English

20 vjet PS? Oi, oi, oi! Ha, ha, ha!

Nga Edmond Tupja

Në mes të këtij ankthi apo makthi zgjedhor që ka përfshirë tërë jetën politike në vend, Kryesia, madje, më saktë, kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, nuk harroi të kremtonte, me bujë e salltanet, 20-vjetorin e të ashtuquajturit themelim të kësaj partie. Tërë mediat tona elektronike e të shkruara e pasqyruan këtë “eveniment” apo, siç thuhet këto vitet e fundit, këtë “event”, por askush ose thuajse askush nuk u kujtua të theksonte se kremtimi në fjalë ishte maska e tejdukshme e një farse, e një mashtrimi të madh në historinë e politikës shqiptare. Po t’i drejtohemi “Fjalorit të gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) dhe të përqendrohemi te fjala “themelim”, do të vëmë re – nëse dimë mirë shkrim e këndim – se ajo vjen nga fjala “themeloj”, e cila, në kuptimin e mirëfilltë, do të thotë “i hedh themelet një ndërtese, nis të ngre një qytet etj.”, ndërsa, në kuptimin e figurshëm, do të thotë “krijoj a formoj një organizatë, një shoqatë etj.; hedh i pari themelet e diçkaje”.

Tani, duke mbajtur parasysh këtë përkufizim, le t’i referohemi shkurtazi historisë së politikës shqiptare të para njëzet vjetëve: Në qershor të vitit 1991, në kongresin e saj të fundit, kongres vazhdimësie, siç u nënvizua edhe atëherë, bash në mbyllje të tij, Partia e Punës së Shqipërisë, duke ruajtur të njëjtat efektiva, të njëjtat struktura të dukshme e të padukshme, të njëjtat metoda, si edhe, nën rrogoz, disa frymëzime e kahje ideologjike gati të njëjta, nxitoi të ndryshonte një të tretën e emrit të saj duke e kthyer atë në “Partia Socialiste e Shqipërisë”. Nga ana tjetër, ajo ruajti e ruan edhe sot e kësaj dite organin e saj qendror, gazetën “Zëri i Popullit”; ajo nuk i kërkoi dhe ende nuk i ka kërkuar ndjesë popullit shqiptar për krimet e përbindshme të Enver Hoxhës e të bashkëpunëtorëve të tij gjatë dhe pas Luftës Nacional-Çlirimtare. Prandaj, do të ishte objektivisht e historikisht më e saktë të flitej e të shkruhej për 20-vjetorin e ndryshimit të emrit të PPSH-së në PSSH. Rrjedhimisht, më vjen njëkohësisht për të qarë (oi, oi, oi!) dhe për të qeshur (ha, ha, ha!) kur dëgjoj të flitet e shoh të shkruhet pa pikë përgjegjësie për “themelim” e për “(bashkë)themelues” të PS-së, sidomos në një kohë kur ende janë gjallë, me mendje e veçanërisht me kujtesë të kthjellët, dëshmitarët pamorë dhe/ose dëgjimorë të ngjarjes në fjalë.

Partia Socialiste është një avatar tragjikomik i Partisë së Punës, kjo nuk lë asnjë gjurmë dyshimi: “avatar” në kuptimin që kishte, dikur, kjo fjalë në fenë indu, d.m.th. “secili nga mishërimet e perëndisë Vishnu”, por edhe në kuptimin që ajo ka sot në zhargonin e internautëve, d.m.th. “përfaqësim virtual i krijuar nga njëri prej tyre për të lundruar në siberhapësirë”. Gjithsesi, unë falënderoj udhëheqjen e PPSH-së së para njëzet viteve që veproi kështu, sepse, po të kishte vepruar ndryshe, unë nuk do të kisha pasur mundësinë ta trajtoja pikërisht këtë fakt në rubrikën time të së dielës. “Si ndryshe?”, zoti Tupja – mund të hidhet e të pyesë me shumë të drejtë lexuesi im i vëmendshëm dhe i paanshëm. Ja përgjigjja ime:

Sikur udhëheqja e atëhershme e PPSH-së 1) ta kishte shpërndarë, shkrirë e shpërbërë Partinë e Punës, 2) të kishte krijuar një grup nismëtar për themelimin, pra, për krijimin, nga e para, e një partie tjetër me një tjetër emër (p. sh. socialiste, pse jo?), 3) të kishte denoncuar publikisht krimet e Enver Hoxhës dhe të sistemit të tij diktatorial, 4) të kishte zgjedhur një emër, përmbajtje e formë tjetër për organin e saj të shtypit, 5) t’i ishte drejtuar, pas këtyre përçapjeve, Ministrisë së Drejtësisë të asaj kohe për legalizimin e kësaj partie ende virtuale (ashtu siç veproi grupi nismëtar për themelimin e Partisë Demokratike), 6) etj., etj., atëherë po, unë sot nuk do të kisha absolutisht asnjë të drejtë morale të ngrija zërin për të thënë se “kremtimi me bujë e salltanet i 20-vjetorit të themelimit të kësaj partie ishte maska e tejdukshme e një farse, e një mashtrimi të madh në historinë e politikës shqiptare”, madje, kushedi, me gjasë, do të isha anëtarësuar në këtë parti socialiste me kusht, gjithsesi, që ajo të ishte vërtet e brumit europerëndimor, mundësisht skandinav.

Gazeta “Panorama”

KOMENTE