English

Në pritje të vendimit të Kolegjit, KQZ: Pretendimet e PS nuk qëndrojnë

Tiranë, 13 qershor 2011, NOA – Pas pushimit të kërkuar Kolegji Zgjedhor rinisi procesin e shqyrtimit të ankesës së Partisë Socialiste që kërkon një gjykim në themel të çështjes së rezultatit për bashkinë e Tiranës, që ngërthen numërimin e fletëve të kontestuara të hedhura në kutitë e gabuara, vlerësimin e tyre në tabelat e KZAZ-ve dhe rezultatin në tabelën përmbledhëse.

Kolegji Zgjedhor ka rinisur seancën duke dëgjuar palën e paditur, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Përfaqësuesja e KQZ-së pranë Kolegjit Zgjedhor Dëshira Pasko kërkoi rrëzimin e ankesës së Partisë Socialiste.

Sipas Paskos vendimi nr. 709 i KQZ-së për numërimin e fletëve në kutitë e gabuara është i drejtë.

Përfaqësuesja e KQZ-së tha se pretendimet e PS-së nuk qëndrojnë.

Ajo vlerësoi se pretendimet e PS-së për mospërputhje të votave me numrin e votuesve janë pretendime të pavenda.

Më tej Kolegji Zgjedhor do të dëgjojë edhe pretendimet e Partisë Demokratike për t’u tërhequr më pas në marrjen e vendimit për ankesë-padinë e PS-së.

Më herët në krye të seancës Kolegji Zgjedhor dëgjoi pretendimet e deputetit socialist Damian Gjinuri, i cili kërkoi shpalljen të paligjshme të vendimeve të KQZ-së për ndryshimin e tabelës së rezultateve për çdo qendër votimi në Tiranë.

Pas rrëzimit të dy ankesave të mëparshme të Partisë Socialiste në këtë ankesë të tretë PS kërkon rrëzimin e vendimit të KQZ-së për hapjen e kutive dhe numërimin e vlerësimin e fletëve të kontestuara të hedhura në kutitë e gabuara, një numërim ky që sipas socialistëve ndryshoi rezultatet në tabelat e KZAZ-ve, të cilat janë përcaktuar në ligj si vendet e numërimit të votave si dhe rezultatin për Tiranën.

PS në këtë ankesë të tretë ka evidentuar edhe faktin se pas numërimit të fletëve të kontestuara rezultojnë 357 fletë votimi më shumë se sa votues.

Relatore e gjykimit të çështjes është Dhurata Haveri, ndërsa anëtarë të trupit gjykues janë Sashenka Jonuzi, Marie Qirjazi, Meriban Mullaj dhe Astrit Kalaja.

Dhjetë ditë më parë Kolegji Zgjedhor në seancën e 3 qershorit pushoi ankesën e PS-së për zgjedhjet në Tiranë, duke lënë në fuqi rezultatin e KQZ-së që nxorri fitues me 81 vota të garës për bashkinë e Tiranës kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” Lulzim Basha.

Ndërkohë socialistët e kundërshtojnë këtë rezultat duke kërkuar që siç parashikon ligji të rikthehet rezultati i dalë pas përfundimit të numërimit të votave në KZAZ-të e kryeqytetit, ku kandidati i “Aleancës për të Ardhmen” Edi Rama doli fitues me 10 vota.

mit/NOA

KOMENTE