English

Historia e Griselda Roshit nga rrëmbimi, lindja e detyruar dhe hedhja në rrugë

E mërkurë, 1 qershor 2011, NOA- (Update) Hap pas hapi po zbardhen detaje rreth rrëmbimit të Griselda Roshit, bashkëshortes së kryebashkiakut socialist të Kavajës, Elvis Roshi.

Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se bashkëshortja shtatëzanë e kryetarit të bashkisë së Kavajës, është rrëmbyer mbrëmjen e djeshme në zonën e Komunës së Parisit në kryeqytet.

Ngjarja ka ndodhur teksa ajo është drejtuar drejt shërbimit të taksive, kur një makinë me xhama të errëta, nga e cila kanë dalë 3 burra të armatosur e kanë tërhequr dhe e kanë futur me forcë në makinë, ku mësohet ta kenë rrahur dhe dhunuar deri sa ka humbur ndjenjat, për ta transportuar më vonë në një tjetër ambient.

Sipas dëshmisë së të dhunuarës thuhet se, kur është përmendur, i është injektuar një serum dhe vetëm pak më vonë ka lindur në mënyrë të detyruar, por nuk dihet ende fati i fëmijës dhe se çfarë është bërë me të.

Ndërkaq vetëm në të gdhirë në orët e para të mëngjesit, ajo është hedhur në rrugë këtë herë jo në Tiranë por në qytetin e Kavajës, në afërsi të banesës së saj.

Mësohet se Griselda Roshi ndodhej në Tiranë, pasi ishte në ditët e fundit të shtatëzanisë dhe priste të sillte fëmijën e saj në jetë për një ndihmë më të specializuar në njërin prej materniteteve të Tiranës.

Nga ana e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda është ngritur një grup i posaçëm për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Lidhur me këtë ngjarje edhe kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, është nisur drejt familjes Roshi, ku pas tragjedisë bashkëshorti Elvis Roshi është kthyer në mënyrë urgjente në Shqipëri, pasi prej disa ditësh ndodhej në Itali.

a.y/NOA

KOMENTE