Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Shqiptarët e Montrealit zhvilluan kupën e parë të futbollit
English

Shqiptarët e Montrealit zhvilluan kupën e parë të futbollit

Tirana u shpall kampione duke mundur në finale Ferizaj. E pranishme edhe ambasadorja e re Shqipërisë në Kanada zonja Elida Petoshati

Nga Ajet Nuro

Kur kam shkruar një artikull për shoqatën e shqiptarëve këtu në Montreal në vitin 2004 që në titull shprehja atë karakteristikë të kësaj shoqate që është një Shqipëri etnike në miniaturë. Asgjë nuk ka ndryshuar me kalimin e viteve. Bashkësia e shqiptarëve të Montrealit ka qenë një nga më aktivet ndër bashkësitë e shqiptarëve në diasporë. Ndonëse kohët e fundit, ndihet pak mungesa e aktivizimit për të mos thënë një përgjumje por, zjarri është aty, mjafton që t’i frysh pak hirit që ka mbuluar thëngjijtë që fshihen tek ne. Ndonëse mua më ka pëlqyer të jem “kronikor” i arritjeve të bashkësisë shqiptare këtu në Montreal, shpesh herë kam bërë vrejtje me qëllim ndryshimet për mirë të punës së bashkësisë. Sidoqoftë, në ato aktivitete ku unë kam dashur dhe mundur të vë dorë, kam dashur cilësi. Në fillim të këtij viti, pata një mendim dhe një dëshirë që të grumbulloja sa më shumë shqiptarë që të ishte e mundur në një aktivitet gjithë familjar ku çdo kush nga pjesëmarrësit të ndihej aktor dhe pse jo edhe të njiheshim me njëri-tjetrin.

I Have a dream ... do thoshte Martin Luther King... unë nuk kisha një ëndërr në lartësinë e ëndrrës së Luter Kingut por të ëndërrosh të zhvillosh një kupë futbolli me bashkatdhetarët këtu në Montreal mund të quhet një ëndërr në diell nëse nuk ke mbështetje. Ndryshe do të të quajnë “i marrë” siç thonë shkodranët. Kur i thash z. Laze Leskaj se dua t’i grumbulloj të gjithë shqiptarët që luajnë futboll për qejfin e tyre, në një kupë ai më hodhi një sy për të parë seriozitetin tim, u mendua pak dhe më tha do flasim me z. Hysni Marku. Z. Marku është një intelektual dhe një mik i imi. Por nuk e dija që ai do më jepte kartë të bardhë me atë mbështetjen e tij pa kufi. Kur shkova tek z. Leskaj dhe z. Marku aty në palestrën ku ata luanin dhe ata i njoftuan miqtë e tyre të mblidheshin sepse unë doja t’u transmetoja një njoftim ata u grumbulluan dhe ndërkohë që unë u bëja të ditur “ëndrrën” time “... ju luani për qejf ç’do të shtunë ... pse të mos luani para familjeve tuaja me ekipe të tjerë si Ju dhe kështu të organizojmë një kupë...” qe pak a shumë ajo që u thash unë... Arturi (Artur Gjidede...) u hodh i pari dhe tha “Nuk e di të tjerët por unë jam dakord!” Po ashtu u shprehën edhe të tjerët. Njëri që unë nuk e njihja më tha “Ajet, kjo është ide e shkëlqyer por ty të faleminderit që erdhe dhe na bëre të pushojmë se ne këtu nuk na gjen ndonjë herë të heshtur...” Pritja që i bënë ata propozmit tim të bënte jo vetëm t’a ushqeja këtë ëndërr apo dëshirë por edhe çdo kthim mbrapa do ishte ...turp...

Po ato ditë takova edhe mikun tim Korab Xharra që edhe ai kishte disa shok që luanin futboll të dielave që e përkrahu pa rezerva nismën por me vrejtjen e drejtë që aktiviteti të ishte serioz në nivelin e një aktiviteti familjar. E njëjta pritje edhe në lagjen LaSalle ku takova z. Gëzim Shabani. Pasi u sigurova që kjo ide ishte jo vetëm e realizueshme por edhe e pritur me doza entuziazmi, kësaj nisme i integrova edhe krijimin e faqeve të verdha të bizneseve në Montreal, gjë që e kisha nisur prej vitesh por kurrr nuk e kisha realizuar. Realiteti i krijuar në këto vitet e fundit, ku shumë shqiptarë kanë sipërmarrjet e tyre më shtyu ta integroj këtë projekt tek organizimi i kupës për t’i dhënë një vend të privilegjuar njohjes nga bashkatdhetarët tanë biznesmenë, të këtyre investisorëve apo sipërmarrësve.

