English

Veteranët e UÇK-së vazhdojnë grevën

Prishtinë, 29 maj, NOA - Greva e veteranëve të luftës së UÇK-së, e cila ka filluar para gjashtë ditësh përballë ndërtesës së qeverisë së Kosovës, ka vijuar edhe sot.

Pjesëmarrësit në grevë janë shprehur të vendosur që të mos heqin dorë derisa të plotësohet kërkesa e tyre, e cila është që Institucionet e Kosovës të miratojnë dhe zbatojnë sa më parë ligjin për vlerat e luftës.

Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dje, për herë të parë, janë vizituar nga përfaqësuesit e grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës. Këta të fundit kanë kërkuar nga grevistët që të ndërpresin grevën, duke iu premtuar se do të angazhohen që përmes veprimeve institucionale, do të kontribuojnë në plotësimin e kërkesave, gjë me të cilën nuk janë pajtuar grevistët.

Në një konferencë për media të shtunën, drejtues të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të ish-UÇK-së kanë thënë se tashmë numri i grevistëve po rritet dita-ditës dhe njëherësh janë shprehur të vendosur se nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave.

Ylber Selmani, anëtar i Këshillit grevist, ka thënë se nëse nuk veprohet shpejt nga institucionet për zgjidhjen e kësaj çështjeje, atëherë greva do të ndryshojë edhe formatin e saj, ku do të jetë e izoluar për media dhe institucionet e tjera.

a.k/NOA

KOMENTE