English

1 qershori, presidenti Topi pret fëmijët e fshatit SOS

Tiranë, 1 Qershor 2011 NOA- 20 fëmijë të fshatit SOS janë pritur nga presidenti Topi në ditën ndërkombëtare të fëmijëve.Kreu i Shtetit shqiptar bëri apel për ndërgjegjësimin e mbarë shoqërisë shqiptare për më tepër përkujdesje ndaj fëmijëve, brezit që përfaqëson të ardhmen e vendit.“Duhet të mendojnë për jetën e fëmijëve, për të ardhmen e tyre! Çdo prind duhet të jetë i ndërgjegjshëm për krijesat që ka sjellë në jetë dhe ky është një apel edhe për institucionet: unë dëshiroj të përgëzoj institucionin që ju ka vënë nën kujdes, sepse jua ka bërë jetën njësoj si të gjithë të tjerëve! Ju duhet të mësoni shumë! Jam bindur që kur të rriteni, ju do të krijoni familjet tuaja të shëndosha, do të punoni secili në profesionin e vet dhe nga informacioni që kam, të gjitha premisat janë që ju do të bëheni njerëz të shëndetshëm të kësaj shoqërie, që patjetër qytetarët e saj nesër do t’i ketë qytetarë evropianë!” – ka deklaruar presidenti i republikës. “Besoj që ky është një apel që nuk ju drejtohet juve, të dashur fëmijë, por u drejtohet institucioneve, u drejtohet të rriturve që të mendojnë çdo ditë të vitit për ju, sepse ju do të jeni e ardhmja e këtij vendi”- theksoi Topi. Më pas kreu i Shtetit shqiptar u shpërndau fëmijëve libra si dhurata simbolike me rastin e Festës së 1 Qershorit.

a.q/NOA

KOMENTE