English

Shuberti dhe 8 maji

Nga Edmond Tupja

Deri dje, zgjedhjet vendore të 8 majit ende po i mbanin peng politikbërësit dhe politikpësuesit në Shqipëri: Tirana po përpëlitej në pritje që të shpallej më në fund fituesi i Bashkisë së saj: Rama apo Basha? Suspense, siç thonë anglezët, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve te Kolegji Zgjedhor dhe anasjelltas. Tensione lart, por tensione edhe poshtë, tek njerëzit e thjeshtë: lart, dy parti të mëdha, PS-ja në opozitë dhe PD-ja në pozitë, dy popuj – ai opozitar, pra, i majtë, sipas terminologjisë së zotit Rama, dhe, detyrimisht, tjetri, ai pozitar, gjithnjë sipas logjikës dikotomike të zotit Rama; poshtë: militantët e simpatizantët e njërës palë përballë militantëve e simpatizantëve të palës tjetër dhe, meqenëse shumica dërrmuese e shqiptarëve janë ose kushërinj, ose krushq, konfliktualiteti vazhdon midis familjarësh, miqsh, shokësh, kolegësh etj., etj. Për pasojë, kemi një polarizim gati të skajshëm të qëndrimeve të opinionit publik shqiptar, ose, siç shprehen të huajt, një përplasje shqiptaro-shqiptare.

Mirëpo, deri dje, paralelisht me këtë situatë, kishte nisur të vihej re njëfarë lodhjeje apo, më saktë, njëfarë tejngopjeje e disa fragmenteve të opinionit publik shqiptar nga kjo situatë që po zgjaste deri në bezdi, madje, për disa, deri në neveri. Përherë e më të shumtë po bëheshin ata që kërkonin, edhe majtas, edhe djathtas, që kjo gjendje gati e padurueshme të merrte fund sa më shpejt, pak rëndësi kishte se kush do të shpallej fitues e do të drejtonte Bashkinë e Tiranës. Dhe, tek dëgjoja përmbipardje dikë – dikë të panjohur fare – të thoshte duke psherëtirë: “Aman, të marrë fund kjo histori, se na është bërë si makth: Rama apo Basha, Basha apo Rama, Ramabasha apo Basharama, Ramshkia apo Bashkia, maRa apo shaBa, aRam apo ashaB, h(a)Ram apo (h)ashaB! Kur ka për të mbaruar, pra, e gjitha kjo?”, nuk e di përse dhe si më erdhi ndër mend krejt vetvetiu, d.m.th. fare pa dashje, Shuberti, kompozitori i famshëm romantik në Austrinë e fillimit të shekullit XVIII. Pasi e analizova për disa çaste këtë dukuri deri diku të çuditshme, pata përshtypjen sikur e gjeta arsyen: tjerrja pambarimisht e “8 majit” shqiptar më kishte sjellë në kujtesë pikërisht Shubertin sepse ky ka kompozuar në vitin 1822 një simfoni të quajtur “Simfonia e pambaruar”. Sot, ende mendoj që si KQZ-ja, ashtu edhe Kolegji Zgjedhor do të kishin bërë mirë sikur tërë hulumtimet, gjurmimet, zhbirimet, rrëmimet, akrobacitë, kërkimet dhe verifikimet e tyre t’i kishin bërë nën tingujt e kësaj simfonie! Sigurisht që kjo simfoni do ta kishte zbutur deri diku agresivitetin e zotit Rama, e fansave, e deputetëve, e militantëve dhe të simpatizantëve socialistë. Përse? Sepse “Simfonia e pambaruar” është në “si minor” dhe sepse PS-ja është në minorancë! Por, nga ana tjetër, për të mos u treguar të padrejtë me PD-në dhe zotin Berisha, KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor do të kishin bërë mirë që, herë pas here, punën e tyre të (stër)zgjatur e të (stër)mundimshme ta kishin kryer nën tingujt e një tjetër simfonie të Shubertit, që quhet “Simfonia e madhe”, të kompozuar në vitin 1828. Përse më vajti mendja pikërisht te kjo simfoni? Sepse ajo është në “do maxhor” dhe sepse PD-ja është në maxhorancë! Por, duke u marrë me këto simfoni, mendja më shkoi, de fil en aiguille, siç thotë frëngu (fjalë pas fjale), te dy autorë të tjerë simfonish, Berliozi dhe Dvoraku. I pari ka kompozuar, ndër të tjera, “Simfoninë fantastike”, tingujt e së cilës do ta ilustronin shumë bukur situatën e sotme paszgjedhore në Shqipëri, e cila, me tejzgjatjen e saj të koklavitur, me zigzaget e marifetet e saj, me siguri po i dukej fantastike, e pabesueshme, faktorit ndërkombëtar. I dyti, pra, Dvoraku, ka kompozuar, ndër të tjera, “Simfoninë e Botës së Re”, tingujt e së cilës do t’i përshtateshin më së mirë mendimit që, me gjasë, ka nisur të piqet në mendjen e ndërkombëtarëve se Shqipëria tranzitore ende është mirëfilli një “botë e re”, një botë që ata ende nuk kanë mbaruar së zbuluari, plot të papritura specifike të papërsëritshme, sidomos në periudha paszgjedhore.

(Gazeta Panorama)

KOMENTE
  • Alban Memushi15:27 - 26 Qershor 2011
    U zgjua tupja dhe foli flet per topet , por nuk harron se dhe vet eshte nje tope krejt . Flasin por c'thon nuk kan sy e te shikojn , shqiperia eshte katandisur ne duart e rrugacit e te ligut !.