English

Kontrata Bechtel & Enka

Visar Ymeri

Kontrata mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe kompanisë Bechtel-Enka, të cilën e zbuluam të hënën, ministri i infrastrukturës Fehmi Mujota e vlerësoi si dokument anonim, ndërkohë që Ministri i Kulturës, po e përsërisë Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, e quajti njëri prej drafteve të mëhershme që ishin diskutuar. Po t’i bashkëdyzojmë këto dy deklarata atëherë e kuptojmë se qeveria e vlerëson këtë kontratë të zbuluar nga si draft kontratë anonime. Por sipas Ministrit të Kulturës, një dokument anonim të cilin ai të jepte përshtypjen ta kishte parë dhe diskutuar më herët. Sepse e quajti njëri prej drafteve. Unë nuk e di se cilit prej këtyre ministrave mund t’i besohet më shumë. Mbase të dyve meqenëse duke e pasur parasysh reagimin e parë që erdhi në ditën e zbulimit të kontratës nga ministri i infrastrukturës, dhe deklaratës së dytës që na u shfaq në ekrane të nersërmen, qeveria ka pasur kohë që ta mendojë më mirë përgjigjen. Dhe ky mendim i qeverisë e ndryshoi karakterin e dokumentit nga anonim në njërin prej drafteve. Pra është për t’ju besuar të dyve ngase që të dy po e shpërfaqin mendimin e tjetërkujt dhe procesin e këtij të menduari.

Por është interesant se përkundër kontestimit që qeveria ia bëri autenticitetit të dokumentit, ata ishin shumë aktiv në arsyetimin e çmimeve të njësive brenda kontratës, disa prej të cilave të analizuara i bëmë publike po të hënën. Këtë prapë e bëri ministri i kulturës, e jo ai i infrastrukturës. Ai i arsyetonte çmimet për njësi në kontratë duke thënë se aty përfshihen cilësia më e lartë, përgatitja profesionale dhe testimi që i bëjnë këto çmime të dallojnë nga ato të tregut. Pra nuk tha se këto çmime të publikuara nuk janë të sakta, por se janë të arsyeshme. Ne prapë u themi kryeministrit dhe ministrave se vërtetë shpresojmë që kjo kontratë e zbuluar nga ne të mos jetë origjinalja. Dhe vërtetë shpresojmë se kontrata origjinale është shumë më e favorshme dhe më e drejtë për Kosovën se sa kjo që e kemi zbuluar ne. Por për sa kohë që ju nuk publikoni kurrfarë dokumenti atëherë kjo mbetet e vetmja kontratë publike në të cilën keni hyrë me kompaninë Bechtel Enka. Këtë e keni obligim jo vetëm kushtetues por edhe qytetar e moral. Nëse vërtetë besoni në ato që thoni se jeni qeveri legjitime e këtij vendi, atëherë gjëja më e vogël që mund ta bëni është ta informoni burimin e këtij legjitimiteti që është populli. Nëse jo, atëherë kjo nënkupton që ju konsideroni që legjitimiteti juaj rrjedh nga diku tjetër. Atëherë na tregoni prej nga e merrni ju legjitimitetin. Prej Bechtel Enkas?

E ky version është tejet i pafavorshëm për Kosovën dhe buxhetin tonë të varfër. E tërë kontrata është e bazuar në nevojat, dëshirat dhe interesat e Bechtel Enkas dhe askund aty nuk e gjen interesin e Kosovës. Është kontratë e njëanshme ku njëra palë i merr të gjitha obligimet e tjetra të gjitha përfitimet. Sikur të mos kishte qenë kontratë e lidhur në mes të dy palëve të barabarta dhe me vullnet të lirë. Ju do të vazhdoni të na akuzoni se kundërshtimi ynë ndaj padrejtësisë dhe pabarazisë së kontratës është kundërshtim ndaj Rrugës së Kombit. Por ne u themi shumë thjeshtë: kundërshtimi ynë është kundërshtim ndaj keqpërdorimit dhe abuzimit me paratë e kombit në emër të kombit.

Ne e kemi bërë zbuluar këtë kontratë dhe do të zbulojmë edhe në të ardhmen çfarëdo dokumenti tjetër në interes të publikut që fshihet nga publiku. Sepse ne e kuptojmë rrënjësisht emërtimin republikë, dhe angazhohemi që vërtetë të kemi një pushtet të popullit dhe për të. E republika është e qytetarëve, e publikut, dhe ajo tërë qenien e vet e ka në funksion të së mirës së përgjithshme që është e mirë kolektive e qytetarëve. Republika është ajo që republika bën. Ndërsa kjo qeverisja që po e ndërtoni ju është në kundërshtim me publikun dhe e sheh atë si të rrezikshëm. Prandaj edhe i fsheh kontratat nga ai. E kjo mënyrë e sjelljes së qeveritarëve dhe qeverisë na e pamundëson republikën. Prandaj edhe nuk duhet ta pranojmë. Ne e kemi zbuluar kontratën dhe me këtë rast i ftoj të gjithë deputetët që janë të interesuar ta marrin një kopje të më kontaktojnë që t’ua siguroj atë. Kishim pasur dëshirë që t’ua bëjë nga një kopje secilit, por për shkak të numrit të madh të faqeve ka qenë teknikisht e pamundur ta bëjë një gjë të tillë.

* Fjalimi i mbajtur gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës, 19 maj 2011

KOMENTE