English

Sfidues dhe i gjithmonshëm…

ESE/ Shkrimtarët, janë misionarët e parë dhe të fundit që e drejtojnë vetëdijen tonë nëpër univers (pa asnjë lloj interesi), dhe që e mbrojnë (aq sa munden) nga rrëmujat, nga injorancat, nga barbaritë, nga zbrastësitë dhe harresat kolektive. Mbi të gjitha: nga harresat…! Ndonëse harresa është njerëzore s’ka asgjë më të shëmtuar, më plëngprishëse, më fatale se ajo…

Nga Fehmi Ajvazi

Shkrimtari, cili është ky…? A mund të zbërthehet qenia e tij, figura e tij komplekse, misioni i tij? Vështirë! Identiteti i shkrimtarit, është fillim e mbarim një pasqyrë e intuitës, e imazheve dhe e rrëfimeve të tij “të gjalla” fizike dhe shpirtërore! Fati jetësor i shkrimtarit, është zanati i shkrimit. Shkrimi, nënkupton “paraqitjen pamore të sendeve dhe mendimeve të shprehura në një gjuhë, duke përdorur shkronjat apo shenjat. Pas përkthimit gojor, shkrimi është mënyra e parë e komunikimit mes njerëzve,dhe mjeti i parë i përdorur për ruajtjen dhe përçimin e të dhënave dhe të informacionit” (Wikipedia). Mendoj që s’ka ideologji më domethënënëse, më prijetare se ideologjia e shkrimit-e krijimit. Në mes të kësaj ideologjie të fuqishme dhe të përsosur, është shkrimtari. Shkrimi, e dini, erdhi pas fjalës. Por ndërsa që fjala harrohet, shkrimi mbetet përgjithmonë. Shkrimi është shenjë, dëshmi. Historia e njerëzimit, nga libri i parë “Bibla” e paskëtej, është shtresuar si mbamendje dhe si dokument universal, m’u përmes shkrimit. Sikur “Iliada” të mos ishte shkruar një ditë, vështirë se do ruhej…! Ta zëmë: si gojëdhënë, si rapsodi etj. Gjithandej, edhe “Kodi i Hamurabit” si monument juridik dhe shumë pasuri të tjera përrallore letrare-artistike, filozofike, politike të krijuara nëpër mileniume, e që janë pasqyrë krijuese e apostujve të mendimit të kthjellët njerëzorë, janë një “katakombë” e diturive dhe e dokumenteve që pasqyrojnë dhe ruajnë procese të ndryshme zhvillimore-njerëzore. Mos harroni asnjëherë që shkrimi-krijimi është prodhim special mendorë dhe faktik, pavarësisht se nga cila shkallë natyrore krijuese formulohet dhe materializohet. Pra, është shkrimtari-ky i dërguar, ky mjeshtër i gjithmonshëm: sfidues që demonstron përpjekjen identitare, energjinë njerëzore të mendjes e krijimit, e cila u qëndron stuhive dhe rrëmeteve për të pasqyruar kornizat e universit zhvillues njerëzorë karshi botës së hiçit, karshi regresit dhe rrëmujave.

Shkrimi si mision

Shkrimi, është dëshmi. Gjykim. Identitet. Shkrimi (gati, pa përjashtim), ose është gjysmëletërsi, ose është letërsi. E qartë: pa shkrimtarin, s’do të kishim letërsi. Pa letërsi, s’do kishim kulture! Pa kulturë, besoni apo jo, s’do të kishte as filozofi, as mendim politikë të qartë, as art vizuel pa të cilin s’jetohet! Ta zëmë, poezia është mbretëreshë e krijimit dhe kjo e vërtetë,s’do koment. Tregimi, më duket që është një shemër e romanit! Romani: c’është…? Është logu, është galeria, është katakombi që e ruan krijimin njerëzor: të gjallë, në jetë të jetëve. Në të vërtetë romani, mendoj që është olimpi narrativ i kudoshëm, gjithëpërfshirës që mund të huazohet si motiv nga një ngjarje politike, nga një incident, nga një luftë, nga një krim, nga një sistem me një fjalë: nga një epokë e tërë historike njerëzore, e cilësdo natyrë.

