English

VMRO-DPMNE skenare për negociata me PDSH-në për Qeverinë

Shkup, 14 qershor 2011, NOA- VMRO-DPMNE nuk ka vullnet për të plotësuar disa nga kërkesat e BDI-së për formimin e koalicionit qeveritar. Këto sinjale janë dhënë nga media të afërta me partinë maqedonase në pushtet.

VMRO-DPMNE ka reaguar jozyrtarisht ndaj vlerësimeve se në rast se kjo parti nuk plotëson kërkesat e BDI-së së Ali Ahmetit, atëherë kjo e fundit mund të negocioj me Lidhjen Socialdemokrate opozitare, e cila së bashku me BDI dhe PDSH-në do të formonin një Qeveri stabiliteti.

Televizioni Sitel duke u thirrur në qëndrimet e VMRO-DPMNE të kryeministrit Nikolla Gruevski mbrëmë ka drejtuar akuza ndaj medieve të tjera që ditëve të fundit BDI-në dhe Ali Ahmetin e kanë vlerësuar si çelësin kryesor për formimin e Qeverisë në Maqedoni.

“Ka gazetarë maqedonas dhe politikan që janë të shqetësuar për të drejtat e shqiptarëve më shumë se vetë shqiptarët. Atëherë mbetet e paqartë se kush do të kujdeset për të drejtat e shqiptarë, nëse ne nuk kujdesemi. A duhet që Gruevski të përkrahë këto kërkesa. Gjithsesi se nuk guxon, për shkak se me këtë ai në themel do ta rrezikonte dhe destabilizonte Qeverinë e Maqedonisë”, komenton televizioni proqeveritar.

Sipas burimeve të kësaj medie, kryeministri Gruevski mund të negocioj edhe me PDSH-në e Menduh Thaçit për formimin e Qeverisë së re dhe se me këtë parti që fitoi 8 deputetë do të siguronte një maxhorancë prej 63 deputetëve. “Për PDSH-në kthimi në pushtet do të ishte një shpëtim dhe përtëritje e plotë e këtij subjekti në të gjitha nivelet. Në rast se Ali Ahmeti do të kishte të drejtën të bisedojë me Cervenkovskin për formimin Qeverisë, i cili ka humbur zgjedhjet, atëherë pse Gruevski nuk do të kishte të drejt të negocioj me Thaçin”, nënvizon televizioni, që njihet si një nga zëdhënësit e VMRO-DPMNE.

(INA)/NOA

KOMENTE