English

PS në KQZ: Të shpallet rezultati i Tiranës, po shkelet ligji

Tiranë, 17 maj, NOA – Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Genc Gjonçaj tha sot në mbledhjen e KQZ, se ky institucion duhet të shpallë vendimin për fituesin e Tiranës.

“Jeni KQZ, autoriteti që ka peshën kryesor për zgjedhjet, pos mos harroni se kini peshë edhe për vendin. Punë e madhe se u mërzit një kandidat për zgjedhjet. Kthehuni në binarët e ligjit, certifikoni rezultatin”, tha Gjonçaj.

Ai u shpreh se sjellja e KQZ-së është shumë e rrezikshme dhe duhet të veprojë menjëherë. Ai u shpreh se verifikimi i fletëve që janë gjetur në kutitë e tjera të votimit, nuk është çështja më emergjente.

“Ne nuk kemi ende një rezultat. Juve ju mbetet vetëm të bëni aritmetikë. Për Bashkinë e Tiranës KQZ është e detyruar nga ligjit për të shpallur kandidatin. Çdo vonesë do të ishte shumë e dëmshme. Interesat e palëve humbëse është që të kthejnë procesin, por procesi është përfunduar ditën që u numëruan vota”, tha Gjonçaj.

Ai theksoi se mund të jetë e rrezikshme për gjithë procesin mos shpallja e një rezultati që ka të bëjë vetëm më aritmetikën. “Dikujt që nuk i pëlqen rezultati nuk është normale që të pengojë shpalljen e tij. Këtë e ka zgjidhur ligji. Shumatorja e të gjitha vendimeve të marra nga grupet e numërimit është rezultati final i Tiranës”, tha ai.

a.k/NOA

KOMENTE