English

Edhe fituesi mund të gjykohet

Nga Andi Bushati

Fitorja e Edi Ramës në Tiranë dhe në gjithë qytetet kryesore të Shqipërisë i ka ndarë, ata që e kanë komentuar atë, në dy kampe të mëdha. Nga njëra anë janë ata që e shohin si një fitore të madhe, si një fitore njëkohësisht edhe kundër Berishës, edhe kundër Nanos, edhe kundër Bashës, edhe kundër Metës, edhe kundër Hysni Milloshit, edhe kundër armiqve brenda së majtës; si një fitore kundër rrethimit financiar dhe administrativ të pushtetit.

Në anën tjetër, renditen të gjithë ata që e shohin Ramën si kandidatin më të dobët që socialistët nxorën në këtë garë. Rezultatin e tij, si më të diskutueshmin. Mosbesimin që e rrethoi atë, si pasojë të politikës së ndjekur sidomos dy vitet e fundit, si shenjë frike për të ardhmen.

Të dy këto grupime të mëdha, që tani janë shfaqur publikisht, ndahen nga principi i gjykueshmërisë apo jo të fituesit. Për të parët, fituesi gjithmonë ka të drejtë. Për të dytët, ai, si kushdo tjetër, duhet parë me mosbesim. Dhe Edi Rama duhet parë vërtet kështu. Jo vetëm se edhe njëherë më shumë, ai nuk arriti të marrë votën në shumicë të mbarë qytetarëve shqiptarë. (Sado relativ e i diskutueshëm të jetë ky interpretim, ai mbetet prapë një fakt). Jo vetëm se ai rrezikoi “lokomotivën e fitores”. Jo vetëm se votuesit e qytetit të tij vendosën t’ia ngrijnë buzëqeshjen në buzë, deri në sekondën e fundit.

Edi Rama duhet të gjykohet së pari, sepse kjo nuk qe fitorja e tij. Sepse vota e 8 Majit, në qendrat urbane, ishte një votë e pastër kundër Berishës. Me votën e tyre, të dielën që shkoi, njerëzit nuk zgjodhën një rrugë, ata dënuan një tjetër.

Ata nuk zgjodhën alibinë e vjedhjes së votës në 28 qershor, por dënuan kokëfortësinë për të mos bërë transparencë. Ata nuk zgjodhën rrugën e bojkotit të Parlamentit, por votuan kundër shndërrimit të tij në një garnizon gardistësh. Ata nuk votuan thirrjet “hap kutitë ose largohu”, por sanksionuan me votë një pushtet që kërkon ta çojë opozitën të gërmojë në arkiv. Ata nuk votuan protestat e dhunshme, por goditjen nga policia të deputetëve dhe ish-qeveritarëve. Ata nuk votuan sulmet me gurë të Kryeministrisë, por shprehën zemërim për vrasjet në emër të mbrojtjes së saj.

Në këtë kuptim, çdo ngazëllim dhe eufori për fitoren e liderit socialist do të qe jo vetëm i dëmshëm por edhe i rrezikshëm. Jo se gëzimi i një fitoreje si kjo përbën ndonjë mëkat. Jo se përmasa e saj nuk është e zakonshme. Por sepse kjo frymë e liderit që mposhti gjithkënd mund të shndërrohet shumë shpejt në revansh. Që në ditët e para të fitores, kanë filluar zërat (sidomos prej atyre që e shohin këtë si një fitore të madhe) që duan t’i lidhin rezultatet e 8 Majit me kërkimin e zgjedhjeve të parakohshme. Kanë filluar argumentet se ky rezultat duhet të kushtëzojë nesër zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Se kjo rrugë duhet të nxisë edhe më tej radikalizmin, se vetëm me këtë armë fitohet në këtë vend.

Pikërisht nga këto zëra që po gëlojnë gjithnjë e më shumë, fitorja e Edi Ramës nuk duhet parë si një ngjarje për t’u festuar, por si një akt për t’u gjykuar. Për t’u analizuar në çdo detaj deri në imtësi. Sepse, më 8 Maj, njerëzit që votuan kundër abuzimit dhe arrogancës së pushtetit, do të jenë disa fish më të ashpër, nëse dikush kërkon të luajë me zemërimin e tyre. Dhe kjo është gracka së cilës duhet t’i shpëtojë, i pari, vetë Rama.

Ai gjendet sot midis dy rrugëve. Mes asaj që i propozon ai grupim që i lartëson fitoren, për të ushqyer me të shtratin e radikalizmit; dhe asaj që i propozojnë gjykuesit e tij, që e ftojnë të lexojë siç duhet votën e shqiptarëve. Dhe mënyra sesi do ta lexojë këtë votë do të jetë treguesi i parë i rrugës që ka zgjedhur. I një rruge nga e cila nuk varet vetëm fati i tij, por edhe ai i gjithë socialistëve deri më 2013.

KOMENTE