English

Tifozat Kuq e Zi: FSHF të kthejë në binar kombëtaren U-21

Tiranë, 3 qershor 2011, NOA- Nëpërmjet një letre publike drejtuar Federatës Shqiptare të Futbollit , Tifozat Kuq e Zi, shprehën shqetësimin e tyre lidhur me zhvillimet e fundit në ekipet kombëtare, me theks të veçantë në kategorinë e U-21.

“Jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer, dhe thellësisht të indinjuar me paraqitjet e kësaj grupmoshe, dhe të fyer me brishtësinë, dhe mungesën e sukseseve të trajnerit aktual, Artan Bushati me kombëtaren e shpresave. Konsiderojmë se ky njeri i ka “zhytë” shpresat në një rrugë pa krye, dhe argument më i mirë për këtë janë vet rezultatet e dobëta që ka. Kombëtarja U-21, realisht do duhej të ishte “fabrikë” e lojtarëve, për Kombëtaren A, por kjo nuk po ndodhë me kombëtaren tonë, arsyet për këtë besojmë i di veç Bushati”, thuhet në letrën e tifozëve.

Sipas tyre çdo ndikim që prek kombëtaren U21 prek drejtpërdrejtë edhe kombëtaren e madhe.

Më tej theksohet se kjo kombëtare nën drejtimin e Bushatit që nga viti 2008 ka fituar vetëm 4 ndeshje si dhe është rrahur nga ekipe të dorës së dytë.

Ndër të tjera TKZ shprehen se, kombëtarja nuk është, dhe nuk duhet të jetë pronë e një trajneri, e as edhe një grupi, prandaj i kërkohet organeve respektive të FSHF-së, që të merren masa konkrete për vënien në binarë të kësaj kategorie të futbollistëve, duke përmendur si opsion edhe shkarkimin nga posti të trajnerit.

a.y/NOA

KOMENTE