English

Ambasada e SHBA: Rama dhe Basha të presin vendimin e KQZ

“Pozicioni ynë është bashkërenduar në konsultim të ngushtë me Kreun e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë dhe Kreun e Prezencës së OSBE-së në Tiranë”

Tiranë, 14 maj 2011 NOA – “Teksa të dyja palët pretendojnë fitoren, është posaçërisht e rëndësishme të pritet që rezultatet të certifikohen në përputhje me Kodin Zgjedhor”.

Ky është mesazhi që sapo ka dhënë publikisht ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.

Duke shprehur “urime për kapërcimin e vijës së binishit”, ambasada amerikane vlerëson se “ka qenë një fitore për demokracinë shqiptare dhe popullin shqiptar”.

Kurse vlerëson që “teksa të dyja palët pretendojnë fitoren, është posaçërisht e rëndësishme të pritet që rezultatet të certifikohen në përputhje me Kodin Zgjedhor”.

Ambasada amerikane thekson dhe faktin se “pozicioni ynë është bashkërenduar në konsultim të ngushtë me Kreun e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë dhe Kreun e Prezencës së OSBE-së në Tiranë”.

Edi Rama shpall fitoren: Dhe ata që s’më votuan nuk kanë humbur

Kryetari aktual i bashkisë së Tiranës shpalli fitoren e tij në mandatin e katërt duke thënë se ka fituar me dhjetë vota diferencë përballë rivalit demokrat Lulzim Basha.

Në një dalje për media, i rrethuar nga ovacione të të pranishmëve, z.Rama tha se kishte fituar në kushte të pabarabarta dhe akuzoi mazhorancën se kishte bërë manipulime në zgjedhjet e 8 majit dhe procesin zgjedhor në tërësi.

Kryesocialisti Edi Rama ka shprehur një sërë falënderimesh duke nisur nga familja e tij, shqiptarët që e votuan si dhe diplomatët e huaj të atashuar në Shqipëri.

Berisha i pret gëzimin fituesit: Rezultati duhet rishqyrtuar deri në detaj

“Në çdo vend të botës, një proces i ndarë në vota që shkojnë me shifra të tilla që nuk i kalojnë gishtat e njërës dorë apo e të dy duarve, ka një legjitimitet të atillë për t’u rishqyrtuar nga qeliza në qelizë”.

Këtë paralajmërim e bëri sot kryeministri Sali Berisha duke pohuar kështu heshturazi se nuk kishte shpresa që Basha të ketë fituar bashkinë e Tiranës por njëkohësisht duke paralajmëruar se nëse Rama shpallet fitues nuk do ta ketë të lehtë që ta gëzojë mandatin e katërt.

Në një dalje të jashtëzakonshme për shtyp në orën 16.20 të së shtunës, Berisha tha se ky proces ka përfunduar me një ngushticë të paimagjinueshme, duke shtuar: “Sipas database të PD ka përfunduar me fitoren e Bashës dhe sipas database të PS me fitoren e Ramës”.

Berisha siguroi se vendi ynë ka një sistem që i bën këto shqyrtime duke theksuar se “ne nuk mund të hedhim as fijen më të vogël të dyshimit”.

Ndaj, - tha Berisha, - i bëj thirrje të gjitha palëve që të presin, me interes sigurisht, finalizimin e procesit.

Duke iu rikthyer rezultatit, Berisha tha se KQZ në përputhje me ligjin është i detyruar të shpallë vetëm atë rezultat që gjendet në procesverbalet e qendrave të votimit, me të dhënat e tabelave të atyre zonave.

Duke përfunduar fjalën nga selia e PD, kryedemokrati bëri thirrje “për kontroll të emocioneve në të gjitha krahët”.

Berisha tha që “të presim shqyrtimin dhe fjalën finale të KQZ”. Kurse shtoi: “Ftoj edhe kandidatët që të pranojnë këtë qëndrim, si qëndrimin më me interes të secilit prej tyre”.

Berisha theksoi dhe një herë se sipas tij dhe PD Basha është përpara në garën për Tiranën por shtoi se do të pritet që të dalë rezultati i KQZ të cilin premtoi se “ne nuk do ta vëmë në diskutim”.

Kaos shifrash, ende nuk ka vendim zyrtar nga KQZ për Ramën ose Basën

Një kaos shifrash ka përfshirë Komisionin Zonal të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) Nr 49 ku u numëruan votat e njësisë nr 5 të Tiranës.

KZAZ shpalli se Rama ishte 66 vota më tepër se z.Rama dhe procesverbali përkatës i kaloi sipas procedurës, vulosjes në kuti dhe kopja tjetër, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ndër 485 kuti deri në orën 15.00 ishte shpallur nga KQZ numërimi për 484 kuti ku dilte diferenca prej 56 votash.

Kështu me diferencën 66 vota në kutinë e fundit, z.Rama del fitues me 10 vota më shumë në total.

Më konkretisht, Edi Rama numëronte 124403 vota dhe Lulzim Basha 124459 vota. Kurse pas numërimit të kutisë së fundit, rezultoi se z.Rama ka arritur 124597 vota dhe z.Basha 124587 vota.

Sakaq edhe përkrahësit e Lulzim Bashës shpallën fitoren. Fatbardh Kadilli nga PD tha se Basha ishte fitues kurse shtoi se disa vota të tjera ishin duke u verifikuar për vlefshmërinë e tyre. Por z.Kadilli tha se ato nuk do të ndikonin për rezultatin sipas tij fitues të z.Bahsa.

Ndërkohë nuk ka deri tani ndonjë prononcim publik nga PS.

e.t/NOA

KOMENTE