English

Korrupsion dëshpërues?

KIPRED: Niveli i korrupsionit në Kosovë, dëshpërues. Pse etiketohet Drejtori i hetimit të krimeve, z. Agron Nezaj?!

Gani Qarri

KIPRED, quhet-Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave në vend, i cili këto ditë edhe njëherë më tepër, tërhoqi vërejtjen se në Kosovë ka shkallë të lartë të korrupsionit dhe pasurimit të zyrtarëve në mënyrë të paligjshme.

Legjislacioni kosovar edhe pse do duhej ndëshkuar korrupsionin dhe pasurimin e paligjshëm, pas të dhënave dëshpëruese të gjetura edhe nga KIPRED-i dhe Agjencia Kundër korrupsionit, të cilat vërtetojnë shpërputhjet e mëdha rreth prejardhjes së pasurisë dhe të hyrave financiare të funksionarëve në vend, konfiskimi i pasurisë së paligjshme, nuk e bëhet, ngase sipas KIPRED-it, këtë e pengon mungesa e vullnetit të qeveritarëve tanë dhe ndikimet politike në sistemin gjyqësor”.

Kjo u pa edhe një herë të premten e 6 majit, gjatë fjalimeve në foltoren e Parlamentit të vendit, ku Fatmir Limaj me të drejt deklaronte se nuk mjafton vetëm thënia e famshme ‘askush mbi ligjin’ derisa shumëkush qëndron mbi te dhe e përdorë sipas interesave politike”në vend se të përkrahet e ndihmohet gjyqësia që të bëjë punën e saj ashtu siç duhet, ku lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duhej të kishte prioritet me objektiv kryesor kapjen dhe sjelljen parapa grilave të kriminelëve dhe të korruptuarve duke konfiskuar edhe pasuritë e tyre të fituara në mënyrë të paligjshme.

Por a është i mundur një veprim i tillë nga policia e Kosovës dhe gjykatat kompetente të vendit pa prekë interesat personale dhe ekonomike të shumë politikanëve e zyrtarëve të lartë në Kosovë, të cilët sipas shtypit ditor në Kosovë, ky veprim ndoshta ata, mund ti kthej në objekt hetimi, ndjekje dhe ndëshkimi për krim të organizuar dhe korrupsion?!…

Jo, sipas KIPRED-it, ngase krimi i organizuar në Kosovë, ka krijuar një terren gjithëpërfshirës, krim ky i cili nga shkaku i përsosmërisë dhe perfeksionit në teorinë kriminalistike quhet edhe kriminalitet i "jakave të bardha"nga i cili individë dhe grupe të caktuara "brenda nate" kanë krijuar pasuri marramendëse në mënyrë të paligjshme.

Megjithatë, Policia e Kosovës, bën disa përpjekje në kuadër të veprimeve të sajë, e cila këto ditë edhe ka ngritur dy kallëzime penale kundër disa zyrtarëve të Komunës së Prishtinës për korrupsion dhe keqpërdorime të mundshme, por kryetari i Prishtinës zoti Isa Mustafa, veprimet e hetuesve policor të Kosovës i krahasoi me UDB-në serbe, për çka të premten edhe Policia e Kosovës reagoi ndaj deklaratave të kryetarit të Prishtinës, se Krahasimi i hetuesve të Kosovës me UDB-në e Serbisë, është fyes dhe dëmton rëndë imazhin e Policisë.

Dihet se krim të organizuar nuk ka vetëm në Kosovë por vendet tjera, si Shqipëria, Kroacia dhe Serbia, kanë ligjet e tyre antikorrupsion apo edhe të ashtuquajturën "paketën e ligjeve antimafia" derisa, Kosova dhe Bosnja janë të vetmet shtete në rajon që nuk kanë ligj për administrimin e pasurive të përvetësuara në mënyrë të paligjshme.

Sipas KIPRED-it, në mungesë të këtyre ligjeve, shumë veprimtari ekonomike dhe persona juridikë në Kosovë operojnë në mënyrë legale, edhe atëherë kur dyshohet të ketë pista të mjaftueshme për t’i hetuar, ndaj, paketa e ligjeve antimafia në Kosovë duhet të miratohet sa më parë dhe të rregullojë me saktësi mënyrën e fitimit të pasurisë, sepse veprat e kundërligjshme kanë rrjet të organizuar dhe të sofistikuar mirë.

