English

Pas kapjes së të dyshuarve, pistë konkrete hetimi për vrasjen e Nadienit

Tiranë, 29 Qershor 2011 NOA - Identifikohet dhe kapet në kryeqytet autori i vrasjes së Nadien Zenelit dhe i plagosjes së dyfishtë, zbardhet motivi i gjakmarrjes si pistë e krimit.

Ngjarja ndodhi më datë 13 Qershor 2011, në rrugën “Ismail Qemali” Tiranë, përpara lokal Baroque, ku mbeti i vrarë me armë zjarri pistoletë Nadien Faik Zeneli, 32 vjeç, lindur në Ternovë Dibër e banues në Fushë Krujë.

Sot u mor masa e arrestit të menjëhershëm ndaj autorit të vrasjes dhe plagosjes së dyfishtë, të Marklen Lutfi Haka, 22 vjeç, lindur dhe banues në Nikël Krujë.

Markleni, dyshohet se më datë 13 qershor të këtij viti, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, që për arsye hetimi nuk mund të bëhen publike, ka qëlluar disa herë me armë zjarri të tipit pistoletë, mbi shtetasin Nadien Zeneli duke e vrarë atë si dhe plagosur Bledar Miha dhe Tafë Mandri.

Vrasja e Nadien Zeneli, dyshohet të jetë bërë për motive gjakmarrjeje, pasi viktima dyshohej nga familja e Marklen Haka si autor i vrasjes se Roland Lutfi Haka ngjarje kjo e ndodhur ne vitin 2004 në qytetin e Krujës.

Po ashtu, në lidhje me këtë ngjarje, u arrestua dhe i ati i Marklenit, Lutfi Beqir Haka, 59 vjeç, lindur dhe banues në Nikël Krujë, ndaj të cilit u mor masa e arrestit për veprën penale të “Mbajtjes pa leje te armeve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga neni 278/2 K.Penal.

Gjate kontrollit të imtësishëm në banesën e të dyshuarit, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy armë automatike mod.56 si dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh.

Në këtë ngjarje mbetën të plagosur Tafë Ukë Mandri, 23 vjeç, dhe shtetasi Bledar Nazif Miho, 25 vjeç, të cilët menjëherë pas ngjarjes u dërguan në Spitalin Ushtarak Tiranë.

Në vendngjarje Oficerë të Policisë për Hetimin e Krimeve të Rënda, bënë sigurimin dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes, duke mbledhur dhe administruar provat.

Për hetimin e kësaj ngjarjeje, ishte ngritur një grup i posaçëm hetimor, të cilët kryen proçedurat e marrjes në pyetje e veprimeve të tjera hetimore dhe proçeduriale.

Sa më sipër, si rezultat i hetimeve të gjithanshme me metodat speciale të hetimit, dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë i mundur zbulimi, dokumentimi, kapja dhe më pas arrestimi i autorit të vrasjes së Nadien Zenelit.

e.t/NOA

KOMENTE