English

Tirana vishte blu e rozë, qytetarët presin “fjalën e fundit” të liderëve dhe kandidatëve

Tiranë, 6 maj 2011, NOA- Vetëm pak minuta ndajnë nga përmbyllja përfundimtare që kryetarët e dy partive kryesore të politikës shqiptare do i bëjnë fushatës së zgjedhjeve vendore të së dielës më 8 maj.

E pikërisht për të marrë pjesë në këto takime, rrugët e kryeqytetit janë mbushur me militantë dhe simpatizantë të tyre.

Takimi i parë i cili pritet të nisë rreth orës 19.00, ai i Partisë Socialiste dhe koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, ka mbushur gjithë zonën nga Zogu i Zi e deri te Pallati i Sportit “Asllan Rusi” me qytetar, të cilët të ndarë në grupe, me flamuj e me eufori, janë derdhur për të dëgjuar edhe një herë, për të fundit herë premtimet e kandidatëve dhe ato të kryesocialistit Edi Rama, i cili edhe në këto zgjedhje krahas kandidatëve të partisë së tij, do kërkojë votat për veten për të katërtën herë për kryebashkiak të Tiranës.

Ndërkaq vetëm me gjysëm ore distancë pritet të mbahet takimi i Partisë Demokratike në sheshin “Nënë Tereza” ku shefi i bluve, njëherësh Kryeministër i Shqipërisë Sali Berisha, së bashku me krahun e tij të djathtë, kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, do të përmbyllin fushatën e koalicionit “Aleanca për qytetarin”.

E pikërisht për këtë takim të gjitha rrugët që përmblidhen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dalëngadalë janë veshur blu, e boritë e makinave bien pambarim, për të ndjellë dhe dëshiruar fitoren e partisë së tyre të zemrës.

Sakaq vetëm pak më vonë, qytetarët shqiptarë do të dëgjojnë për të fundit herë publikisht premtimet dhe “fjalën e fundit” të liderëve dhe kandidatëve për zgjedhjet e 8 majit, e pas kësaj heshtja do mbizotërojë gjithë Shqipërinë, heshtja zgjedhore e cila pritet të prishet vetëm ditën e diel, më 8 maj, ditë në të cilët qytetarët nuk do të heshtin më, por do të flasin me votën e tyre.

a.y/NOA

KOMENTE