Jo rastësisht, shkrimtari mbetet një luftëtar që kurrë s’kthehet në shtëpi. Fillim e fund. Mbetet një gjurmues i kudoshëm, i cili bazuar në misionin e tij mediton, hulumton, saktëson, gjurmon, përshkruan, detajizon natyrën njerëzore: më saktë, historinë njerëzore. Në kërkim të zbatimit të misionit të tij, shkrimtari s’fle kurrë. Disa herë i përbuzur dhe i nëpërkëmbur (andej ku ka mbretëruar dhe mbretëron vetëdija e zbehtë dhe anticivilizuese, injoranca, moslexim…), shkrimtari e sfidon me përkushtim ideal misionin e tij krijues. Pse….? Ngase, ai e di që është një i dërguar-një mesi…! Në të vërtetë: ai, s’mund të shmanget nga misioni i tij. Epo, ka pak njerëz që nga një “qendër” e panjohur kozmike, mistike, sekrete u bie fati, të marrin dhe të përhapin misione…! Logjikisht, shkrimtari fiton edhe famë të madhe-të gjithmonshme! Por shkrimtari – shkrimtari i mirë (ndryshe nga të tjerët), kurrë se keqpërdorë famën e tij…! E kundërta: ai, disa herë gjendet i anatemuar apo anatemohet nga mendja e ngathtë, nga politika anarko-inkuzicioniste. Dhe, nuk reagon. Heshtë. Duron. Perandorët, mbretërit, diktatorët më shumë, i kanë likuiduar moralishtë dhe fizikishtë shkrimtarët-krijuesit e talentuar. Njëkohësisht, edhe i kanë adhuruar dhe i kanë mbajtur pranë vetëm me një qëllim: për ta sofistikuar e mbajtur të fshehur sëmundjen e tyre të pashërueshme: sundimin…

Shkrimtari me identitet të qartë personal-krijues, kurrë s’pranon të nënshtrohet. Krijuesi i denjë, në përgjithësi… Historikisht, ky tip i shkrimtarit-krijuesit, ka gjetur rrugë dytësore për t’u mbrojtur, për t’protestuar, më shumë se sa për t’u lakuar. Shkrimtari me identitet, ka zgjedhur sagën e mosnënshtrimit dhe të sakrificës, në vend të frymës me shkëlqim të rremë. Në kohë të turbullta, shkrimtari merr në sy tagrin e sakrificës dhe ngrihet mbi dëshirat dhe interesat e tij personale, gjithandej: në mbrojtje të interesit shoqërorë, nacional, kulturorë, gjuhësor etj. Idetë, imazhet e tij, vizionet në formë skicash e tezash kulturo-politike konsiderohen si udhërrëfim drejt “daljes në breg”, ose drejt të ardhmes njerëzore ndryshe. Mendja e tij ( mendja e shkrimtarit), përpara se fjala, konsiderohet pak a shumë e pagabueshme. Por, pse nuk gabon shkrimtari…? Sepse, ai s’është si të tjerët. Të mos harroj: e kamë fjalën për shkrimtarin e zgjedhur-të mirë, për shkrimtarin brilant dhe me kulturë të denjë, për shkrimtarin–mbret...!

