English

Përfundon numërimi për njësinë 3, Basha në avantazh me 76 vota

Tiranë, 19 qershor 2011, NOA Update – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar hapjen e kutive dhe numërimin e votave të kontestuara të hedhura në kutitë e gabuara për KZAZ-në nr. 47, që i përket njësisë bashkiake nr. 3 në Tiranë, duke përmbyllur procesin për tre minibashki të Tiranës.

Gjatë pasdites së sotme u numëruan 117 kutitë e 32 qendrave të votimit të minibashkisë nr. 3, pasi 11 kuti ishin numëruar në procesin e mëparshëm në KQZ.

Gjatë procesit të numërimit në të tetë grupet e vendosura në KQZ rezultuan 20 vota të kontestuara në favor të kandidatit të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Lulzim Basha, dhe 36 vota për kandidatin e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” Edi Rama.

Të gjitha këto vota të vlefshme të hedhura në kutitë e gabuara janë tabuluar më pas në tabelat përfundimtare të çdo qendre votimi.

Tashmë në bazë të votave të gjetura diferenca mes dy kandidatëve është ulur, dhe Lulzim Basha është në avantazh me 76 vota para, kundrejt rivalit të tij Edi Rama.

KQZ nisi hapjen e kutive të bashkisë së Tiranës në bazë të vendimit të Kolegjit Zgjedhor që vendosi në 13 qershor hapjen e të tëra kutive të bashkisë së Tiranës.

Ky proces në KQZ nisi pas miratimit të djeshëm të akt-vendimit për të numëruar të gjitha fletët e kontestuara të hedhura në kutitë e gabuara, në të gjitha qendrat e votimit të Tiranës si dhe për të kqyrur të gjitha zarfet me fletët e pavlefshme, si edhe fletët e vlefshme, të cilat gjenden jashtë zarfit me fletë të kontestuara me qëllim që çdo votë e hedhur gabimisht të shkojë për kandidatin e votuar nga zgjedhësit.

Gjatë këtij procesi që pritet që me këto ritme të zgjasë deri në fundjavën e ardhshme do të numërohen fletët e votimit të kontestuara në 1793 kuti votimi, që i përkasin 368 qendrave të votimit të bashkisë së Tiranës, nga 485 gjithsej së ka Tirana.

Mbledhja e nesërme e KQZ-së do të vijojë në orën 09.30 minuta me hapjen e kutive të KZAZ-së nr. 48, që i përket minibashkisë nr. 4 në Tiranë dhe numërimin aty të fletëve të hedhura në kutitë e gabuara.

Njësia bashkiake nr. 4 ka 43 qendra votimi apo plot 172 kuti për t’u numëruar.

Gjithsesi është e natyrshme se beteja e numrave për Tiranën do të vijojë me ngushtimet apo me avancimet me vota të kandidatëve në bazë të numërimit të votave të hedhura në kutitë e gabuara që gjenden dhe vlerësohen gjatë hapjes së kutive.

Deri në hapjen e kutisë së fundit në KQZ beteja për bashkinë e Tiranës vazhdon....

mit/NOA

KOMENTE