English

Imami: Kosova, faktor esencial për të ardhmen e rajonit

Budva, (Mal i Zi), 29 maj, NOA – Pjesëmarrja e Kosovës në organizatat dhe forumet rajonale është një zhvillim që garanton të ardhmen e rajonit. Kjo është deklarata që ka bërë ministri i Mbrojtjes, Arben Imami në takimin e Ministrave të Mbrojtjes së vendeve të Kartës së Adriatikut, (A5), që u zhvillua në datat 26-27 maj 2011 në Budva të Malit të Zi.

Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim, Imami u shpreh se zhvillimi i takimeve të tilla është “një tregues domethënës të bashkëpunimit për transformimin e rajonit të Ballkanit në një model të fqinjësisë së mirë, paqes, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik”. Ai shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për mbështetjen kundrejt vendeve aspirante, duke “vlerësuar si shumë të rëndësishëm praninë në takim të delegacionit kosovar, si një faktor esencial për të ardhmen Euro-Atlantike të rajonit”.

Në takim merrnin pejsë Ministrat e Mbrojtjes të Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, përfaqësues të Ministrive të Mbrojtjes të Maqedonisë, Kroacisë dhe SHBA-së, si dhe përfaqësues të NATO-s, Sllovenisë dhe RACVIAC. I pranishëm më takim, ishte me statusin e të ftuarit, Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku.

Qëllimi i takimit ishte vlerësimi i bashkëpunimit të deritanishëm, kontributi në fushën e sigurisë globale, si dhe vijimi i përpjekjeve për anëtarësim në NATO të vendeve të A5.

Takimi u drejtua nga Ministri i Mbrojtjes së Malit të Zi, z. Boro Vuçiniç dhe z. Joseph McMillan, Ndihmës Asistent Kryesor i Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes.

Zhvillimet e këtij takimi të rëndësishëm i përshëndeti Kryeministri i Malit të Zi, Z. Igor Luksiç. Në fjalën e tij, Kryeministri Luksiç shprehu bindjen se vendet anëtare të Kartës së Adriatikut do të përmbushin të gjitha detyrimet, me qëllim integrimin e shpejtë në NATO.

Ndërsa përfaqësuesi i SHBA, Joseph McMillan rikonfirmoi edhe një herë mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme të vendit të tij për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Strukturat Euro-Atlantike. Ai gjithashtu vlerësoi progresin a arritur në fushën e reformave politike, ekonomike dhe të sigurisë të vendeve të A5.

Në takim foli dhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovë, Agim Çeku. Ai konfirmoi angazhimin e vendit të tij në përmbushjen e të gjitha reformave të domosdoshme, me qëllim që edhe Kosova të rreshtohet denjësisht përkrah vendeve që promovojnë paqe, siguri dhe stabilitet.

a.k/NOA

KOMENTE