Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Ndarja është e thellë; nuk ka vend midis
English

Ndarja është e thellë; nuk ka vend midis

Nga Mustafa Nano

Një njeri i afërm që m’i lexon të gjitha shkrimet përpara se unë t’i publikoj (kam nevojë të marr qoftë dhe një feedback të vetëm përpara se të marr feedback-un “e madh”), me të lexuar artikullin “Ç’do bëhet me opozitën?” të datës 14 të këtij muaji, më tha: përgatitu, se do kesh shumë reagime. Kish të drejtë. Të nesërmen, një numër televizionesh të krahut të pushtetit e kishin marrë shkrimin, e kishin shtrydhur, kishin sajuar një lajm me titullin e përafruar “anti-berishiani i palodhur, Mustafa Nano, e konsideron Edi Ramën një dizastër”, dhe e kishin futur në transmetim seri. Përveç kësaj, po këto televizione e kishin lexuar shkrimin në edicione speciale ashtu si lexoheshin njëherë e një kohë editorialet e fortë të Zërit të Popullit të shkruar nga Enver Hoxha, Ramis Alia, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Spiro Dede, Foto Çami etj. Nuk më qëlloi të ndodhesha para ndonjë ekrani atë ditë, rrjedhimisht nuk pata mundësi t’i ndiqja, por kjo ishte ndjesia që më përcollën disa miq të mi. Isha bërë star i këtyre televizioneve për një ditë. Jo keq, do thosh ndonjë usta i PR-it.

Tri gjëra dua të nënvizoj me këtë rast. Së pari, këto televizione, ndoshta si rrallëherë kohët e fundit, dhanë një informacion të patrukuar. Më cituan në mënyrë tekstuale e pa më nxjerrë nga konteksti, e kjo ndoshta vjen prej fakti që tekst e kontekst ishin një në atë shkrim. Së dyti, mesazhi i nënkuptuar që përcillej (jo prej lajmit, por prej zellit për ta gjuajtur këtë lajm) ishte paradoksalisht i pasaktë: “hej, çdo gjë është ok me zgjedhjet, të cilat i ka humbur opozita; ndryshe gazetarët në mbështetje të saj, si Mustafa Nano sidozot, nuk kishin pse të nxitoheshin për të bërë kokëturku Edi Ramën”. Së treti, edhe pse më citonin saktësisht, ata më përdornin, megjithatë. E di, është puna e tyre të përdorin kë të duan. Unë nuk i ndaloj dot. Nuk kam asnjë të drejtë t’i ndaloj. Një gjë mendoj se duhej ta bënin, amá. Nuk do të ish keq (do të ish e këshillueshme, sipas meje) t’më merrnin në telefon e t’më kërkonin t’ua shpjegoja me zë e figurë “këtë shpërthim timin, që kish lënë pa gojë ata vetë”. Vetëm kështu do të ishin në binarë profesionalë. E duke mos e bërë, mbetën në binarë propagandistikë.

Por reagimet nuk mbarojnë këtu. Kam pasur atë ditë, dhe një e dy ditë më pas, një numër të madh telefonatash, sms-ësh, letrash elektronike, komentesh të rastit në rrugë e në mjedise të tjera publike, tentativa kureshtare për t’më kontaktuar online e offline, etj., etj. Binin në sy berishianët, të cilët më përgëzonin në mënyrën më të pazakontë. Disa e bënin thjesht, ngaqë kritika ndaj Edi Ramës ishte “me sëpatë”. Disa të tjerë e bënin, ngaqë kishin rast të vlerësonin tek unë një qasje neutrale, që nuk para e kishin hasur herë të tjera (po tek unë, kuptohet). Nuk jam dakord as me të parët, as me të dytët. Me të parët, merret vesh pse. Shkrime si ky i imi sjellin hare mes tyre, pasi opozitës po i vërsulen “të vetët”, dhe me këtë lloj opozite që na bëka hara-kiri, Berisha, tok me ta, mund të vijojnë të papenguar t’i nxjerrin ujë të zi këtij vendi.

Ndërsa me të dytët nuk jam dakord lidhur me neutralitetin, që ata çuditërisht e gjejnë dhe e çmojnë tek unë pikërisht tani (në fakt, e çmojnë kot, pasi unë, prapëseprapë, nuk jam neutral), e që ata krejt papritur na e sublimokan. Dhe me siguri e sublimojnë me idenë se neutraliteti është medemek objektivitet. Në fakt, neutraliteti nuk është domosdoshmërisht objektivitet; neutraliteti mund të jetë konstruktiv, i paqtë, mund të jetë ajo gjëja e butë, e pafajshme, e balancuar, e shtruar, deri dhe e nevojshme, sidomos në rrethana të një konfliktualiteti të dukshëm, por nuk është e thënë të jetë objektivitet. Nuk ka asnjë rregull, apo parim, apo aksiomë, apo teoremë, që të na thotë se e vërteta në rrethanat kur dy palë zihen mes tyre për të (për të vërtetën), gjendet në mes të segmentit që bashkon qëndrimin e njërës palë me qëndrimin e palës tjetër. Mund të qëllojë të jetë kështu, por thjesht qëllon; ashtu siç mund të qëllojë, që e vërteta të jetë njësh me qëndrimin e njërës prej palëve, e në këtë kuptimin e fundit nuk kemi pse të çuditemi me ata gazetarë apo intelektualë publikë, që në debatin politik rreshtohen qartë me njërën prej palëve.

