English

Basha: Të gjithë janë fitues, të dhënat janë premtuese, por do pres rezultatin

Tiranë, 9 maj 2011, NOA- Kandidati për kryebashkiak i maxhorancës për kryeqytetin Lulzim Basha, i cili falënderoi gjithë votuesit e ditës së sotme, madje shtoi se zgjodhi të dalë në mesnatë, pasi siç tha ai edhe qytetari i fundit sapo ka hedhur votën e tij.

Ai i falënderoi gjithashtu votuesit edhe për atmosferën e qetë dhe qytetarinë që treguan në këto zgjedhje.

“Pjesëmarrja e sotme shënoi një rekord elektoral për Tiranën, procesi ishte më se i ndershëm. Pjesëmarrja kërkon që të gjitha palët të njohin dhe të respektojnë rezultatin e tyre, pasi në këto zgjedhje të gjithë janë fitues. Të dhënat, sondazhet dhe Exit Pollet janë premtuese, por unë pres të numërohet vota e qytetarëve të Tiranës”, deklaroi pretendenti për kryebashkiak të Tiranës.

Sipas tij edhe pse të dhënat objektive janë premtuese, Basha tha se do të pres rezultatin zyrtar të këtyre votimeve.

Basha e cilësoi 8 majin si një ditë të suksesshme, si dhe garantoi se gjithë koalicioni i djathtë do garantojë edhe ecuria e mëtejshme e procesit të jetë sipas standardeve dhe Kodit Zgjedhor.

Më tej ai shprehu besimin te komisionerët që po merren me numërimin e votave, duke thënë se nuk mund të flasë për rezultate pasi siç tha ai, është palë e këtij procesi.

a.y/NOA

KOMENTE