektin tuaj maksimal! Ftesa dhe dëshira ime është që ju, vëllezër e motra, të merrni pjesë masivisht në zgjedhje; që asnjë pasiguri momenti apo ndjenjë zhgënjimi, të mos u pengojë për t’i kushtuar vetes, familjes dhe vendit vetëm disa minuta votimi; që në asnjë rast të mos lejoni që të tjerët të vendosin për ju, por ju vetë të jeni aty të qetë e të sigurtë se po votoni të lirë, se vota e juaj do respektohet, se zëri juaj do të dëgjohet dhe se me votën tuaj e ardhmja do të jetë më e mirë për të gjithë. 8 maji nuk do të hyjë në kujtesën tonë politike për nga cilësia e programeve politike apo emrat e fituesve, por për nga vlerësimi që lidhet me standardet dhe produktin e tyre demokratik. Kur vendi është në provë, të gjithë ne, zyrtarët drejtues, institucionet dhe aktorët politikë e publikë jemi në provë. Shqipëria meriton një qeverisje lokale efektive, proces zgjedhor të standardeve demokratike, demokraci funksionale dhe politika afatgjata zhvillimi dhe integrimi. Ky është rasti që të demonstrohet ky vullnet politik. Kjo është sprova më e madhe për partitë politike dhe udhëheqësit e tyre politikë. Dita e zgjedhjeve është ditë e qytetarëve dhe jo e militantëve partiakë, ndaj pres e inkurajoj partitë politike ta përdorin natyrën bipartiake të procesit administrues në dobi të interesave qytetare e publike, siç edhe inkurajoj median të informojë dhe ndikojë pozitivisht në transparencën e procesit. Zgjedhjet e 8 majit janë momente përgjegjësie për të gjitha institucionet e parashikuar me ligj në përgatitjen, mbarëvajtjen dhe administrimin e tyre. Bashkë me ju, të nderuar qytetarë, pres që dita e votimit të kalojë në atmosferë të qetë, që administrimi i votës të jetë korrekt dhe në kohë, që KQZ, komisionet e niveleve të dyta dhe grupet e numërimit të jenë zbatues të paanshëm të ligjit, që vëzhguesit vendorë e të huaj të ushtrojnë pa asnjë vështirësi funksionin e tyre. Gjithashtu pres dhe kërkoj nga institucionet e rendit dhe sigurisë, prokuroria, gjykatat dhe Kolegji Zgjedhor, - të jenë aktivë dhe tërësisht profesionalë në përmbushjen e misionit të tyre ligjor. Të gjithë dëshirojmë të shikojmë tek këto institucione, - vullnet të palëkundur me integritet profesional dhe etik në zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjit. Ju jeni garancia kushtetuese se vota është e shenjtë, ajo duhet respektuar, duhet ushtruar, duhet garantuar, duhet numëruar dhe në fund të procesit, verdikti i dhënë me votë të lirë, duhet pranuar nga të gjitha palët konkurruese. Në veçanti detyra e Kolegjit Zgjedhor është të dëshmojë përgjegjshmëri maksimale, paanshmëri, korrektesë dhe shpejtësi për vlerësimin e çdo situate ligjore që do i paraqitet, duke ruajtur të pastra interesat e dhënies së drejtësisë, të painfluencuara nga përpjekjet e politikës apo interesa të tjera. Vetëm kështu ju i bëni një shërbim shumë të madh besimit tek drejtësia, shtetit të së drejtës dhe demokracisë shqiptare. Të dashur qytetarë, Edhe njëherë ju ftoj të merrni pjesë në zgjedhje, të jeni aty për t’i dhënë jetë e forcë demokracisë funksionale, - dhe kështu të ndihmoni që me zgjedhjen tuaj të lirë të shkurtojmë rrugën evropiane të Shqipërisë. Kjo është sfida jonë, është interesi ynë i përbashkët.

* Mesazh i Presidentit për ditën e zgjedhjeve vendore

KOMENTE