Intuita dhe imagjinata e shkrimtarit të jashtëzakonshëm (Borhes, Miller, Kadare, Havel, Markez…), është inteligjente. Pse jo: superiteligjente. Në përgjithësi shkrimtarët, janë misionarët e parë dhe të fundit që e drejtojnë vetëdijen tonë nëpër univers (pa asnjë lloj interesi), dhe që e mbrojnë (aq sa munden) nga rrëmujat, nga injorancat, nga barbaritë, nga zbrastësitë dhe harresat kolektive. Mbi të gjitha: nga harresat…! Ndonëse harresa është njerëzore s’ka asgjë më të shëmtuar, më plëngprishëse, më fatale se ajo…

Goditja e harresës

Harresa, është vrasëse. Flakeni në shportën e mbeturinave. Mos i bëni vend askund, sidomos në shtresat trurore. S’ka të ardhme, pa kujtesë…! Epo, është shkrimi që e bën të kundërtën si asgjë tjetër: e godet harresën. Shkrimi, është gjysma e kujtesës së gjallë! Kujtesa rrëfimtare dhe fuqia e artit shkrimorë, buron nga një qendër vullkanike mendore që sa herë shpërthen, nxjerr jo tym e llavë, por shkëlqim dhe dritë…! Samarago, thotë që kujtesa kolektive nuk zgjat shumë, ajo që ka peshë është kujtesa individuale. Shkrimtari, është i vetmi që e kuron pandërprerë “harresën popullore-shoqërore”. Shkrimtari është gjurmues i palodhshëm, latues, vrojtues, goditës, mëshirues, pajtues, fanar….

Shkrimtari i madh, ka potenciale të pashtershme krijimi. Shkrimtari, ka intuitë meditimi prej skifterësh… Shkrimtari parandjenë, njësoj siç e parandjejnë kafshët tërmetin e madh! Shkrimtari, jeton në dy kohë: përnjëherë…Ai, posedon energji të bollshme për të disejnuar dhe ridisejnuar me mijëra ngjarje, rrëfime, procese. Shkrimtari i mirë, jeton nga imazhet. Në të vërtetë, shpirti i tij ushqehet nga aftësia për të pasqyruar botën e djeshme dhe të sotme, me një fjalë: botën e ardhshme…Në anën tjetër, palca e tij fizike (ai është qenie njerëzore, si të gjithë ne), mbahet nga energjia kontinuitive e cila energji, u jep jetë ngjarjeve apo i kthen ato në jetë, i projekton ngjarjet e bazuara pa ua dëmtuar thelbin njësoj siç e projekton arkitekti një pallat shumëkatësh. Më saktë: siç e pikturon piktori, punimin e tij të zemrës!

Shkrimtari produktiv, s’pushon dot…! Ne, nuk kemi lexuar libra sa ka shkruar ai libra. Ne, s’kemi lexuar ngjarje historike, sa ka përshkruar ai ngjarje historike. Ne, s’kemi parë filma, sa tablo rrëfimesh ka pasqyruar ai… Ne, s’kemi pirë kafe me njerëz, sa ka sjellur ai personazhe në librat e tij. Mbi të gjitha: shkrimtarët e mëdhenjë hyjnë mes nesh apo hyjnë mes shekujve me veprat e tyre të papërsëritshme, dhe s’ka forcë që i nxjerrë nga aty. I tillë ishte Shekspiri. I tillë ishte Balzaku, i cili i shkroi në mos gabojë 104 romane dhe jo romane, dosido. Të këtillë ishin Dostojevski, Kafka, Kamy…

Epo, cka mund të bëjmë ne për shkrimtarin…? Më e vogla që ne mund të bëjmë, është ajo që ne me të vërtetë, s’duhet t’i injorojmë veprat të tyre. Përkundrazi: duhet t’i kemi në shtëpi. Shkrimtari, nuk është figurë e rëndomtë. Sëpaku, jo nga pikëpamja psikologjike. Gjiithë intuita e tij, gjithë imagjinata e tij është dashtë e padashtë: e jashtëzakonshme… Intuita dhe imagjinata e shkrimtëve të mëdhenjë, bazohet gjithmonë në realitet. ”Imagjinata, nuk mund tё ekzistojё jashtё kontureve tё sё vёrtetёs, nuk ёshtё e vetёekzistueshme. Duhet tё ketё diçka qё ta ushqejё. Dhe ajo qё e ushqen ёshtё e prekshmja, e vёrteta, realja”, thotë Samarago.

