English

Mocioni, Vetëvendosje: Thaçi i shmanget përgjigjeve për kontratën me Bechtel- Enka

Prishtinë, 30 qershor 2011, NOA- Pas seancës së interpelancës dhe mocionit të Lëvizjes Vetëvendosje për kontratën e ndërtimit të autostradës Morinë- Merdar, mes qeverisë së Kosovës dhe konsorciumit Bechtel- Enka, nga ana e saj u theksua se Kryeministri Thaçi shmanget dhe nuk përgjigjet.

Kjo deklaratë u lëshua nga grupi parlamentar i Vetëvendosjes në pauzën e kësaj seance.

Ishte kryetari i grupit parlamentar të Vetëvendosjes Visar Ymeri ai që theksoi se për rreth 56 minuta u përdorën për të diskutuar tema të tjera, në vend se të flitej për kontratën në mes të Qeverisë dhe konsorciumit Bechtel- Enka, temë kjo për të cilën ishte thirrur interpelanca.

“Hashim Thaçi inskenoi një debat me deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës se a e qeveris ky Kosovën më mirë, apo Isa Mustafa Prishtinën më mirë”, shtoi në vazhdim Ymeri”.

Sipas tij, ky ishte uzurpim i kohës së Kuvendit me qëllim të devijimit të temës.

Gjithashtu ai vuri në theks se në interpelancën e sotme koha të cilën e shfrytëzoi pozita ishte shumë më e madhe sesa lejohet me rregulloren e Kuvendit.

“Pozitës i ishte lejuar të flasë 90 minuta nga Kryetari i Kuvendit i Kosovës, përfshirë këtu edhe 15 minuta të kryeministrit, mirëpo ne të gjithë jemi dëshmitarë se ata folën shumë më gjatë, pra u shkel neni 44 i rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës, me të cilin edhe koha e pozitës është e kufizuar, në bazë të numrit të deputetëve”, përfundoi Ymeri.

Nga ana e tij Glauk Konjufca tha se ky Kuvend është degraduar në paradë të Hashim Thaçit, i cili e keqpërdor Kuvendin e Kosovës për të shmangur temat të cilat duhet diskutuar në të, pra nënshkrimit të një kontrate, tërësisht të pafavorshme për qytetarët e Kosovës, për të cilën ishte thirrur në interpelancë.

Mocioni i Lëvizjes Vetëvendosje! në interpelancën për Kontratën e ndërtimit të autostradës Morinë – Merdar, mes qeverisë së Kosovës dhe konsorciumit Bechtel – Enka

Na është thënë disa herë që ky projekt është më transparenti që është zbatuar ndonjëherë në Kosovë. Por është vështirë të kuptohet se për çfarë flet Hashim Thaçi, kur thotë transparent. Nëse me këtë mendon se është projekt i cili po shihet se është duke u zbatuar atëherë, pajtohemi me të. Kujtdo që i ka rënë të udhëtojë për Prizren apo Tiranë, nuk ka se si mos ta shoh se rruga është duke u ndërtuar. Mirëpo transparenca e domosdoshme në këtë rast, apo secilin rast të shpenzimeve dorëshlira të parasë publike, nuk është fakti që projekti po zbatohet, por çfarë është ai dhe si po zbatohet. Dhe në këtë drejtim qeveria e Kosovës është jashtëzakonisht jo transparente. Nuk e ka publikuar kontratën, as edhe një dokument të vetëm që ka të bëjë me përzgjedhjen e kompanisë, periudhën kontraktuese, negociatat me Bechtel-Enkan, komunikimin me kompaninë Eversheds, e dokumente tjera të rëndësishme për këtë projekt. E për këtë ajo ka obligim kushtetues, ligjor por edhe moral.

Neni 120 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës specifikon se “Shpenzimet Publike dhe mbledhja e të hyrave publike duhet të bazohen në parimet e llogaridhënies, efektshmërisë, efikasitetit dhe transparencës”.

Kontrata u mbajt e fshehur nga qytetarët e Republikës së Kosovës nën pretekstin se kjo ishte një sekret biznesor. Kësisoji qeveria e Kosovës është kujdesur që më shumë t’i mbrojë interesat e konzorciumit Bechtel-Enka se sa të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Kontrata nuk është e mbrojtur nga Ligji mbi Klasifikimin e Dokumenteve, sepse nuk rrezikon sigurinë nacionale dhe nuk është e klasifikuar si e tillë nga Agjencia e Inteligjencës së Kosovës, gjë që kërkohet me ligj. Kontrata po ashtu nuk është e klasifikuar si sekret biznesor bazuar në ligjin mbi Prokurimin Publik sepse edhe në atë rast do të duheshin të publikohen pjesët jo-sekrete të kontratës.

Qeveria na e ka dëshmuar edhe me këtë rast të përdorimit të parasë publike se është jashtëzakonisht e papërgjegjshme ndaj qytetarëve të Kosovës, të drejtave dhe interesave të tyre. Prandaj është e domosdoshme që Kuvendi ta mbajë këtë përgjegjësi dhe ta diciplinojë qeverinë në këtë drejtim.

Në bazë të nenit 44, paragrafi 4, pika (d), të Rregullores së Kuvendit, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! fton deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës të votojnë mocionin me rekomandimet në vijim:

1. Qeveria e Kosovës të publikojë menjëherë gjithë dokumentacionin në lidhje me autostradën Morinë-Merdarë, posaçërisht të gjitha rekomandimet dhe këshillat e kompanisë këshilluese, Eversheds, rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare financiare, si dhe procesverbalet e negociatave të qeverisë së Kosovës me konzorciumin Bechtel-Enka.

2. Kuvendi i Kosovës të angazhojë një grup ekspertësh për Vlerësimin dhe Rishikimin e Kontratës që do t’i jep rekomandimet e veta brenda 30 ditëve. Komisionet përkatëse të mbajnë dëgjime publike me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë për të vlerësuar detajet e ndryshme të kontratës.

3. Në bazë të rekomandimeve të komisioneve dhe të grupit të ekspertëve, qeveria e Kosovës të kërkojë menjëherë rishikim të kontratës, në seksionet e mbetura të autostradës, posaçërisht në pjesët e kontratës që e dëmtojnë interesin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, siç janë çmimet për njësi, nën-kontraktimi i kompanive vendore, pagesat dhe të drejtat e punëtorëve të punësuar nga Bechtel-Enka etj. Për këtë rishikim, qeveria duhet të raportojë para Kuvendit në afat prej 90 ditësh nga aprovimi i këtij mocioni.

4. Për shkak të rrezikut fiskal që i kanoset Republikës së Kosovës, qeveria e Kosovës të raportojë çdo tre muaj para Kuvendit të Kosovës për shpenzimet dhe pagesat në lidhje me autostradën, si dhe të prezantojë plane për tre muajt e radhës.

a.y/NOA

KOMENTE