English

Rama: Populli foli mes presioneve, standardet vetëm në ekran

Tiranë, 8 maj 2011, NOA- Në një dalje të pak minutave më parë kryesocilaisti Edi Rama u shprehu mirënjohjen qytetarëve që votuan për Partinë Socialiste dhe koalicionin “Aleanca për të ardhmen” duke theksuar më tej se shërbimi do të jetë po njëlloj madje më tepër edhe për ata që nuk e votuan atë.

Rama shprehu bindjen se fitorja e Partisë Socialiste është e qartë, duke shprehur bindjen edhe për fitoren në mbarë Shqipërinë.

Ai u bëri apel të gjithë njerëzve të angazhuar në këtë proces zgjedhor, se puna e bërë deri tani është kryer nën një presion të shëmtuar, duhet të vazhdojë, me vëmendje, durim e përkushtim.

Më tej ai u shpreh se, “Beteja vazhdon, por populli ka folur dhe ka folur qartë, ne duhet të nxjerrim nga kutitë shprehjen e vullnetit të popullit sovran pa lejuar që ajo të shëmtohet apo deformohet. Pas mbylljes së fazës së parë dhe tranzicionit të fazës së dytë, të kryhet detyra duke zbatuar ligjin dhe të mos lejohet deformimi i procesit. Këto ishin zgjedhjet më të mira për ekranin, por ishin edhe zgjedhjet më të shëmtuara në realitetin e njerëzve të zakonshëm. Presione, kërcënime, mbi shqiptarët e shqiptaret që nuk ia kishin borxh as Saliut e as Ilirit gjithë atë përshkim të rrugës së drejtë të zgjedhjeve me gjithë ato cilësi”.

Sakaq ai shtoi se, vlerësimi përfundimtar do të jepet kur të vuloset rezultati, por tha ai janë dhënë shembujt dhe provat spektakolare të një mospërputhjeje me standardet ndërkombëtare.

“Votimi i të burgosurve nëpër kryeqytet tregon se jo vetëm ishte një turp për procesin zgjedhor, por tregon se qeveritarët ishin të vetëdijshëm për humbjen, por dëshmuan edhe standardet e tyre. Dëshiroj të rinënvizoj se të gjitha këto nuk e rrezikojnë, por e bëjnë më të çmuar fitoren tonë. Ne jemi në këmbë 24 orë për të mbrojtur çdo votë, për çdo kandidat dhe për çdo subjekt politik. Në këtë aspekt dua të saktësoj se është një thirrje për të gjithë administratorët e procesit se edhe partia më e vogël duhet të garantohet nga përfaqësuesit tanë nga të gjitha komisionet e numërimit në mënyrë që në fund të kemi një vullnet të plotë të popullit sovran”, u shpreh lideri i së majtës

Në përfundim Rama nuk nguroi që të ironizojë edhe sondazhin e kopanisë “Gani Bobi”.

a.y/NOA

KOMENTE