Ka plot arsye të rreshtohesh me ndonjërën prej palëve; dhe një arsye mund të jetë “aftësia” për të zgjedhur në rastin më të mirë mes opsioneve “i mirë” e “më i mirë”, e në rastin më të keq mes opsioneve “i keq” dhe “më i keq”. Nuk lipset ndonjë aftësi çudibërëse, apo jo? Robi zgjedh kollaj-kollaj opsionin “i keq”, dhe refuzon me bindje opsionin “më i keq”. Kjo është ajo që kam bërë unë gjatë gjithë kohës. Mund të kem gabuar, pasi mund të kem marrë “më të keqin” për “të keq”, dhe anasjelltas? Edhe mundet. Çdo zgjedhje e bërë bart në mënyrë fiziologjike një koeficient gabimi, gjë që s’na pengon, megjithatë, të bëjmë zgjedhjen tonë, e të luftojmë për të plot pasion. Këtë e bëjmë të gjithë dhe prandaj s’na mbetet gjë tjetër, veçse të pranojmë e njohim të drejtën e secilit për të zgjedhur nën urdhrin e rradakes së vet në kushte lirie, përsëris, në kushte lirie, duke qenë të bindur se njerëzit e lirë mund të qëllojë të zgjedhin dhe gabim. Për mua, fjala vjen, berishianët e sotëm kanë bërë dy herë zgjedhjen e gabuar, së pari sepse janë bërë me pushtetin, e së dyti sepse janë me Berishën. E kam fjalën për berishianët që kanë zgjedhur në kushte lirie të jenë berishianë. Të tjerët nuk janë pjesë e këtij diskutimi.

Të kuptohemi, nuk heq asnjë presje nga ato që kam thënë në adresë të Edi Ramës në shkrimin e fundit. Shumë socialistë janë tërbuar me mua pas ditës që u publikua shkrimi “Ç’do të bëhet me opozitën?”, gjë që e kanë shprehur në lloj-lloj formash, dhe ky fakt më ka bindur përfundimisht se në Shqipëri, nëse ka një gjë që s’e pranojnë, kjo gjë janë njerëzit që s’dihet me kë janë, njerëzit që s’janë as andej, as këtej, apo edhe andej, edhe këtej. Këtejpari, kundërshtarin e njohin; njohin dhe të drejtën e kundërshtarit për të ngritur zërin e për të rezistuar, protestuar, garuar dhe fituar; nuk është se u vjen mirë, por e pranojnë këtë situatë; me sa duket, intuita i bën të kuptojnë gjënë më fillestare, se në demokraci askush nuk mund të ekzistojë e nuk mund të ketë kuptim pa kundërshtarin.

Ndërsa atyre të tjerëve, që s’janë as kundërshtarë, as si ata vetë, s’e kanë për gjë t’u japin munxët. Njerëzit “midis”, ata që shpërndajnë kritika majtas e djathtas, maverick-ët, janë shumë të çuditshëm për sytë e tyre, janë si alienë, u dalin nga skema, nga rendi i thjeshtë e binar i gjërave, me kundërshtarët nga njëra anë e me ata vetë nga ana tjetër; njerëzit “midis” krijojnë çoroditje e shthurje në trurin e tyre; ata sillen si pala e tretë, dhe është pikërisht kjo që s’kuptohet. Dhe ajo që s’kuptohet, ndodh dhe që urrehet. “Paske rrëshqit dhe ti”, “të bleu dhe ty Berisha”, “po ti s’qënke me ne?”, “e nxore kokën më në fund?”, këto ishin disa prej mesazheve që mora ato ditë të jehonës së shkrimit. Trishtim i madh, apo jo?

Pati dhe plot socialistë të tjerë që më përgëzuan sinqerisht për shkrimin (ca syresh e shoqëronin përgëzimin me vëzhgimin: ke të drejtë, por duhet të kishe gjetur një kohë më të mirë). Pati më shumë se sa e prisja. Nuk di nëse këta janë kundër Edi Ramës (nuk më intereson ta di), por në çdo rast tregojnë se kanë një fakultet kritik mbi botën, së cilës i përkasin (në këtë rast, mbi Partinë Socialiste, apo mbi opozitën), dhe kjo sjellje është bash ajo që i dallon nga militantët e ndërkryer. Këta të fundit gjenden me shumicë në Partinë Socialiste, por gjenden edhe ca më shumë në krahun e në partinë e Berishës, gjë që nuk lë fare hapësirë për zhvillimin e atij fakultetit kritik, që unë e gjeta me këtë rast tek ca socialistë e që berishianët e zbuluan tek unë, pa u vajtur mendja se s’do ishte keq të bënin një përpjekje minimale për ta zbuluar tek vetja e tek të vetët. Sa kohë ka që nuk është dëgjuar një zë kritik në ato anë? Njëqind vjet? Njëmijë? Ndoshta më shumë. Është për të ardhur keq. Sikur shkrimi im të ketë shërbyer për t’i vetëdijësuar mbi këtë fakt, unë do të isha shumë i lumtur. Por është e qartë që shkrimin nuk e kam bërë për këtë gjë. Shkrimin e kam bërë për të përcjellë ato mesazhe, të cilat vetë berishianët nuk kanë hequr shumë për t’i kapur.

Gazeta "Shqip"

KOMENTE