English

Rrëmbimi i Griselda Rroshit, ngjarja horror ishte një sajesë?

Tiranë, 1 Qershor 2011 NOA – Ajo që u denoncua të kishte ndodhur në Tiranë dhe që sot mbajti ngërthyer mediat gjatë gjithë ditës, sipas zbardhjes së të dhënave më të fundit të hetimit, ishte një sajesë.

Griselda Rroshi denoncoi se ishte rrëmbyer dhe më pas ishte detyruar të lindte fëmijën e saj dhe ishte flakur në rrugë e përgjakur.

Dëshmia e pretenduar iu dha prokurorëve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ky organ ka kryer sot gjatë gjithë ditës hetime intensive.

Dhe ka marrë në pyetje tërë ditën Griselda Rroshin për të zbardhur sa më shumë detajet e ngjarjes.

E deri tani, disa versione janë dhënë nga Griselda Rroshi mbi ngjarjen horror që ajo pretendon.

Gjasat e deritashme ishin se versionet e ndryshme vinin për shkak të tronditjes psikike, por burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Drejtoria e Policisë së Shtetit bënë të ditur mbrëmjen e sotme se po hetojnë intensivisht mbi denoncimin dhe se po hetojnë edhe pistën e mundshme të sajesës së ngjarjes.

Dyshimet e hetimit janë se gruaja ka kryer lindjen në një klinikë private dhe më tej ka precipituar në një denoncim të paqartë.

Pritet që brenda natës së sotme të dilet me një deklaratë zyrtare nga organet që janë përfshirë në këtë hetim.

***

Ditën e sotme nga Prokuroria e Krimeve të Rënda doli lajmi se Griselda Rroshi, gruaja e kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi i sapozgjedhur në këtë detyrë i propozuar dhe mbështetur nga Partia Socialiste, kishte bërë një denoncim.

Griselda thoshte sipas prokurorisë, se në orën 21.15 të së Hënës 31 maj 2011 kishte mbërritur në Tiranë ku edhe kishte kërkuar të merrte një taksi dhe në ato momente është marrë me dhunë nga tre persona me një makinë me xhama të errët të cilët sipas saj e kanë qëlluar me tytë Kallashnikovi.

Më tej e kanë futur sipas saj në një ambient të errët ku edhe i kanë bërë injeksion dhe mandej i kanë nxjerrë fëmijën në një lindje të detyruar dhe më pas e kanë marrë ndërsa ishte në gjendje pa ndjenja dhe me një makinë e kanë çuar në Kavajë ku 50 metra larg shtëpisë e kanë flakur në rrugë ndërsa kishte qenë e përgjakur nga hemorragjia e ndodhur dhe i ishin veshur rroba të reja.

Të gjitha këto pretendime të ngritura nga denoncuesja, janë nën hetim e sipër nga prokuroria dhe policia, por krahas tyre po hetohet dhe pista e sajesës dhe lindjes së fëmijës me dëshirën e saj në një klinikë private dhe më tej largimit të saj në vendbanimin në Kavajë.

e.t/NOA

KOMENTE
  • Leo Leone12:12 - 02 Qershor 2011
    eshte turp te shkruhet ne kete menyre .. duhet prokuroria te scaroje te gjithe ngjarjen dhe te mos politizohet.. nena e shkrete eshte e tmerruar dhe mjeket thone qe ka bere aboert me deshire...ku eshte foshnja nese eshte e vertete le ta nxierrin mjeket pasi ato e dine se ku ndodhet foshnja sepse kur behet abort femijen e ruajne mjeket per ekspertiza ...prandaj duhet drejtesi ....dhe jo te abuzohet me nenen /......
  • vlonjati23:09 - 01 Qershor 2011
    turp per keto qe shkruani