I sigurt që aktiviteti do pritej mirë u dërgova mesazh gjithë bashkëkombasve të mi këtu në Montreal ku i njoftoja për aktivitetin. Nga mesazhet që më dërguan kuptova se aktiviteti ishte i realizueshëm. Po atë javë kryesia e Bashkësisë shqiptare të Kebekut në Montreal, shqyrtoi nismën dhe doli në përkrahje të nismës duke marr përsipër edhe pjesmarrjen në përgatitjen e aktivitetit. Kryetari i shoqatës z. Kujtim Ismaili si dhe z. Besnik Bashi ishin të kontakt të përhershëm me mua dhe me ekipet e krijuara.

Dua t’u them se organizimi i një aktiviteti të tillë nga ana logjistike dhe mbledhja e të gjithë elementeve së bashku është një kokëçarje më vete. Po përmend disa elemente si rezervimi i fushës, krijimi i ekipeve, krijimi i rregullave, hedhja e shortit, thirrja për biznesmenët, pagesa, pagesa, pagesa... Nëse nuk do të ishte krijuar një grup pune, për shkak të mungesës sime prej 10 ditësh, në fund të majit ndoshta aktiviteti nuk do ishte zhvilluar. Por, falë punës së grupit të punës shumë elemente të përgatitjes u realizuan edhe me mungesën time. Dua të nënvizoj ndihmën e pakursyer të drejtuesve të organizmit CACI ( Centre d’appui aux communautés immigrantes) drejtoreshës së përgjithëshme, zonjës Anait Aleksanian dhe ndihmësit të saj Ramon Carrasco që na vunë në dispozicion lokalet e organizmit për mbledhjet tona të fund-javës.

Disa ditë para së dielës 5 qershor 2011 të gjitha mediat njoftonin për shi. Vendosëm që edhe në shi kupa të zhvillohet... Por, natyra ishte me ne. Një ditë para, të shtunën, mediat njoftuan ndryshimin e kohës dhe kjo për mirë. Nuk ka shi për të dielën. Dhe jo vetëm kaq. Më njoftuan se ambasadorja e re e Shqipërisë në Kanada e cila i kishte dorëzuar letrat kredenciale tek Guvernatori i Përgjithshëm i Kanadasë më 18 maj kishte konfirmuar pjesëmarrjen. Pra, ajo do të merrte pjesë në aktivitetin e parë të saj me shqiptarët e Montrealit.

Në orën 11 që unë shkova në parkun ku ndodhej fusha, dhjetëra shqiptarë ishin rreth fushës. Shumë e shumë të tjerë iu shtuan turmës në vazhdim. Ishte kënaqësi të shikoje kaq e kaq shqiptarë, të rritur dhe të vegjël të merrnin pjesë në këtë aktivitet. Aty nga mesdita pas disa përshëndetjeve të shkurtra që bëra unë, kryetari i Bashkësisë Shqiptare të Kebekut në Montreal z. Kujtim Ismaili dhe ambasadorja e Shqipërisë në Kanada znj. Petoshati, filloi aktiviteti sipas shortit të hedhur më parë.

Unë u kërkova pjesëmarrësve të respektonin njëri-tjetrin për të mos patur ndonjë plagosje sepse çdo njëri nga pjesëmarrësit ka një familje dhe përgjegjësi që vijnë pas kësaj.... Por mund të them se aktiviteti u zhvillua me në respekt të jashtëzakonshëm aq sa është me të vërtet për t’u habitur. Madje dyshoj se gjaku ynë i nxehtë ballkanik na është ndryshuar... apo është ëmbëlsuar...

Do të doja të flisja për ç’do ndeshje të kupës pasi njëra ishte më e bukur se tjetra. Sidoqoftë do të përmend ndeshjen mes Vllaznisë dhe Kastriotit ku fituesi u shpall nëpërmjet penalltive dhe dy ekipet u ndan me shtrëngim duarsh si miq të vjetër.

Në finale dolën Tirona (shqiptimi sipas dialektit tiranas...) dhe Ferizaj. E ku mund të kishim një duel më të bukur sesa përplasja e dy ekipeve që mbanin emrat e dy qyteteve shqiptare në dy shtetet aktuale të shqiptarëve. Dy qytete të ndryshme, ndër ta njëri përfaqëson kryeqytetin e asaj që quhet Shqipëria londineze ndërsa tjetri ndonë përfaqëson një qytet shumë më të vogël simboli është po aq i madh. Të dy ekipet ishin më të kompletuar nga ana teknike. Secili nga ekipet kishte një staf prej dy deri në tre vetash që kujdeseshin për përgatitjen teknike të ekipit. Nga ana e Tironës në përgatitjen e ekipit u morën zotërinjtë Sokol Allushi dhe Genci Trebicka ndërkohë që ekipi i Ferizajt kishte zotin Ruzhdi Ahmeti dhe dy ndihmësit e tij Sejdi e Enver Sejdiu.

