Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Çfarë autoritetesh morale kërkojmë?
English

Çfarë autoritetesh morale kërkojmë?

Nga Besnik Mustafaj

Kohët e fundit po ngrihet gjithnjë e më shpesh në debatin tonë publik çështja e mungesës së autoriteteve morale në shoqërinë tonë. Siç kanë vënë në dukje, drejtpërdrejt ose tërthorazi, ata që e kanë marrë fjalën në këtë debat, një mungesë e tillë ka rënë veçanërisht në sy në periudhën pas zgjedhjeve të 8 majit, kur u krijua një tension që vazhdon ende lidhur me mënyrën si u administruan votat. Por, kjo mungesë ka nisur të përmendet publikisht edhe më herët, kryesisht për shkak të ndërprerjes radikale të komunikimit midis shumicës qeverisëse dhe opozitës parlamentare.

Ndër ata që janë shprehur më qartë për rolin e autoriteteve morale për qetësimin e vorbullës marramendëse ku gjendet shoqëria jonë ende njëzet vjet pas shembjes së diktaturës, kanë qenë disa zëra nga komunitetet fetare. Ata e kanë shtruar problemin nga pikëpamja e Biblës apo e Kuranit, duke i ilustruar arsyetimet e veta edhe me shembuj të pasur nga praktika e dobishme që gjendet në mjedisin fetar të vendit tonë, pas legjitimimit dhe ringritjes së besimit pikërisht në shërbim të triumfit të së mirës mbi të keqen, qoftë në veprimtarinë e individit e po ashtu në rrafshin shoqëror. Kjo, pa dyshim, është një pikëpamje e drejtë dhe reflekton një përvojë të lavdërueshme, dobia e së cilës nuk përcaktohet nga niveli i krizave institucionale apo shoqërore që kalon vendi. Rrjedhimisht do thënë se kjo pikëpamje mbi rëndësinë e institucioneve fetare si autoritete morale nuk i përgjigjet plotësisht shqetësimit të ngritur këto kohë mbi mungesën e autoriteteve morale në skenën tonë shoqërore e që duket një shqetësim i ndërvarur nga zhvillimet specifikisht politike në kontekstin e sotëm historik shqiptar. Të paktën unë për veten time kështu e kam kuptuar. Ndërkohë që përveç këtyre dy-tri rasteve, ku referencat kanë qenë edhe më të lehta për t’u kapur, tek të tjerët nuk kam arritur të gjej shtjellimin se çfarë kuptojnë ata me autoritete morale, të cilat shpresohet se do të ndihmonin në normalizimin e jetës sonë politike dhe shoqërore.

E kam ndjekur këtë debat me një vëmendje të veçantë për shumë arsye, të lidhura kryesisht me preokupimin e sinqertë me të cilin unë i përjetoj zhvillimet e pakëndshme në vendin tonë. Por nuk arrij ende ta përfytyroj profilin e këtyre autoriteteve morale që kërkohen dhe as kuadrin në të cilin do të vepronin autoritete të tilla. Fjala është për një kuadër që do ta bënte ndërhyrjen e tyre efektive. Në kuptimin klasik, Ismail Kadare është një autoritet moral i pranuar përgjithësisht nga shqiptarët kudo që jetojnë. Të gjithë jemi në dijeni të letrës së hapur që i dërgoi ai Bashës kur u pa se procesi i numërimit të votave për Bashkinë e Tiranës po hynte në një rrugë të gjatë, të mërzitshme dhe, për më keq, një rrugë që dukej se nuk do ta përmirësonte perceptimin për standardin e zgjedhjeve. Unë besoj se shqetësimi i Kadaresë ka qenë thellësisht i ndershëm dhe, në përgjigjen e Bashës, vura re me kënaqësi se ai e kishte mirëkuptuar arsyen që e shtynte shkrimtarin t’i sugjeronte dorëheqjen nga gara. Por, ndërhyrja publike e Kadaresë nuk pati ndikimin që ai dëshironte pikërisht pse nismës së tij të respektueshme i mungonte një kuadër, brenda të cilit Basha dhe Kadareja do të flisnin të njëjtën gjuhë. Mund të sillja edhe ndonjë shembull tjetër, sado që më pak të spikatur se ky i letrës së Kadaresë, ku përfundimi ka qenë i njëjtë, që do të thotë se në këto rrethana çështja mbetet po ajo: në çfarë kuadri do të veprojnë autoritetet tona morale, me qëllim që fjala e tyre të ketë një peshë të vërtetë mbi sjelljen dhe vendimet e politikanëve?

