English

Berisha-vëzhguesve të KiE: Zgjedhjet sipas standardeve të kërkuara

Tiranë, 6 maj 2011, NOA- Kreu i qeverisë Sali Berisha gjatë pasdites së sotme priti në një takim, delegacionin e vëzhguesve zgjedhorë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës.

Gjatë takimit Kryeministri Berisha i garantoi vëzhguesit për mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare në përmbushjen me sukses të misionit të tyre të rëndësishëm.

Më tej ai i siguroi anëtarët e delegacionit për angazhimin e plotë të qeverisë dhe maxhorancës qeverisëse, për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe transparente, bazuar në të gjitha standardet e kërkuara.

Sipas tij, fushata e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, ndryshe nga ajo e opozitës, e cila bazohet në retorikën politike me karakter jo pozitiv, vendosi në fokus interesat e qytetarit dhe të komunitetit.

Sakaq ai theksoi se këto janë zgjedhje lokale të përqendruara tek qytetarët dhe jo zgjedhje të përgjithshme ashtu siç i konsideron lideri i opozitës.

Duke theksuar se qeveria do të vërë në dispozicion të gjitha kapacitet, Kryeministri nënvizoi rëndësinë e transparencës që sigurojnë vëzhguesit, ndërkohë që shprehu mbështetjen e plotë për sistemin e numërimit të votave, si një sistem që pavarësisht kohës që merr në dispozicion siguron një numërim transparent dhe siguri të lartë. Kryeministri u shpreh ndër të tjera që kuadri ligjor siguron trajtimin e drejte dhe te plote te ankimimit të garuesve në këto zgjedhje.

Kreu i qeverisë i siguroi vëzhguesit se maxhoranca e sheh rëndësinë e zgjedhjeve të 8 majit, të lidhur ngushtësisht me integrimin evropian të vendit, gjë e cila do të mbetet prioritet kryesor edhe në të ardhmen.

Nga ana e tyre, vëzhguesit zgjedhorë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, falënderuan kryeministrin Berisha për bashkëpunimin dhe shprehën besimin se 8 maji, dita e zgjedhjeve do të jetë një ditë e qetë dhe se zgjedhjet vendore do të zhvillohen në përputhje me të gjitha standardet.

Vëzhguesit i shprehën shefit të maxhorancës mbështetjen e tyre për forcimin e demokracisë dhe për transparencën e zgjedhjeve.

a.y/NOA

KOMENTE