English

Jahjaga-Ivanov: Kufijtë në Ballkan të paprekshëm

Varshavë, 28 maj 2011 – Kryetarja e Shtetit të Kosovës Atifete Jahjaga dhe Presidenti i Maqedonisë George Ivanov konfirmuan sot qëndrimin e tyre për ecjen e pandalshme të rajonit drejt integrimeve evropiane, si dhe qëndrimin për paprekshmërinë e kufijve aktualë të shteteve të Ballkanit.

Gjatë takimit mes dy krerëve të shteteve i mbajtur në Varshavë të Polonisë në kuadër të Samitit të Presidentëve të Evropës Qendrore, lajtmotiv i diskutimit ishte bashkëpunimi mes Kosovës dhe Maqedonisë.

Të dy bashkëbiseduesit theksuan bashkëpunimin shumë të mirë mes të dy vendeve, bashkëpunim ky i shtrirë në të gjitha fushat dhe që po zgjerohet në mënyrë të vazhdueshme.

Presidentja Jahjaga shtroi nevojën e intensifikimit të këtij bashkëpunimi ndërshtetëror në të gjitha fushat, si dhe bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen në iniciativat rajonale.

Ata gjithashtu diskutuan për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, që është mjaft i intensifikuar, si dhe shtruan nevojën e investimeve dhe bashkëpunimit në projekte të përbashkëta, sidomos në energjetikë.

mit/NOA

KOMENTE