Shkrimtari, beson gjithmonë në misionin e tij, të cilin e konsideron si fisnik dhe përpiqet t’ia japë këtë formë ( formën e fisme), me gjithçka që është në filozofinë e tij krijuese. Motivi i tij permanent krijues, buron nga e vërteta, nga e prekshmja, nga realja... Natyrshëm, shkrimtari ka fuqi të pasosura meditative, përshkruese, fantastike e të cilat njerëzit e rëndomtë, nuk e kanë. Ai, u jep shpirt gjërave të vdekura (sendeve), dhe i konstrukton ngjarjet e proceset e ndodhura me precizitet të lartë. Aftësia e tij përshkruese e ngjarjeve reale, është disa herë mbi realen… Me gjenialitet, shkrimtari si askush tjetër, e materializon botën tonë të djeshme dhe të sotshme me konsekuencën, dhe se braktisë kurrë! Puna e shkrimtarit, s’është i thjeshtë! Mundë të jetë e thjeshtë ngjarja me të cilin ai merret, por jo edhe përpjekja e tij që ngjarjen ta konceptojë me plotë vizion dhe mesazh, me plotë dashuri e besnikëri: domethënë, atë ngjarje-shkrim të cilën ai, e konsideron të nevojshme-të çmueshme që t’ua përcjellë të tjerëve, kuptohet brenda universit të tij të gjithmonshëm-krijues.

Sfidues: fillim e fund

Shkrimtari, pothuajse nuk gabon. Gabojnë të tjerët rreth tij, sidomos ata që botën e peshojnë me gram dhe në veqanti, ata që cdo gjë e masin me peshën e ndërgjegjës së shkalluar. Shkrimtari, ka intuitë të specializuar, e cila intuitë i parandjenë ngjarjet e ndryshme: të mira, dhe të këqia. Shkrimtari, i parandjenë proceset nule, rrëmujat, anarkitë… Ai, nuk e do “zjarrin e Neronit” ! Nuk e do, “zjarrin e Inkuizicionit”. Shkrimtari, e sfidon me dashuri e shpirtë, të keqën. Shkrimtari, nuk merret asnjëhrë me shitjen e parcelonit, me shitjen e kafesë. Shkrimtari, nuk pranon të bëhet bos i tregtisë me armë, me narkotikë… Shkrimtari i mirë, kurrë nuk lejon të prostituojë, të spionojë, të shantazhojë etj. Interesi i tij, janë “lulet e së mirës”… Ai, i gëzohet gjithmonë lindjes së diellit, dhe jo perëndimit të diellit. Ai, këndon kur lind një fëmijë. Ai, shkëlqen kur vjen mëngjesi. Shkrimtari i mirë, merret me gjëra të mira. Ai, kurrë s’pranon ta eksplatojë lagjen, shoqërinë, institucionin, shtetin… Ai, e mbron paqen me trupin e tij. Ai, është parashikues suptil. Shkrimtari i madh, s’i pranon betejat meskine. Shkrimtari gjenial, nuk e duron padrejtësisë, injorancën, degjenerimin… Në të vërtetë, i kundërshton kastat servile dhe politikat e hirta-baltuese… Sepse, ky është gjithmonë shërbëtor i lirisë. S’ka nevojë t’i thuhet: ky, është gjithmonë edhe rojtar i lirisë…! Shtiza dhe mburoja e tij, është vepra që u shërben masave të ndryshme, shoqërive, shteteve, brezave, kombeve dhe së ardhmes globale. Në të vërtetë, shkrimtari - mbret ka vetëm një interes shpirtëror: të jetojë për të tjerët…

Ky, pak a shumë është misioni i shkrimtarit, që ai vet e konsideron si të dhënë…! Jo, misioni i shkrimtarit, është i dhënë… Pse…? Sepse. politika e tij e parë dhe e fundit është mënyra e gjëllimit të mendjes dhe shpirtit të mbushur me plotë dashuri dhe sakrificë krijuese, si vlerë e pafund identitare-universale…

KOMENTE