English

Debatet e (pa)kontestueshme

E drejta për të debatuar është një nga të drejtat elementare të mbrojtura me rregulla ligjore. Ajo përmban të drejtën demokratike të një shoqërie pluralë dhe civilizuese për të diskutuar, polemizuar, konstatuar, vlerësuar pozitivisht apo negativisht, proceset politike sociale kulturore brenda një shoqërie me interesa të shumta klanore

Blerim Çoçaj

DEBAT-I. Ky term latin në shoqërinë tonë ende është në fazën e gjetjes së një kuptimi. Pesha dhe rëndësia i këtij termi, tek ne çdo ditë po bëhet më shumë e kontestueshme, për dallim nga shoqëritë e tjera demokratike, apo ato shoqëri që kanë pretendime për zhvillimin e demokracisë njerëzore. E drejta për të debatuar është një nga të drejtat elementare të mbrojtura me rregulla ligjore. Ajo përmban të drejtën demokratike të një shoqërie pluralë dhe civilizuese për të diskutuar, polemizuar, konstatuar, vlerësuar pozitivisht apo negativisht, proceset politike sociale kulturore brenda një shoqërie me interesa të shumta klanore. Në vendet të cilat pretendojnë zhvillimin e demokracisë, debati përmban antagonizmin dhe kritikën e interesave të ngjyrave të shumta. Në Kosovë, ndërkaq ky term që e ka prejardhjen nga latinishtja “përkthehet” më shumë në aspektin negativ se sa ashtu siç shpjegohet në fjalorin e gjuhës shqipe. Nuk kemi diskutime të gjëra dhe të hapur. Debatet e ndryshme të cilat organizohen sotKosovë, nga shoqëritë civile dhe mediat elektronike, për përfaqësuesit politik, më shumë shërbejnë për të hedhur ‘spica’ ndaj njëri-tjetrit se sa për të marrë ide nga ekspertët, intelektualët dhe qytetarët për çështje të caktuara. Kushtetuta e Kosovës është njëri nga shumë rastet e veçanta, që tregon se sa të kontestueshme kanë qenë debatet e organizuara. Pak kohë para së të hyjë në fuqi, Kushtetuta e Kosovës, tre vite më parë, u dërgua tek qytetarët nëpërmjet debateve publik. Qëllimi i këtyre debateve ishte marrja e mendimeve lidhur lëshimet dhe plotësimin eventual me ndonjë element shtesë të Kushtetutës së Kosovës. Të gjithëve na kujtohen reagimet e shumta të shoqërisë civile, mediave, analistëve, intelektualëve dhe të qytetarëve që kishin rreth mangësive të Kushtetutës. Reagimet e tyre në këto debate ishin nga më të ndryshmet. Ata nuk kërkonin asgjë më shumë se sa heqjen e disa neneve dhe disa elementeve të tjera të Kushtetutës, të cilat sot po kërkohen nga vet përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike. Tre vjet pas, politikanëve tanë po ju dalin sugjerimet e ekspertëve, analistëve, dhe qytetarëve se Kushtetuta e Kosovës nuk ka qenë në mesin e kushtetutave më moderne në botë. Ajo që në ‘start’ paska pas nevojë për ndryshime. Por, për ta kuptuar se Kushtetuta nuk është në mesin e kushtetutave më moderne në botë, u deshtë të rrëzohen “për tokë’, dy presidentë të cilët fort ishin lidhur ngushtë me atë pozitë. Anëtarët e komisionit të Kushtetutës, kësaj radhe bashkë me ndryshimin, do të duhej të ndryshojnë edhe qëndrimin rreth diskutimeve, politizimeve dhe kritikave që vijnë nga ekspertët, analistët dhe qytetarët. Nuk do të ishte mirë që sugjerimet e kësaj shoqërie t’i hedhin poshtë ashtu sikur para tra vitesh. Debati, edhe për shoqërinë tonë e cila pretendon të jetë demokratike do duhej të jetë i pakontestueshëm, jo vetëm me rastin e ndryshimit të Kushtetutës, por edhe të ndryshimeve të ligjeve zgjedhore. . . E drejta e debatit në çdo shtet demokratik nënkupton edhe angazhimin e qytetarëve në debate që mund të jenë të natyrës së ndryshme. Ata duhet të kenë të drejtë të barabartë kushtetuese dhe ligjore, për të shprehur mendimin e vet. Një e drejt e tillë është e mbrojtur edhe me konventat ndërkombëtare. Debatet për çështje të rëndësishme, do të duhej të jenë të hapura në të cilat mund të marrin pjesë edhe qytetarët e intelektualët e pavarur, e jo i mbyllur për opinionin ku marrin pjesë vetëm politikanët. Në rastin e ndryshimit të Kushtetutës, por edhe të ndryshimeve të ligjeve në të ardhmen, duhet të njihet e drejta e debatit pa marrë parasysh tipin e debatit dhe të replikës. Ai duhet të jetë pakontestueshëm e jo sikur deri më tash siç është praktikuar që të kundërshtohet dhe të kontestohet.

KOMENTE