Para finales, në emër të organizatorëve u dhurova dy ekipeve finaliste bluza të blera enkas në Tiranë, bluza me simbolet kombëtare.

Pastaj finalja. Një ndeshje që ishte në nivelin e një finaleje ... e ngjeshur me raste, e pasur me gola dhe e pastër në shkëmbimet mes futbollistëve. Sidoqoftë ...kur dy vezë përplasen, njëra do thyhet... dhe në fakt Ferizaj u thye para ekipit të Tiranës. Me një rezultat të pastër prej 4 me 1 Tirana u shpall fituese e së parës kupë futbolli organizuar nga shqiptarët që jetojnë në Montreal dhe rrethina.

Faqet e verdha të bizneseve në Montreal

E organizuar për herë të parë në Montreal, realizimi i një liste me bizneset në Montreal mund të themi pa frikë që ishte një sukses më vete. Si çdo fillim që ka vështirësitë e veta edhe ky aksion sigurisht nuk bënë përjashtim por vet fakti që u arrit të mblidhen plotë 13 biznese shqiptare dhe tre biznese kanadeze që duan të bëjnë biznes me shqiptarët në Montreal, tregon se edhe shqiptarët këtu në Montreal janë të ndërgjegjshëm se duhet bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe se edhe biznesmenët e komunitetit tonë mund të japin ndihmesë në përparimin e shumë objektivave që shqiptarët e Montrealit kanë si bashkësi. Rëndësi ka që secili të shikoj vetveten në realizimin e një aktiviteti. Nja dy kuriozitete rreth bizneseve shqiptare në Montreal. Biznesmenët shqiptarë këtu në Montreal kanë mes tyre edhe milionerë. Në Montreal është diplomuar i pari veteriner në Amerikën e Veriut. Bizneset më të shumta të shqiptarëve të Montrealit janë në fushën e riparimeve dhe ndërtimeve.

E theksova pak më sipër se patëm fatin të kemi në mesin tonë ambasadoren e porsa emëruar të Shqipërisë në Kanada znj. Elida Petoshati. Nuk e kam njohur nga afër dhe as nuk kam qëllim këtu të bëjë biografinë e saj. Unë do të desha të shpreh mirënjohjen për pjesëmarrjen e saj në aktivitetin tonë, atë përkushtim për të marr pjesë në të gjitha fazat e aktivitetit(aktiviteti zgjati mbi 5 orë...), atë thjeshtësi që e karakterizonte. Ajo mori pjesë që nga fillimi ku ajo iu drejtua të pranishmëve me një fjalim të shkurtër ku ajo shprehu kënaqësinë që i fillonte aktivitetet e saj si ambasadore me një aktivitet të shqiptarëve të Montrealit edhe për faktin që ajo është njohëse e mirë e gjuhës frënge. Ajo u shpreh e mahnitur për atë valë atdhedashurie që shprehnin shqiptarët e Montrealit që nga të vegjlit gjerë tek më të rriturit që shprehej sidomos në veshjet dhe simbole të tjera me të cilat të pranishmit paraqiteshin në këtë aktivitet por edhe nga fakti i përkushtimit për të kryer një aktivitet gjithëpërfshirës. Ajo shprehu angazhimin e qeverisë për të ndihmuar sado pak për të forcuar lidhjet e diasporës me atdheun. Zonja Petoshati dhe këshilltari i ambasadës z. Taip Sulko, takuan çdo ekip dhe u fotografuan me të gjithë duke u lënë të pranishmëve nga një kujtim më shumë nga kjo ditë e madhe. Përfitoj nga rasti t'i uroj znj. Petoshati një mandat të suksesshëm në Kanada dhe bashkëpunim sa më të frytshëm mes ambasadës dhe komuniteteve shqiptare këtu në Kanada.

***

Aktiviteti mendoj se ishte i suksesshëm por ka vend për përmirësime. Këtu unë desha të nxjerr anët pozitive të tija, anë që na nxisin për të bërë edhe më shumë për t'u afruar me njëri-tjetrin, për të mbajtur gjallë shqiptarizmën dhe gjithë ato vlera pozitive që ne kemi mbartur nga atdheu ynë dhe që ua shtojmë vlerave të shkëlqyera të atdheut tonë të dytë, Kanadasë.

* Dërguar nga autori, Montreal, qershor 2011

KOMENTE