English

Topalli: Zgjedhjet më interesante, s’dimë realisht fituesin

Tiranë, 13 maj 2011, NOA – Kur procesi i numërimit të votave për kryetarin e bashkisë së Tiranës vazhdon ethshëm vetëm në njësinë bashkiake nr. 5, ku do të shpallet edhe fituesi i kësaj gare, tashmë e mbërritur tej kufijve ligjorë, kryeparlamentarja Jozefina Topalli e cilësoi atë si procesin më të ndershëm dhe më korrekt zgjedhor.

Këtë deklaratë Kryetarja e Kuvendit e bëri në konferencën e përbashkët me kryetaren e delegacionit të Komisionit për Çështjet e Europës të Parlamentit të Hollandës.

“Unë kam një admirim të jashtëzakonshëm për ata komisionerë, për mua ata janë vërtet heronjtë e ditës, të gjithë shqiptarët i kanë sytë te ata. Komisionerët po bëjnë një numërim shumë të ndershëm”, theksoi Topalli.

Ajo vlerësoi se zgjedhjet vendore të 8 majit kanë qenë zgjedhjet më të ndershme dhe më korrekte që janë bërë ndonjëherë në Shqipëri.

Sipas saj këto janë edhe zgjedhjet më interesante, pasi deri në momentin e fundit, asnjeri nuk e di realisht, cili është fituesi.

“Unë kam të dhënat e mia. Nga trendi që shoh, unë jam shumë optimiste për kurorëzimin me sukses të këtij procesi. Edhe si standarde janë absolutisht zgjedhjet më korrekte dhe më të ndershme. Komuniteti ndërkombëtar ka dhënë një suport shumë të veçantë shumë të vlerësueshëm”, nënvizoi kryeparlamentarja Topalli.

Ajo shprehu mirënjohjen më të thellë për ambasadorin amerikan, të OSBE-së dhe të BE-së, por edhe të gjithë komunitetit ndërkombëtar për angazhimin në këtë proces të rëndësishëm.

mit/NOA

KOMENTE