Mjerisht në rastin e Kosovës, nuk ësht vetëm mungesa e ligjit pengesë për veprim atikrim, sepse edhe përkundër thirrjeve të pareshtura, të zëshme dhe të çdo ditshme nga të gjitha anët, për luftimin e Krimit dhe Korrupsionit, për çudi menjëherë, pas ngritjes së kallëzimit penal, siç ishte rasti edhe me disa zyrtarë të komunës së Prishtinës, përveç akuzave të zotit Mustafa se hetimet janë politike dhe kryhen vetëm pse ata i takuakan një Komune të udhëhequr nga LDK, edhe familjarët e të arrestuarve nuk u kursyen në akuza, me arsyetimin se Drejtori i policisë për hetime kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit, Agron Nezaj, paska lidhje familjare me Fatmir Xhelilin.

Se sa është e arsyeshme kjo "mbrojtje", unë s'mund ta vlerësoj, para se të vendos gjykata për rastin, por këtu ka edhe diçka që unë as nuk mund ta kuptoj. . . . se pse u dashka përjashtuar hulumtimet ndaj zyrtarve të Komunës së Prishtinës, me dyshim të supozuar, të cilët rastësisht paskan qëlluar apo edhe qenkan pjesëtarë të mundshëm të LDK -s, ?! A mundë të jetë njeriu automatikisht i liruar nga çdo dyshim i supozuar apo i mundshëm, vetëm e vetëm pse dikush qenka anëtar i një apo partie tjetër?!

Ne tanimë për të saten herë e kemi parë dhe përjetuar se në Kosovë kudo shkon për të kryer një punë, të gjithë pa dallim partie- ryshfetin dhe korrupsionin, jo vetëm se e kanë shumë në QEF por së fundi është krijuar bindja se e kanë edhe në Gjak, bile edhe në Gjenin e tyre "njerëzor"nëse njerëzve të tillë u ka mbetur sadopak njerëzi, kur dihet se as që mund të kryesh punë pa ryshfet dhe korrupsion, qoftë edhe për rastet më të vogla siç është nxjerrja e dokumenteve personale, se lëre më kur bëhet fjalë për ndërmarrje e tenderë ku luajnë qindra mijëra apo edhe miliona euro, të cilat secili nga ta që në rastin e parë, po iu dha mundësia, nuk do të zgjidhte mënyrën, por do ti merrte me shumë dëshirë.

Dihet botërisht se krimi dhe korrupsioni duhet hetuar sepse autorët e tyre nuk mund të përcaktohen nga vulat partiake, ngase si krimi ashtu edhe korrupsioni nuk kanë Komb as Parti, dhe kryes i tyre, apo i dyshuar për vepër krimi apo korrupsioni, mund të jetë secili, madje nuk duhet harruar, përkundrazi duhet pasur gjithmonë parasysh, se Shqiptari, për dallim nga të tjerët, KORITET- edhe për pak, gjë që e bën edhe më të nevojshëm hetimin.

Ndaj, ne duhet të mësohemi një herë e përgjithmonë, se Kosova nuk e ka luksin, nuk mundet dhe as nuk duhet lejuar, që për hulumtimin e çfarëdo kundërvajtje, keqpërdorimet e mundshme të mjegullohen, me arsyetime banale, se ato çdo herë qenkan të pa drejta duke parë me dhe pa të drejtë si nxitës dhe fajtor për hetimet ndaj kujtdo çoftë, gjithmonë SHIK-un.

Mos nxitoni, lëreni të vendosë Gjykata. . . mos ta pengojmë drejtësinë edhe ashtu të ngathët, por të kërkojmë nga ajo që të ngritet nga kllapia që për kohë të gjatë e ka kapluar dhe të jetë më aktive, të veprojë dhe gjejë vërtetësinë e fakteve, ngase kjo punë i takon asaj.

Agron Nezaj nuk është i tillë çfarë dëshiron dikush ta etiketoj, ai me aq sa di unë jo vetëm se ishte pjesë e luftës së lavdishme të Koshares, por ka edhe vëllain të vrarë nga ushtria serbe(për çka i personalisht i kërkoi ndjesë që me këtë rast pa dëshirën time, ia lëndoj-plagët e së shkuarës jo të largët), ndaj është jo vetëm turp por edhe papërgjegjësi e madhe, që hetimet e fundit të krahasohen me UDB-n qoftë edhe nga Isa Mustafa, i cili nuk ka pësuar asnjë "gërvishtje" për pavarësinë e Kosovës, nëse nuk ka qenë i përzier në ndonjë luftë karrigesh për ndarje pazaresh të mundshme, fizionomia e të cilit më së paku përkon me pjesëtar të kombit tonë.

