English

Policia e Tiranës publikon planin e masave për zgjedhje

Tiranë, 6 maj, NOA - Drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, Saimir Muçaj ka publikuar sot planin e masave për garantimin e procesit zgjedhor të tetë majit. Në një konferencë për mediat, Muaçaj u shpreh se në kryeqytet është bërë i mundur sigurimi i gjithë takimeve elektorale, dirsa ka shtuar se janë regjistruar rreth 11 incidente. “Duhet evidentuar faktin se, gjatë periudhës të cilës i referohemi Policia e Tiranës ka marrë dijeni dhe ka evidentuar 11 incidente të cilat kanë ndodhur gjatë fushatës elektorale, të cilat kanë konsistuar kryesisht në dëmtime apo grisje të posterave, shkatërrim të pronës, fyerje, kanosje etj. Në të gjitha rastet, ashtu siç ju kemi njoftuar periodikisht, veprimet hetimore e proçeduriale janë kryer nga strukturat e Hetimit dhe Parandalimit të Krimeve, nën drejtimin e Prokurorëve të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë”, tha Muçaj.

Ai u shpreh se janë kryer trajnimet nga 1724 punonjësve të policisë, për kryerjen e detyrave gjatë proçesit zgjedhor.

“Në zbatim të Urdhërit, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë janë vënë në dispozicion të DPQ-ve të tjera, 497 punonjës policie të rolit zbatues dhe 10 punonjës policie të nivelit të parë drejtues, që do të angazhohen me detyra zgjedhore, nga të cilët: Në Qarkun e Elbasanit 280 punonjës policie, në Qarkun e Fierit 115 punonjës policie, në Qarkun e Berat 112 punonjës policie”, tha Muçaj.

Ai u shpreh se angazhimi i forcave të rendit synon krijimin e të gjithë infrastrukturës dokumentare si, nxjerrja e Urdhërit për ngritjen dhe funksionimin e Grupit të Koordinimit dhe drejtimit të shërbimeve të policisë në Drejtori dhe në Komisaraiatet e Policisë, si dhe Urdhërit për ngritjen e Grupit të punës, për monitorimin e Mediave për situatën para, gjatë dhe pas zgjedhore. “Në këtë kontekst, u janë dërguar Komisariateve të Policisë, aktet ligjore e nënligjore dhe materialet e tjera me karakter organizativ, që ngarkojnë policinë me detyra specifike gjatë zhvillimit të zgjedhjeve”, tha Muçaj.

Ai u shpreh se procesi i zgjedhjeve do të ruhet nga 1069 punonjës. “Në zbatim të përgjegjësive ligjore, është dërguar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit lista përfundimtare me 1069 punonjës policisë, që do të angazhohen me detyra për ruajtjen dhe sigurimin e 878 Qendrave të Votimit, 16 KZAZ / VNV, si dhe shoqërimin e Komisioneve e materialeve zgjedhore nga Qendrat e Votimit për në Vendin e Numërimit të Votave”, tha Muçaj.

Ai shtoi se çdo punonjës policie që do të angazhohen me detyra gjatë ditës së votimit deri në përfundim të proçesit zgjedhor, do të jetë i veshur me uniformë policie dhe gjatë instruktazhit do të pajiset me këto dokumente; “Librin e xhepit me detyrat e punonjësit të policisë në proçesin zgjedhor. Dokumentin identifikimit sipas formatit të miratuar nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve. Kopje model të Vendimit të Komisionit të Qendrës së Votimit për kërkimin e ndihmës nga Policia e Shtetit për rivendosjen e rendit në Qendrën e Votimit. Kopje model të Vendimit të Komisionit të Qendrës së Votimit për largimin nga Qendra e Votimit të forcave të Policisë së Shtetit. Kopje të Vendimit të Komisionit të Zonës së Administrimit Zgjedhor (KZAZ), për kërkimin e ndihmës nga Policia e Shtetit për rivendosjen e rendit në Vendin e Numërimit të Votave (VNV). Kopje model të Vendimit të KZAZ për largimin nga VNV të forcave të Policisë së Shtetit. Kopje model të Proçesverbalit për dorëzimin në KZAZ nga KQV të materialeve zgjedhore për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 8 Maj 2011. Numrin e telefonit të eprorit të drejtpërdrejtë dhe të sallës së drejtimit dhe koordinimit”, tha Muçaj.

a.k/NOA

KOMENTE