Unë me keqardhje e pranoj se nuk e kam një përgjigje të qartë për këtë pyetje. Ndoshta vetë përvoja e gjatë në politikë më pengon ta kem një përgjigje bindëse. Në veprën e tij madhore “Fryma e ligjeve”, që është një nga themelet më të rëndësishme mbi të cilën është mbështetur prej më shumë se dy shekujsh shtetformimi në Europën Perëndimore dhe më gjerë, në krejt botën demokratike, Monteskje thotë se ligji ka aspektin e vet juridik dhe pandashëm me të, aspektin e vet moral. Fjala është sigurisht për Republikën dhe ne jemi një republikë, funksionimi i së cilës mbështetet në një kushtetutë të pranuar si demokratike dhe të mjaftueshme për të garantuar një shtet të së drejtës. Ne, pra, si shtet dhe si shoqëri, nuk më duket se vuajmë nga mungesa e ligjeve dhe madje më së shpeshti as nga cilësia e tyre. Por ne vuajmë tmerrësisht nga cilësia e zbatimit të ligjeve, që do të thotë se aspekti moral i ligjit është ku më shumë e ku më pak i nëpërkëmbur, i përbuzur. Për pasojë, institucionet janë të dobëta e madje edhe shumë të dobëta, duke i çelur kështu rrugën protagonizmit të individëve, të cilët përkohësisht janë në krye të këtyre institucioneve. Por ata nuk duan ta pranojnë përkohësinë e vet në këto poste të larta dhe i uzurpojnë institucionet me të njëjtën arrogancë si të ishin Luigji XIV, të cilit i mbahet mend për keq edhe pas katër shekujsh deklarata se “ligji jam unë”. Luigjët tanë nuk e thonë, por e bëjnë.

një rast, i shqetësuar nga pasojat e dëmshme për mbarë shtetin dhe shoqërinë që shkaktonte moskomunikimi midis Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit, në pamundësi për të gjetur një sugjerim më origjinal, jam shprehur se për bashkërendimin normal të veprimeve midis Presidencës dhe Qeverisë nuk është e domosdoshme që Bamir Topi dhe Sali Berisha të jenë miq. Ata duhet vetëm të respektojnë me seriozitet kuadrin kushtetues, brenda të cilit rregullohen kompetencat e secilit dhe marrëdhëniet midis tyre. Por, për t’ia arritur kësaj dite, që duket kaq e thjeshtë në pamjen e parë, nevojitet që Bamir Topi të ndjehet brenda vetes si kryetar shteti dhe asgjë më pak, e po ashtu Sali Berisha të ndjehet brenda vetes, se është vetëm kryetar i qeverisë dhe asgjë më shumë. Edhe sot nuk jam në gjendje t’i shtoj diçka më shumë këtij arsyetimi, ndërkohë që marrëdhëniet midis tyre vetëm janë përkeqësuar. Cili autoritet moral mund t’i ndihmojë këta dy burra? Dhe si duhet të jetë ky “autoritet”?

E kam fjalën se kthimi i syve drejt autoriteteve morale pasqyron në të vërtetë një dëshpërim të thellë të opinionit tonë shoqëror, i cili kërkon një arsye për ta mbajtur shpresën gjallë. Roli i autoriteteve morale në demokraci është pjesë e rolit të shoqërisë civile dhe asgjë më shumë. Rrjedhimisht, këto autoritete, për aq sa kemi të tilla, kanë si armë të vetme fjalën e tyre publike, të cilën ata nuk duhet ta lënë t’u ndryshket, edhe pse fjala në realitetin tonë është shpërdoruar më shumë se gjithçka tjetër.

*Qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë personale dhe nuk prezantojnë domosdoshmërisht vijën editoriale të NOA

KOMENTE