Agroni që nga paslufta është i angazhuar në policinë e Kosovës si Polic i shkolluar dhe jo si kuadër i SHIK-ut, dhe arritjet e tij janë meritë e dëshmuar e një pune të paanshme, aktive dhe me përkushtim e cila ka sjellë edhe rezultate të dalluara, ndaj si kuadër i përgatitur dhe i aftë që është, ka arritur në pozitën e merituar dhe me të drejtë sot është Drejtor i stafit për hulumtimin e krimeve ekonomike në Policin e Kosovës, i cili në bazë të ligjit, nëse gjenden parregullsi dhe lindin dyshime për veprimet e kryetarit të Prishtinës, Drejtori i hetimeve ka të drejtë ta hetoj edhe vetë Isa Mustafën.

Ndaj është e padrejtë nëse nga dikush pretendohet se në momentin kur hetohen keqpërdoruesit e supozuar në Komunën e Prishtinës, qofshin ata edhe anëtar të mundshëm të LDK-s! automatikisht edhe Drejtori i hetimeve të krimit dhe korrupsionit në Policinë e Kosovës, u dashka ndërruar. Policia e Kosovës është një për të gjithë dhe nga të gjithë si e tillë edhe duhet pranuar ngase ajo nuk mund të ketë për secilën Parti Politike, shoqatë apo klub, nga një Drejtor të veçantë në REZERVË, për hetime sipas përkatësive partiake a klanore, nga secili Klub, OJQ, apo Parti politike, nëpër komunat e Kosovës, apo edhe në Kryeqytetin e vendit në Prishtinë, ngase po u veprua ashtu, ato as nuk mund të quheshin më hetime të paanshme.

Ne për fat të mirë nuk jetojmë më në kohën e komunizmit, ndaj as nuk duhet nga askush, e as nga Isa Mustafa të nxitet kurrfarë lufte klasash në mes nesh. . . kur dihet se krimi dhe korrupsioni nuk kanë komb as parti, ato mund ti kryej edhe ndokush, që mund ti takojë edhe një grupacioni politik, klub apo OJQ-je, të cilat sot gjinden me shumicë të madhe, kudo në Kosovë!

Agron Nezaj nuk është i tillë, çfarë donë dikush ta paraqes, vetëm pse ai hulumton faktet sipas kërkesës, ligjit dhe detyrës që e ka për obligim ta kryej, madje për faktet, ai as nuk mund të akuzohet, ngase nuk vendos Agroni për to, por Gjyqi dhe prokuroria. Ndaj është e padrejtë që dikush që sheh vetëm nga prizmat politike ta shohë fajtor Drejtorin e hetimit të krimeve dhe korrupsionit, për të cilat vendos Drejtësia!

Dhe, nëse ne duam që të mos ketë krim të organizuar, atëherë ne edhe duhet të pranojmë që atë dikush ta hulumtoj, ta gjejë dhe paraqes, dhe të dyshuarit ti kap dhe dorëzoj te organet përkatëse, duke e ditur ngjithmonë se pa marrë parasysh nga kush mundë të jetë kryer krimi i supozuar, për vërtetësinë e tij, vendosin Gjykatat, dhe jo SHIKU- Policia, apo Drejtori i hulumtimit të krimeve - detyrë e të cilit është hulumtimi dhe grumbullimi i fakteve por jo dënimi në emër të askujt dhe as për hatër të SHIK-ut.

Edhe ashtu, gjendja në Kosovë si edhe vet jeta atje, është kthyer në një tragji-komedi, të panjohur deri më tani, për të gjithë, edhe për ne që kemi përjetuar regjime pushtetesh të gjithfarshme. Ajo paraqitet aq e komplikuar sa që vërtet është ber e vështir të dihet nëse ne si popull, jemi bërë për tu qeshur apo për tu qarë i cili as sot nuk mund ta dijë se çka në të vërtetë dëshiron duke mos arritur ta kuptojë as vetveten.

Por një gjë dihet se edhe pas hulumtimeve, nëse s`mjaftojnë gjetjet dhe nuk vërtetohen provat për të cilat të dyshuarit akuzohen, Gjykata mund ti lirojë dhe sipas ligjit edhe duhet ti zhdëmtoj, nëse ata mbahen pa të drejtë në paraburgim. Ndaj nëse vërtet duam luftimin e krimit dhe korrupsionit, ashtu siç deklarohemi shpesh parimisht me shumë bujë e piskamë, lëreni ti japim shans gjyqësisë sonë të ngathët, që edhe ajo diçka të punojë, dhe ta gjejë të vërtetën, para se ne të paragjykojmë, pasi që para së gjithash edhe rasti në fjalë është obligim ligjor që i dedikohet drejtësisë sonë për sqarim.

* Zyrih, 7 Maj 2011, pikëpamjet janë qëndrim personal i autorit

KOMENTE