English

Skuadra që vrau Bin Ladenin: Frikë nga hakmarrja te familjet

SHBA, 18 maj, NOA - Në mbrëmjen e 2 majit, në Abbottabad, Pakistan, lindi miti për heronjtë e ri amerikanë, të cilët nuk njohin frikën. Mediet në SHBA ranë në gjunjë dhe i cilësuan pjesëtarët e njësisë Navy Seals si luftëtarët më të ashpër dhe më të aftë në botë. Madje edhe po të ishte theksuar se ata “ecin mbi ujë” dhe se e “shërojnë kancerin”, amerikanët në ato momente do të kishin besuar çdo gjë.

24 meshkuj nga radhët e Team Six, më të përgatiturit në mesin e 2400 pjesëtarëve të Navy Seal, u bënë të pavdekshëm pas vrasjes së Osama Bin Ladenit, duke zbutur paksa traumën që udhëheqësi i Al Qaedes ja kishte shkaktuar SHBA-së, me sulmet e 11 shtatorit 2001.

Madje edhe Shtëpia e Bardhë ishte aq e ngazëllyer, sa i dha aq shumë lëvdata kësaj njësie, më tepër se sa do të dëshironin Pentagoni dhe pjesëtarët e Navy Seals.

Dy javë pas natës së triumfit, ish-pjesëtarë të Navy Seals, të cilët flasin në emër të kolegëve të tyre aktiv, të cilët janë betuar për heshtje, rrëfejnë për atë që konsiderohet e pabesueshme: pjesëtarët e njësisë frikësohen nga aktet hakmarrëse kundër familjeve të tyre.

Gazetarët, të cilët tentuan t’i afrohen kolonisë së vogël të Team Six në Dam Neck, në brigjet e Virxhinisë, u dëbuan nga rojet apo u morën në pyetje nga ushtarët e nevrikosur.

Ata të paktë, në cilët janë të gatshëm që të flasin për Seals, përhapin tmerr të vërtetë:

“Ata njohin 13 mënyra të ndryshme për të vrarë, por në të vërtetë, janë djelmosha shumë të mirë”, thotë Allen Norfolk, menaxher i një lokali i cili vizitohet nga pjesëtarët e njësisë.

Por jeta e tyre, siç thotë Bob Kerrey, dikur edhe vetë një Navy Seal, më pas guvernator dhe senator nga Nebraska, nuk është edhe gjithaq e mbështjellë me aventura:”90 për qind të jetës e kalojnë në përgatitje, trajnim dhe janë mjaft të mërzitur”.

Duket se edhe kjo njësi elite duhet t’i përmbahet të njëjta rregullave, të cilave duhet t’i përmbahen edhe njësitë tjera të forcave të armatosura të SHBA-së. Për vite me radhë, Seals kanë pasur problem që të gjejnë nga 1 mijë kandidat për pranim në vit, prej të cilëve në fund të vitit janë përzgjedhur vetëm 200 prej tyre.

Është mjaft vështirë që të mbash në disponim pjesëtarët në gjashtë ekipet e Navy Seals. Ngase ata nuk paguhen aq mirë, shpesh janë të vetmuar apo të shkurorëzuar. Në fund nuk mjafton vetëm besimi, që të shërbesh me nder në një njësi elite.

Për këtë dëshmojnë edhe dy libra, të cilët kanë dalë në shitje në fillim të majit. Libri „The Heart and the Fist“, i autorit Eric Greitens dhe libri “Seal Team Six”, i autorit Howard Wasdin, nuk ka se të jenë më të ndryshëm.

Greiten si 26 vjeçar i ishte bashkuar njësisë dhe flet për përvojat e tij. “Çdo i çmendur mund të ushtrojë dhunë. Ajo që i dallon Sealsat, është se ata ushtrojnë dhunë në mënyrë të disiplinuar dhe të përmbajtur. Në fund, janë vlerat ato, që e dallojnë një luftëtar nga një bandit”, shkruan Greiten.

Greiten ka qenë në Bosnje, Ruandë, Irak dhe realizoi ëndrrën e fëmijërisë së tij. “Kam dashur të jetoj një jetë me domethënie. Shumë kohë jam frikësuar se kam lindur në kohën e gabuar. Por Sealsat më shkëputën përgjithmonë nga kjo ndjenjë”, shkruan ai.

Navy Seals për një kohë të gjatë nuk ishin ndjekur nga fati luftarak. Formën e tyre moderne e morën pas aksionit të dështuar për lirimin e pengjeve amerikane në Iran, në vitin 1980.

Katër pjesëtarë të njësisë u mbytën në ujë, gjatë invadimit në Granada, në vitin 1983; katër vjet më vonë dështoi aksioni për lirimin e shefit të zyrës së CIA-s në Bejrut. Më pas, madje edhe pas sulmeve terroriste kundër ambasadave amerikane në Afrikë dhe pas sulmeve të 11 shtatorit, Navy Seals për një kohë të gjatë u kursyen nga përfshirja e tyre në luftën kundër terrorizmit.

Edhe autori tjetër, Howard Wasdin, ka qenë pjesë e Navy Seal dhe mezi shpëtoi, gjatë aksionit në Mogadisho, Somali në vitin 1993.

Deri me sot, asnjëherë nuk ka ndodhur që një pjesëtar i Navy Seals të kapet rob nga forcat e armikut. “Dorëzimi nuk është opsion për ne. Më mirë do të kisha dëshiruar që të vritem, se sa të përdorëm për qëllime propagandistike nga armiku para kamerave”, shkruan Wasdin.

Por për të mbijetuar, Wasdin ishte i gatshëm që të kalonte kufijtë e ligjit apo të vriste. “Më mirë të dënohesh nga 12 anëtarë të jurisë, se sa arkivoli yt të bartet nga gjashtë persona”.

Një përzgjedhje brutale. Njerëzit mendojnë në këtë mënyrë. Për dallim nga perënditë, super-heronjtë apo shenjtërit.

NOA/Die Welt

KOMENTE